Ambasada e Republikës së Kosovës në Hungari mori pjesë në kremtimet e organizuara në Budapest me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar.
Me këtë rast, Ambasada mirëpriti në ambientet e saj maestron dhe tenorin e shquar shqiptar, Kastriot Tusha, i cili ishte pjesë e aktiviteteve festive të organizuara nga Ambasada e Shqipërisë në Hungari.
Përmes një postimi, Ambasada e Kosovës në Hungari vlerësoi praninë e tenorit, duke theksuar se ajo i dha një dimension të veçantë festimit të kësaj dite historike, duke ndërthurur krenarinë kombëtare me vlerat e artit, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Ambasada shprehu mirënjohje për Kastriot Tushën për kontributin e tij në promovimin e kulturës shqiptare dhe emocionet që përcolli përmes artit, brenda dhe jashtë hapësirave shqiptare.
Në fund, Ambasada përcolli urimet për Ditën e Pavarësisë dhe Festën e Flamurit.