Bournemouth me dhjetë lojtarë përmbys Celta Vigon 2:1 dhe shkruan histori në Europa League

Futboll

Bournemouth me dhjetë lojtarë përmbys Celta Vigon 2:1 dhe shkruan histori në Europa League

Nga: Bota sot Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 08:48
Foto nga ndeshja

Bournemouth ka vazhduar ecurinë e përsosur në Europa League, duke mposhtur 2:1 Celta Vigon në Spanjë, edhe pse luajti me dhjetë lojtarë për më shumë se një orë. Skuadra angleze është e vetmja me pesë fitore në pesë ndeshje dhe kryeson tabelën me 15 pikë, tri më shumë se Bayer Leverkusen, raportoi AFP.

Ndeshja nisi keq për të ftuarit. Iago Aspas, 39 vjeç, e çoi Celtën përpara në minutën e 19-të me një goditje të bukur me këmbën e majtë, golin e tij të parë që nga gushti. Katër minuta më vonë Bafode Diakité u përjashtua me karton të kuq pas rishikimit të VAR-it, për një ndërhyrje ndaj Couhaib Driouechit.

Pas pushimit, Bournemouth barazoi në minutën e 47-të me kokë nga Álvaro Rodríguez, pas një topi të Amine Adlit. Fitorja erdhi në minutën e 78-të, kur Rayan shënoi pas pasimit të Marcus Tavernier. Celta pa edhe një gol të Ferran Jutglas të anulohej për ofsajd në fund të ndeshjes.

Fitorja është e 10-ta radhazi për Bournemouthin në të gjitha garat. Sipas Opta-s, skuadra e trajnerit Marco Rose është e para angleze që fiton pesë ndeshjet e para evropiane në sezonin debutues; në garat e mëdha evropiane kjo u kishte ndodhur më parë vetëm Nuremberg (1961–62) dhe Ararat (1972–73).

Pas dy javësh Bournemouth pret Viktoria Plzenin, që e mposhti Benficën 4:0, dhe me një rezultat pozitiv mund të sigurojë një vend në tetëshen e parë dhe kualifikimin e drejtpërdrejtë në fazën e 16-ve, shkroi AFP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat