Këshillat si duhet trajtuar sëmundja e veshkës policistike

Këshilla mjekësore

Këshillat si duhet trajtuar sëmundja e veshkës policistike

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Dhimbjet e shpinës në zonën ndërmjet brinjëve, si dhe prania e shpeshtë e dhimbjeve të kokës klasifikohen si dy ndër shenjat më të zakonshme që tregojnë se kemi të bëjmë me dëmtim të veshkave, e konkretisht të sëmundjes që njihet si veshka policistike.

Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili ndalet në detajimin e shenjave që tregojnë për praninë e sëmundjes së veshkës policistike, si dhe këshillave se si duhet të veprohet për zbulimin e saj të hershëm, si dhe trajtimin mjekësor të saj.

Sipas bluzave të bardha të shëndetit publik, në përgjithësi sëmundjet e veshkave janë të shërueshme. Kjo, vetëm nëse këto sëmundje zbulohen herët dhe menaxhohen në mënyrën e duhur, kështu, përkeqësimi i funksionit të veshkave mund të ngadalësohet apo edhe të ndalohet, si dhe mund të reduktohet rreziku i lidhur me ndërlikimet kardiovaskulare.

Çfarë është sëmundja e veshkës policistike?

Sëmundja e veshkave policistike është një çrregullim gjenetik i karakterizuar nga rritja e cisteve të shumta në veshka. Veshkat janë organe çift, me madhësinë e grushtit të vendosur në dy anët e sipërme të zgavrës së barkut në drejtim të shpinës. Veshkat filtrojnë ujin shtesë, si edhe largojnë mbeturinat nga gjaku në formën e urinës.

Ato luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm në ruajtjen e parametrave vitalë të organizmit. Kur formohen cistet, ato zëvendësojnë pjesën më të madhe të strukturës normale të veshkës duke rezultuar në zvogëlimin e funksionit të veshkave dhe jo rrallë në dështimin e tyre (insuficienca renale).

Pas sa kohësh ndodh rënia e funksionit të veshkave?

Rënia e funksionit të veshkave zakonisht ndodh pas shumë vitesh dhe në rastet e insuficiencës renale, pacienti kërkon dializë, apo edhe transplant të veshkës. Forma kryesore e trashëguar e sëmundjes policistike të veshkave është forma dominante autosomale që do të thotë se nëse një prind e ka sëmundjen, ka një shans 50 për qind që geni i sëmundjes të kalojë edhe tek një fëmijë.

Shumë njerëz jetojnë për disa dekada pa zhvilluar simptoma klinike të sëmundjes. Megjithatë, shumë ciste formohen herët dhe rriten shpejt, duke shkaktuar simptoma që në fëmijëri. Veshka policistike ruan në mënyrë të përafërt formën me veshkën e shëndetshme. Me kalimin e kohës, veshkat zgjerohen së bashku me cistet, të cilat numërohen me mijëra.

Cilat janë simptomat klinike të sëmundjes?

Simptomat me të zakonshme janë dhimbjet e shpinës në zonën midis brinjëve dhe dhimbja e kokës. Dhimbjet mund të jenë të buta, ose të ashpra, të përkohshme, ose të vazhdueshme. Gjithashtu, pacientët me sëmundjen policistike të veshkave mund të përjetojnë edhe ndërlikimet e detajuara në vijim. Konkretisht, mund të vuajnë nga infeksione të shpeshta të aparatit urinar të shoqëruara me hematuri (prania e gjakut në urinë), nga infeksione të cisteve.

Një tjetër problematikë që shfaqet në këto raste është edhe tensioni i lartë i gjakut. Mund të ndodhë edhe prania e cisteve edhe në mëlçi dhe pankreas. Të tjera ndërlikime që shfaqen si shkak i kësaj patologjie janë edhe prania e gurëve në veshka, çrregullime të valvulave të zemrës, aneurizma (zgjerime) të enëve të gjakut, etj.

Si diagnostikohet sëmundja?

Zakonisht sëmundja diagnostikohet nëpërmjet ekzaminimeve radiologjike. Forma më e zakonshme është me ultratinguj (EKO), por gjithashtu edhe skaneri (CT), apo rezonanca magnetike (MRI). Imazhet e veshkave policistike ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme, varësisht nga mosha e pacientit. Moshat e reja kanë zakonisht cyste më të vegjël.

 A mund të zbulohet herët kjo patologji?

Në shumicën e rasteve pacientët nuk kanë shenja klinike dhe gjendja e tyre fizike duket normale për shumë vite, kështu që sëmundja mund të kaloja pa u vënë re. Kontrollet e gjakut, të urinës dhe ekzaminimet fizike nuk mund të çojnë në diagnozë të hershme. Për shkak të rritjes së ngadaltë të cisteve, disa njerëz jetojnë për shumë vite pa e ditur. Diagnoza veshkës policistike autosomale dominante përcaktohet nga testet gjenetike. Megjithatë, zbulimet gjenetike nuk mund të parashikojnë fillimin e simptomave ose ashpërsimin përfundimtar të sëmundjes.

Po në lidhje me trajtimin e saj çfarë mund të rekomandojmë?

Trajtimi i sëmundjes konsiston në lehtësimin e simptomave klinike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Simptoma kryesore mbetet dhimbja, por është e rëndësishme të përcaktohet se nga vjen dhimbja. Për shembull dhimbja mund të vijë nga infeksioni i cisteve, ose i rrugëve urinare ,dhe në këto raste duhet trajtuar paralelisht infeksioni dhe lehtësimi i dhimbjes. Infeksionet cistike janë të vështira për t’u trajtuar sepse shumë antibiotikë nuk arrijnë të depërtojnë cistet në brendësi. Prandaj, është shumë e rëndësishme të trajtohen sa më herët dhe në mënyrën e duhur infeksionet e aparatit urinar për të parandaluar kalimin e infeksionit tek cistet.

Në rastin kur dhimbjet shkaktohen nga zmadhimi i cisteve si duhet të veprojmë?

Nëse dhimbjet shkaktohen nga zmadhimi i cisteve, atëherë terapia do të konsistojë në qetësimin e dhimbjes. Qetësuesit duhet të zgjidhen me shumë kujdes nga mjeku, pasi ato mund të dëmtojnë punën e veshkave.

Kur rekomandohet kirurgjia?

Në jo pak raste kirurgjia e cisteve ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve. Por duhet të theksojmë se kirurgjia siguron vetëm lehtësim të përkohshëm dhe nuk ngadalëson përparimin e sëmundjes drejt dështimit të veshkave. Dhimbjet e kokës që janë të rënda shkaktohen nga aneurizmat (zgjerimet) e enëve të gjakut të kokës. Këto aneurizma mund të çahen dhe për rrjedhojë do të kemi gjakderdhje në tru me pasoja të rënda (hemorragji cerebrale). Mbajtja në vlerat e normës të presionit arterial të gjakut mund të ngadalësojë ecurinë e sëmundjes. Për këtë përdoren medikamente specifike për uljen e tensionit por edhe ndryshimi i stilit të jetës.

Sa i takon stilit të jetesës çfarë mund të këshillojmë për këta pacientë?

Ndonjëherë dieta dhe aktiviteti i duhur fizik janë të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll presionin e gjakut. Pas shumë vitesh sëmundja mund të përfundojë në insuficiencë renale (dështim i punës së veshkave). Veshkat janë thelbësore për jetën e njeriut dhe në këto raste zgjidhja është dializa, ose transplanti, të cilat do të zëvendësojnë punën e veshkave të dëmtuara. Gjatë hemodializës, gjaku qarkullon në një filtër të jashtëm ku pastrohet dhe hyn pastaj i pastër në trup ndërsa në dializën peritoneale, futet një lëng në hapësirën e barkut që absorbon mbeturinat dhe pastaj hiqet. Zgjidhja përfundimtare mbetet transplanti me veshkë të shëndetshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat