Vrau nënën e katër fëmijëve, dënohet me burgim të përjetshëm shqiptari në Greqi

Diaspora

Vrau nënën e katër fëmijëve, dënohet me burgim të përjetshëm shqiptari në Greqi

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 20:08
Marjola Nakoleci, Pandeli Nakoleci

41-vjeçari Pandeli Nakoleci është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, 36-vjeçares Marjola Nakoleci, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2025 në Volos të Greqisë.

Vendimi është marrë unanimisht nga Gjykata e Përzier Penale e Trikalave, pas përfundimit të procesit gjyqësor më 23 nëntor 2026. Përveç burgimit të përjetshëm për vrasjen, gjykata i ka shqiptuar edhe një vit burgim për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.

Sipas raportimit të mediumit grek Dikastiko.gr, gjykata e shpalli Nakolecin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikike, duke mos i pranuar pretendimet e mbrojtjes se ai kishte vepruar në gjendje të fortë emocionale.

Po ashtu, u rrëzuan pretendimet për përgjegjësi të reduktuar psikike dhe kërkesa për njohjen e rrethanave lehtësuese.

Gjatë procesit gjyqësor, prokurorja kishte kërkuar që i akuzuari të shpallej fajtor për vrasje me dashje në gjendje të qetë psikike, duke kundërshtuar pretendimet e mbrojtjes për një gjendje të rënduar emocionale apo çrregullim psikik. Gjykata e pranoi unanimisht propozimin e saj.

Marjola Nakoleci, nënë e katër fëmijëve, u vra më 22 gusht 2025, në hyrje të pallatit ku jetonte familja, në rrugën Konstanda në Volos.

Ngjarja ndodhi në prani të tre fëmijëve të mitur të çiftit, ndërsa në procesin gjyqësor ishin të pranishëm të katër fëmijët, të moshave 19, 17, 14 dhe 6 vjeç.

Sipas raportimit grek, procesi u zhvillua në një atmosferë tejet të rënduar emocionale. Fëmijët e ndoqën seancën, por në fund nuk u morën në pyetje si dëshmitarë.

Ndërkohë, avokatja e familjes së viktimës, Antonia Ballous, e cilësoi vendimin si një drejtësi për kujtimin e Marjolës, fëmijët dhe familjen e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat