Arbitri Marco Guida është caktuar për të drejtuar ndeshjen mes Sassuolos dhe Napolit, e cila do të zhvillohet të dielën, më 29 nëntor, në orën 15:00. Kjo do të jetë hera e parë në karrierën e tij që ai do të gjykojë një ndeshje zyrtare të skuadrës napolitane.
Guida kishte zgjedhur më parë të mos drejtonte ndeshjet e Napolit, për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe qetësinë e familjes së tij.
Në një intervistë për ”Radio CRC” në vitin 2025, arbitri italian kishte shpjeguar arsyet e këtij vendimi.
“Nuk do të doja të gjykoja Napolin. Kam tre fëmijë dhe bashkëshortja ime ka një biznes. Në mëngjes duhet të shkoj t'i marr fëmijët dhe dua të jem i qetë”, kishte deklaruar Guida.
Ai kishte treguar gjithashtu se frika nga reagimet e mundshme pas gabimeve në ndeshje ndikonte në vendimin e tij, pasi shqetësohej se mund të mos ishte i sigurt në jetën e përditshme.
Megjithatë, përgjegjësi për caktimin e arbitrave, Daniele Orsato, kishte paralajmëruar që në shtator se Guida shumë shpejt do të drejtonte një ndeshje të Napolit. Tashmë ky vendim është bërë realitet.