Daja: Partizani im për fitore në derbi

Futboll

Daja: Partizani im për fitore në derbi

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 13:45
Daja: Partizani im për fitore në derbi

Nesër rikthehet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, që do zhvillohet në “Air Albania” (19:45). Trajneri i “Demave”, Ilir Daja preku disa tema gjatë konferencës për shtypin, duke theksuar se djemtë e tij do futen në fushë për fitore në sfidën e fundit në Abissnet Superiore për vitin 2021.

“Është ndeshja më e veçantë e futbollit shqiptar, mbetet ndeshja më speciale e kampionatit. Do futemi në fushë për të fituar, renditja nuk ndikon, qëllimi ynë kryesor do të jetë fitorja, pasi derbi luhet për t’u fituar.

Një derbi ka gjithmonë presion. Ne kemi lojtarë që janë mësuar me presionin, por kemi edhe lojtarë të rinj që ndoshta është hera e dytë që marrin pjesë në derbi. Lojtarët e Partizanit do dinë ta menaxhojnë presionin, në mënyrë që të kemi më pak probleme.

Përveç derbit që patëm me Dinamon, që pati spektakël, në derbin me Tiranën mbizotërojnë dyluftimet maksimale. Duhet të jemi pragmatistë, por kemi treguar që nuk kemi qenë pragmatist, pasi kemi dashur të marrim kontrollin e lojës. Këtë do tentojmë edhe ndaj Tiranës.

Kemi bërë një merkato të mirë në verë, por në këtë periudhë kemi pasur shumë dëmtime. Atë kontingjent që e kemi prezantuar në verë, pothuajse nuk e kemi pasur në asnjë moment.

Me një freski më të mirë fizike shkohet më lehtë te goli. Më pas është stërvitja individuale, kemi 13 lojtarë që janë nën 21 vjeç dhe stërviten me ekipin e parë. Kur të jemi në kompleksin tonë do të punojmë më shumë në aspektin individual.

Tirana ka bërë më mirë se Partizani në drejtim të pikëve. Në derbi ka rëndësi jo motivimi maksimal, por kontrolli emocional. Gabime bëjnë të gjithë, futbolli është sport i gabimeve.

Janë bërë të shpeshta gabimet, kjo na ka dhembur shumë. Gabimet lojtarët i kanë në kurriz të tyre, por duhet t’u japim kurajo të vazhdojnë përpara dhe të minimizojmë gabimet.

Presim të na rikthehet i gjithë kontingjenti, më pas me qetësi do të vendosim për ta shtuar kontingjentin. Të mbyllet edhe seanca e sotme që të shohim se me kë do zihet trajneri Daja.

Daja nuk zihet, kam eksperiencën që të shmang debatet me lojtarët. Neve jemi pak jo tolerantë, pasi nuk lëmë asnjë lojtar të debatojë në stërvitje. Nuk ndodhin debate mes lojtarëve te Partizani.

Nesër e kemi gjithë grupin në dispozicion, përveç atyre që kanë pësuar dëmtime dhe kanë mbyllur vitin. Në një derbi nuk ka shumë raste në portat respektive, asnjë nga skuadrat nuk çekuilibrohet. Duhet të jemi pragmatistë, jo në lojë, por për të shfrytëzuar situatat përpara portës.

Unë kam një kontratë me klubin, por nuk më mban kontrata te Partizani. Më mbajnë marrëdhëniet bilaterale me drejtuesit, që janë shumë të mira”, deklaroi Ilir Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat