Kush janë dy shqiptarët që akuzohen për vjedhjen në shtëpinë e Princit William dhe Kate?

Diaspora

Kush janë dy shqiptarët që akuzohen për vjedhjen në shtëpinë e Princit William dhe Kate?

Nga: A.SH. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 15:10
Prona e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk

Dy shtetas shqiptarë janë paraqitur të mërkurën para gjykatës në Norwich të Anglisë, nën akuzat për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar në pronën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk, shkruan Sky News, raporton Bota sot.

Arilen Ndoci, 32 vjeç, dhe Mirgen Doku, 34 vjeç, akuzohen se kanë hyrë në rezidencën e çiftit mbretëror, Anmer Hall, me qëllim vjedhjeje, si dhe për shkelje të një zone të mbrojtur.

Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se dy të dyshuarit dyshohet se kanë vjedhur një orë dhe gjashtë palë mansheta, të cilat janë përshkruar si mansheta të Dukës së Edinburgut.

Të dy të akuzuarit nuk u pyetën për pranimin apo mohimin e fajësisë, ndërsa gjykata vendosi që ata të mbeten në paraburgim. Gjatë seancës u bë e ditur gjithashtu se në momentin e arrestimit, të dy burrat ishin pa këpucë.

Policia ishte njoftuar pak para orës 18:00 të së hënës për lëvizje të dyshimta në pronën Anmer Hall, e cila ndodhet në territorin e Sandringham Estate. Pas ndërhyrjes, dy personat u arrestuan nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar.

Për kërkimet në zonë ishin angazhuar edhe njësi të specializuara të policisë, përfshirë qen gjurmues, dronë dhe helikopterin e Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore.

Prokuroria britanike ka konfirmuar se ka vendosur të ndjekë penalisht dy të dyshuarit, pas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me policinë e Norfolkut.

Në kohën kur dyshohet se ndodhi vjedhja, Princi William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në rezidencë.

Anmer Hall është një rezidencë me 10 dhoma gjumi, e cila iu dhurua çiftit nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II pas martesës së tyre. Ajo ndodhet në një zonë private të pronës mbretërore Sandringham, në Norfolk.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat