Emin Haziri, shefi shqiptar që po promovon Kosovën në Itali, pritet nga konsulli në Milano

Diaspora

Emin Haziri, shefi shqiptar që po promovon Kosovën në Itali, pritet nga konsulli në Milano

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 20:24
Rexhep Bajraktari, Emin Haziri

Shefi i njohur i kuzhinës, Emin Haziri, i cili ka arritur sukses në gastronominë italiane, është pritur në një takim nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, Rexhep Bajraktari.

Gjatë takimit, Bajraktari e përgëzoi Hazirin për sukseset e arritura dhe e falënderoi për kontributin e tij në promovimin e Kosovës përmes talentit, profesionalizmit dhe punës së tij.

Konsulli i Përgjithshëm vlerësoi se Haziri është një ambasador i Kosovës dhe i vlerave të saj në arenën ndërkombëtare.

“Është kënaqësi dhe krenari të takosh personalitete të tilla, të cilat me përkushtimin dhe kontributin e tyre e promovojnë Kosovën në nivele kaq të larta. Shef Emin Haziri është një ambasador i shkëlqyer i Kosovës dhe i vlerave të saj. Faleminderit për këtë takim të këndshëm dhe mikpritjen”, u shpreh Bajraktari.

Emin Haziri drejton restorantin Procaccini Milano, i cili është renditur së fundmi ndër 50 restorantet më të mira në Itali.

Sukseset e tij janë vlerësuar edhe nga revista prestigjioze Forbes, e cila e ka përfshirë Hazirin në mesin e shefave të rinj të kuzhinës, nën moshën 30-vjeçare, që kanë arritur të fitojnë yllin Michelin.

Përmes arritjeve të tij profesionale, Haziri po e përfaqëson gastronominë shqiptare përtej kufijve, duke promovuar njëkohësisht Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat