Tragjedia në Itali, 23-vjeçarja dyshohet se është me origjinë shqiptare, vritet nga partneri i saj

Diaspora

Tragjedia në Itali, 23-vjeçarja dyshohet se është me origjinë shqiptare, vritet nga partneri i saj

Nga: A.M. Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 15:43
Andrea Nardini, Ionela Girneata

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Toskanën e Italisë, ku një 23-vjeçare është vrarë nga partneri i saj 25-vjeçar në Ponte a Buggiano, në provincën e Pistoias. Viktima është identifikuar si Ionela Girneata, për të cilën dyshohet se është me origjinë shqiptare, ndërsa partneri i saj, Andrea Nardini, pas krimit i dha fund jetës.

Sipas raportimit të mediumit italian “Il Giornale”, ngjarja ka ndodhur të enjten në mëngjes, ndërsa detajet e zbardhura nga hetimet tregojnë për një krim të rëndë brenda banesës ku jetonte çifti.

Fqinjët kishin parë 25-vjeçarin duke dalë nga shtëpia pak para orës 08:00 dhe duke u larguar me automjetin e tij. Në atë kohë, brenda banesës ndodhej trupi i pajetë i 23-vjeçares.

Dyshimet e para janë se e reja është goditur disa herë në kokë me një girë dore, pajisje që përdoret për ushtrime fizike.

Telefonata e autorit në numrin emergjent 112

Rreth orës 08:30, në numrin emergjent 112 kishte mbërritur një telefonatë nga vetë 25-vjeçari, i cili kishte njoftuar për vdekjen e partneres së tij.

“E dashura ime ka vdekur, shkoni atje, në rrugën Roma 45, në Ponte a Buggiano. Ishte një aksident. Nuk duhet ta gjejnë gjyshërit e mi. Unë do të vras veten”, kishte deklaruar ai në telefon.

Pas telefonatës, në vendngjarje kishin mbërritur ekipet e emergjencës, ambulanca dhe zjarrfikësit. Pasi kishin hyrë në banesën dykatëshe, ata kishin gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçares.

Ndërkohë, policia kishte lokalizuar telefonin e Nardinit në autostradën A1. Ai kishte shkuar në zonën e Barberino del Mugello, ku i kishte vënë flakën veturës së tij, një “Alfa Romeo Giulietta” blu, dhe më pas i kishte dhënë fund jetës.

Çifti bashkëjetonte prej rreth gjashtë vitesh

Sipas dëshmive të fqinjëve, Ionela dhe Andrea njiheshin që nga koha e shkollës dhe bashkëjetonin prej rreth gjashtë vitesh, që nga periudha e pandemisë COVID-19.

E reja ishte zhvendosur në banesën e partnerit kur kishte arritur moshën madhore. Çifti jetonte në katin e sipërm të banesës së gjyshërve të 25-vjeçarit.

Ionela kishte jetuar më parë në Lammari, pranë qytetit të Luccas. Pas përfundimit të studimeve për kontabilitet, ajo kishte nisur punën në një agjenci imobiliare, ndërsa kohët e fundit punonte në një fabrikë letre në Porcari.

Gjatë këqyrjes së banesës, hetuesit dhe ekspertët e policisë shkencore kishin gjetur shenja të një përleshjeje fizike. Dyshimet janë se 23-vjeçarja kishte tentuar të mbrohej nga sulmi i partnerit të saj.

Në banesë nuk ishte gjetur ndonjë letër apo mesazh shpjegues. Për këtë arsye, hetuesit pritet të analizojnë telefonat celularë të çiftit, me qëllim që të zbardhin rrethanat dhe atë që kishte ndodhur mes tyre para krimit.

Ngjarja lidhet me një tjetër vrasje të rëndë në Itali

Një element tjetër që e ka bërë edhe më tronditëse këtë ngjarje është fakti se vetëvrasja e Nardinit ka ndodhur në zonën e Barberino del Mugello, ku më 3 shtator ishte vrarë edhe Lorena Isceri.

Në atë rast, ish-partneri i saj e kishte rrëmbyer dhe lidhur në bagazhin e veturës, përpara se ta hidhte nga një viadukt, ndërsa ajo ishte ende gjallë. Më pas, edhe ai i kishte dhënë fund jetës.

Vetëm 24 orë para vrasjes së Ionelës, në dy zona shërbimi përgjatë autostradës ishin përuruar dy stola të kuq, me pllaka përkujtimore në nderim të Lorenës dhe të gjitha grave viktima të dhunës.

Rasti i fundit ka shkaktuar reagime të shumta në Itali. Edhe nëna e Lorenës ka shprehur dhimbjen dhe shqetësimin për përsëritjen e krimeve të tilla.

“Ishte e tmerrshme të shihja sërish në televizor pamjet e atij viadukti. Ndjeva një pafuqi përballë kaq shumë dhimbjeje”, është shprehur ajo.

Ngjarja ka nxitur reagime edhe në politikën italiane. Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, ka kërkuar miratimin e një ligji që përcakton qartë se marrëdhëniet seksuale pa pëlqim përbëjnë dhunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat