Tirana për fitore

Futboll

Tirana për fitore

Më: 4 prill 2021 Në ora: 11:17
Tirana për fitore

Me 10 pikë në 5 ndeshjet e fundit Bylis jo vetëm që ka konsoliduar pozitat në zonën Play Out të renditjes, por tani beson gjithmonë e më shumë te mbijetesa direkte, pasi është vetëm 4 pikë larg Kastriotit të vendit të 7 dhe pikërisht me krutanët do të masë forcat sot në orën 13:00 në stadiumin “Adush Muça”.

Mallakastriotët vijnë me një moral mjaft të lartë, pasi mposhtën Kukësin në sfidën e fundit para pushimit, ndërsa krutanët u relaksuan më shpejt sesa duhet dhe tani do të duhet të luftojnë sërish për mbijetesë.

Bëhet fjalë për një përballje mes dy skuadrave mjaft agresive në fushën e lojës, që për më tepër do të luajnë për një objektiv shumë të rëndësishëm si mbijetesa, ndaj në Ballsh parashikohet një 90-minutësh i zjarrtë.

Me shpresa shumë më të vakëta, por ende të gjalla për mbijetesë, është edhe Apolonia, që sot do të jetë mysafire e Tiranës në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Fierakët humbën përballjen direkte me Skënderbeun dhe aktualisht janë 8 pikë larg zonës Play Out, ndërsa përballë do të gjejnë një Tiranë në formë mjaft të mirë, që është rikthyer plotësisht në garë për një vend në Europë.

Për më tepër, nëse bardheblutë do të arrijnë të marrin tre pikët ndaj Apolonisë, atëherë mund të shpresojnë sërish për mbrojtjen e titullit kampion, pasi do të reduktonin në vetëm 5 pikë distancën nga kreu.

Në orën 16:00 vëmendja do të spostohet në “Elbasan Arena”, ku Kukësi do të përballet me Skënderbeun. Ndryshe nga sa ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, kur këto skuadra përballeshin për titullin kampion, këtë sezon objektivat kanë ndryshuar tërësisht.

Korçarët vijnë me një këmbë në Kategorinë e parë dhe luajnë ndoshta një nga shanset e fundit për mbijetesë, ndërsa verilindorët e shohin veten shumë larg zonës europiane, që ishte edhe objektivi i vetëm i mbetur këtë sezon.

Të tre këto takime do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, bashkë me emisionin dedikuar Superligës “Gol pas Goli”, ku moderatorja Vilma Masha dhe të ftuarit në studio do të sjellin analiza, komente dhe intervista me protagonistët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat