Kukësi-Teuta, derbi shqiptar

Futboll

Kukësi-Teuta, derbi shqiptar

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 12:32
Kukësi-Teuta, derbi shqiptar

E diela e Abissnet Superiores sjell në fushë dy prej takimeve më interesante të javës së katërt të kampionatit, që i lë vendin më pas skenës së kombëtareve në eliminatoret e Botërorit. Një e diel e zjarrtë, që pas mesdite, me Tiranën dhe Laçin që përplasen në orën 13.45, në një sfidë të karakterizuar historikisht nga rivaliteti dhe, për më tepër, mes dy skuadrave që nuk e kanë nisur kampionatin ashtu siç do të donin, dhe kërkojnë me ngulm rikthimin te fitorja.

Bardheblutë e Orges Shehit, pasi kanë ngecur ndaj Egnatias dhe Kastriotit, dy kundërshtarë për t’u kaluar, synojnë rikthimin te suksesi përballë një Laçi që vetëm në ndeshjen e fundit, atë me Kukësin, demonstroi grintë dhe karakter, duke rikuperuar në shtesë një disavantazh të dyfishtë, falë heroit të këtij sezoni, Zarubica.

Në kampin kryeqytetas, Orges Shehi i ka të gjithë të gatshëm, me përjashtim të Beshirit, dhe kërkon një Tiranë më të orientuar drejt sulmit dhe të përqendruar për të evituar gabimet e zakonshme në mbrojtje.

Te Laçi, Vukicevic mbetet ende në kërkim të fitores së parë në stolin kurbinas dhe e ka të qartë se një pjesë e parë si ajo ndaj Kukësit mund t’i kushtojë shtrenjtë.

Pasdite, ndërkohë, emocionet i ofron Teuta – Kukësi, në 16.45, në “Elbasan Arena”, përballen dy ndër skuadrat më interesante në këtë fillim sezoni. Kampionët në fuqi të Edi Martinit, përballë verilindorëve, që janë shprehur mjaft mirë në ndeshjet e para. Skuadra e Diego Longos luan rrjedhshëm dhe krijon, duke evidentuar emra interesantë sidomos në vijën e sulmit dhe përballë një Teute, që si pikën më të fortë ka mbrojtjen, pa dyshim që është një sfidë që ngjall interes edhe në aspektin taktik sa u përket dy fizionomive të ndryshme të lojës.

Teuta, pas dy barazimeve, kërkon 3-pikëshin për të shkuar me shpirtin e duhur në pauzën e kombëtareve, ndërsa Kukësi synon të evitojë gabimet, që u konstatuan ndaj Laçit, ku shpërdoruan disa raste të pastra, por mbi të gjitha pësuan dy gola, duke shpërdoruar një avantazh të dyfishtë, që i çonte shumë pranë fitores së tretë radhazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat