Partizani-Tirana, derbi i titullit dhe Europës

Futboll

Partizani-Tirana, derbi i titullit dhe Europës

Më: 13 maj 2021 Në ora: 11:52
Partizani-Tirana, derbi i titullit dhe Europës

Partizani-Tirana ndez kryeqytetin. Te kuqtë dhe bardheblutë në këtë derbi të fundit të sezonit, do të vendosin për fatin që do të kenë në këtë kampionat. Skuadra e Ilir Dajës zbret në fushën e “Air Albanias” (19:00) për të mbetur në garë për trofenë e kampionit, ndërsa ekipi i Orges Shehit për një mes vendeve që i jep mundësi të luajë në Europë.

Sigurisht, matematika e mban ende Tiranën në luftë për titullin, por në kampin e 25 herë kampionëve të Shqipërisë nuk duan ta shfrenojnë fantazinë, shkruan supersport.

Një duel i shumëpritur, që mban në ankth të dyja tifozëritë, që pa ndikimin e pandemisë do ta kishin ndezur flakë impiantin modern të kryeqytetit.

Të kuqtë duken të avantazhuar në këtë derbi për disa arsye, ku më kryesoret janë pozicioni aktual, me vetëm një pikë më pak se Teuta, dhe rezultatet në tri sfidat derbi tashmë të luajtura në këtë sezon. Partizani ka fituar dy takime (1-0 dhe 1-2) dhe një tjetër është mbyllur barazim 0-0. Përplajsa e radhës mund të vendosë shumëçka për atë që synojnë të dy ekipet në këtë sprint final të kampionatit.

Më herët, në orën 16:00, luhen katër takimet e tjera të javës së 33-të të Superiores. Teuta kryesuese ka një transfertë shumë të vështirë përballë Kastriotit, që tashmë është përfshirë në vorbullën e mbijetesës dhe kërkon me çdo kusht të fitojë pikë edhe ndaj skuadrës që kryeson.

Në garë për titullin është edhe Laçi (ka tri pikë më pak se Teuta dhe dy më pak se Partizani) që shpreson të marrë maksimumin ndaj Skënderbeut, me shpresën që si të kuqve ashtu edhe “Djemve të Detit” t’u rrëshqasin këmbët në sfidat respektive.

Po kaq të vështirë e ka edhe Vllaznia, që nëse dëshiron të qëndrojë në garë, qoftë matematikisht, duhet të marrë maksimumin në fushë ne Bylisit, që sikurse Kastrioti, nuk do të ketë më mundësi për të fituar pikë për mbijetesë.

Sfida me më pak interes luhet në “Loni Papuçiu” të Fierit, ku Apolonia, praktikisht e rënë nga Kategoria, pret Kukësin, që as rrezikon rënien, as e lejon matematika të pretendojë ngjitje në renditje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat