Skandaloze në futbollin shqiptar, fiton titullin mes grushteve!

Futboll

Skandaloze në futbollin shqiptar, fiton titullin mes grushteve!

Më: 9 maj 2026 Në ora: 23:01
Pamje

Ekipi i Tiranës U-18 është shpallur kampion në Abissnet Superiore U-18, ndërsa fitoi në transfertë ndeshjen vendimtare kundër Partizanit.

Diferenca prej vetëm 1 pike para këtij dueli, i dha më shumë “ngjyra” dhe emocione sfidës, por që bardheblutë triumfuan në “Arenën e Demave”.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Qerimaj në minutën e 18-të. Megjithatë, futbolli ia la radhën dhunës në fund. Sherri masiv mes të dyja kampeve, teksa degradoi në grushte.

Asistenti i Tiranës, Kevin Paraj edhe pse u ndëshkua me karton të kuq, u fut sërish në fushë në përfundim. Por jo vetëm kaq. Ai goditi me grusht një nga lojtarët kundërshtarë. Ky episod ishte zanafilla e gjithçkaje.

Eskalimi i dhunës shkoi në pikën ku u goditën me grushta e shkelma kokës edhe efektivët e policisë. Nuk qëndruan në “heshtje” as prindërit e lojtarëve, të cilët u bën “pjesë” e kësaj skene.

Një ngjarje e tillë nuk mbahet mend me përmasa kaq të mëdha në arenë e futbollit shqiptar. Deri tani, as ekipi i Partizanit dhe as Tirana, nuk kanë bërë një reagim zyrtar për ngjarjen.

Pritet që Komisioni i Disiplinës të jap dënim shembullor për këtë "shfaqje" të shëmtuar, që në plan të parë ngjason më tepër me boksin, se sa futbollin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat