Një i ri shqiptar ka humbur jetën në një shkëmbim zjarri me policinë italiane në zonën e San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias.
Sipas raportimit të agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos, ngjarja ndodhi pasi efektivët e policisë, të ardhur nga rajoni i Kampanias, mbërritën në një banesë të izoluar për të ekzekutuar dy urdhër-arreste.
Gjatë ndërhyrjes, situata eskaloi në përplasje me armë zjarri, ku njëri prej personave që ishte objekt i urdhër-arrestit mbeti i vdekur.
Ndërkohë, një person tjetër që ndodhej në banesë u arrestua nga policia, ndërsa i treti, gjithashtu në kërkim dhe i armatosur, arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.
Sipas mediave italiane, personi i arratisur u fsheh në zonat fushore përreth banesës, duke bërë që autoritetet të nisnin një operacion të gjerë për kapjen e tij.
Në kërkim është angazhuar edhe një helikopter i policisë, për të kontrolluar zonën dhe për të lokalizuar personin e arratisur.
Siç raporton Adnkronos, hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e përplasjes me armë zjarri.