Një grup ligjvënësish demokratë në Kongresin amerikan ka prezantuar një projektligj që mund të hapë rrugën e Green Card-s për një kategori të caktuar emigrantësh që jetojnë prej vitesh në Shtetet e Bashkuara me urdhër final dëbimi.
Projektligji, i quajtur “Protect Our Neighbors Act”, u prezantua të enjten nga përfaqësuesit demokratë Lateefah Simon, Zoe Lofgren, John Garamendi dhe Juan Vargas.
Sipas projektligjit, urdhrat finalë të dëbimit do të skadojnë pas 10 vjetësh.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) do të mund t’i rinovonte ato vetëm nëse justifikon se rinovimi është në interes publik. Për ata që kualifikohen, prokurori i përgjithshëm ose sekretari i DHS-së do të mund të anulonte urdhrin e dëbimit dhe t’i jepte statusin e rezidentit të përhershëm ligjor (Green Card).
Kriteret kryesore përfshijnë, urdhër dëbimi të bazuar vetëm në shkelje të caktuara imigracionit, si qëndrim të vazhdueshëm në SHBA për të paktën 10 vjet pas urdhrit; respektim të kushteve të mbikëqyrjes pa u fshehur, si dhe mungesë të shkaqeve të papranueshmërisë për arsye penale ose të sigurisë kombëtare.
Aplikantët do të duhet të dorëzojnë kopje të deklaratës së fundit tatimore dhe të paguajnë një tarifë të vetme deri në 1.200 dollarë.
Ligjvënësit cituan si shembull rastin e Harjit Kaur, një grua 73-vjeçare sikhe nga India, e cila jetoi mbi 30 vjet në Kaliforni, dhe u dëbua në shtator 2025 pas një kontrolli rutinë. Ata theksuan se shumë njerëz kanë ndërtuar jetë, familje dhe komunitete në SHBA, por mbeten të kërcënuar nga urdhra të vjetër dëbimi.
Administrata Trump ka shtrënguar rrugët ligjore të imigracionit dhe ka intensifikuar zbatimin e ligjit. Sipas të dhënave të DHS, në vitin fiskal 2026 ICE dëboi mbi 483.000 persona.
Aktualisht, rreth 1,6 milionë njerëz ndodhen në listën e ICE me urdhra finalë dëbimi, por jo të gjithë dëbohen menjëherë.
Projektligji pritet të përballet me vështirësi politike.
Republikanët kontrollojnë ende Kongresin aktual, por demokratët fituan shumicën në zgjedhjet e mesit të mandatit dhe do të marrin kontrollin në janar.
Edhe nëse kalon, ligji ndoshta do të përballet me veton e presidentit Trump, i cili ka thënë se politika e tij mbetet “shumë e fortë” dhe ka përjashtuar çdo marrëveshje që do të konsiderohej amnisti.
Çfarë duhet të dinë shqiptarët tani
Për shqiptarët që jetojnë në SHBA me status të pasigurt ose me urdhra të vjetër dëbimi, ky projektligj është një sinjal shprese, por jo një zgjidhje e menjëhershme. Ai nuk është bërë ende ligj dhe përballet me pengesa të mëdha politike.
Green Card-s vazhdon të merret kryesisht përmes rrugëve ekzistuese, familjare, punësimi, lotaria e diversitetit ose statuse të tjera të mbrojtura.
Kush ka urdhër dëbimi ose status të pasigurt duhet të konsultohet menjëherë me avokat imigracioni të licencuar, të mbajë dokumentacion të plotë dhe të shmangë çdo shkelje që mund të përkeqësojë situatën.
Situata ligjore pritet të ndryshojë shpejt pas nisjes së punës së Kongresit të 120-të. Ekspertët këshillojnë që të qëndroni të informuar nga burime zyrtare dhe të mos u bazoheni në propozime që ende nuk janë miratuar.