Në vend të urimit: Nikollë Shabani doktoroi në shkencat juridike në Universitetin e Tiranës

Kultura

Në vend të urimit: Nikollë Shabani doktoroi në shkencat juridike në Universitetin e Tiranës

Nga: Rexhep Elezaj Më: 16 mars 2021 Në ora: 12:48
Nikollë Shabani

Pak biografi:

Nikollë Shabani, u lind në Kotor, në qytetin e lashtë Ilir, aty ku gjendet selia e mbretëreshës Teuta, ndërsa u rritë në qytetin e bukur bregdetar të Ulqinit me një histori dhe trashëgimi të lashtë kulturore iliro-shqiptare mbi 2500 vjeçare. Vjen nga një familje e shquar ulqinake e njohur për tradita kombëtare, atdhetare dhe arsimore. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Ulqin, Fakultetin juridik në Prishtinë, më pas e vazhdon perfeksionimin dhe ushtrimin e avokaturës në Shqipëri, për ta mbaruar Magjistraturën në Maqedoni, me temën, “Kuadri juridiko penal – krahasues (Mali i Zi-Shqipëri) i të drejtës së fundit të jetës-Eutanazia” në Fakultetin juridik pranë Universitetit shtetëror të Tetovës me 2013-tën.

Nikolla, nuk do ndalet me kaq, sepse në vitin 2020 me punën e palodhshme do e mbron edhe Disertacionin e gradës shkencore “Doktor i shkencave” me temën, “Mbrojtja juridiko – penale e Dinjitetit Njerëzor- Aspekte krahasore të Legjislacionit Shqiptar dhe Gjerman” në Fakultetin e drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës, para grupit të profesorëve, udhëheqës shkencor, Prof. Dr. Altin Shegani, në Jurinë e përbërë nga kryetari, Prof. Dr. Skënder Kaçupi, oponent Prof. Asoc. Dr. Jola Xhafo, oponent Prof. Dr. Ilirjana Mandro, Prof. Asoc. Dr. Shefqet Muçi dhe Prof. Dr. Ermir Dobjani.

Image

Për këtë sukses të tij, ne si shokë dhe bashkëveprimtarë të Nikollës, sikur të mos ishte kohë pandemie do ishim të pranishëm në këtë eveniment shkencor me një titullar të ri shqiptar që merr gradën, Doktor i shkencave, e që më këtë rast e urojmë nga zëmra, Dr. Nikollë Shabanin për arritjen e këtij titulli të laftë akademik; “Të shkoftë puna mbarë si përherë, mburremi me titullin tënd, të urojmë suksese në punën e ardhshme studiuese dhe krijuese në shkencat juridike”!

Po ashtu, ndjehemi krenarë që bashkëvepruam për më shumë se dy dekada me Nikollën në avancimin e çështjes tonë kombëtare, sidomos për punën dhe kontributin e dhënë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Image
Me presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova

Për të folur rreth punës dhe gjithë aktivitetit intelektual, shkencor dhe kombëtar të Dr. Nikollë Shabanit, kërkohet kohë e gjatë, por kësaj radhe do t’i cekim vetëm ato më kryesoret, për të mos iu mbetur borxh lexueseve, miqve, kolegëve dhe bashkëvendësve të tij në trevat shqiptare në Mal të Zi, si dhe gjithandej mërgatës shqiptare në Evropë, SHBA dhe më gjerë.

Image
Me akademik Mark Krasniqin.

Si shumë shqiptarë nga Ulqini dhe trevat tona arbërore në Mal të Zi, të cilët për shkak të përndjekjeve dhe diskriminimit që u bëhej nga regjimi komunist ish-jugosllav, edhe Nikolla detyrohet ta braktisë vendlindjen dhe të strehohet në Gjermani/Ludwigshafen, diku në fillim të viteve të 90-ta, ku me vështirësi dhe mjaft mund do arrin që së bashku me familjen të gjejë strehim dhe punë, njëjtë sikur shumë emigrant nga Kosova.

Në mërgim, Nikolla do iu bashkohet shoqatave atdhetare që vepronin në Gjermani, Zvicër dhe Bruksel, duke u kyçur në të gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe intelektuale. Madje, në vitin 1996 në Stuttgart do zgjidhet nënkryetar e më pas edhe kryetar i Asociacionit të intelektualëve shqiptar në Mërgim (BISHM), të cilin institucion do e udhëheq me shumë sukses, gjithnjë në shërbim të kauzës shqiptare në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Edhe në organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë do angazhohet dhe luan rol kyç përmes formave konkrete të tubimit të ndihmave të shumta, deri në armatim dhe pajisje ushtarake, duke u zgjedhur ndër kryetarët e parë të shtabit Emergjent në Gjermani/Ludwigshafen, etj.

Nikolla ka qenë dhe mbetet ndër figurat më eminente edhe në organizimet e shumta kulturore brenda mërgatës shqiptare në Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë dhe Austri, duke qenë pjesë e pandashme e formimit dhe funksionimit të shumë grupeve dhe shoqatave atdhetare, siç ishte, “Lidhjes Shqiptare në Botë” (LSHB), shoqata “Kuvendi i Arbërit 1703”, Bashkësia shqiptare në Rhein Land-Pfalz, etj., duke mbajtur gjithmonë kontakte pune dhe koordinim me subjektet kyçe politike dhe kombëtare në Ulqin, Shkodër, Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë.

Image

Ishte edhe bashkëthemelues i Institutit kombëtar për të Drejtën Romake në Tetovë, kontribuojë në mbledhjen e dëshmive për krime lufte të serbëve në Kosovë, duke intervistuar të përndjekurit kosovarë të cilët u strehuan në Shkodër, dhe këto dëshmi përmes organizatës gjermane “AWO” i dërgonin në Gjykatën e Hagës së bashku me shoqatën „Besa“ në Shkodër, të kryesuar nga veprimtarët kombëtarë, Dashamir Uruçi, Fadil Kraja, Agim Doçi, Ahmet Osja, Nikolla Spatari, Agustin Vata etj. Pra, veprimtaritë e këtilla ku Nikolla ishte ideator dhe realizues janë të shumta, me motivacion për t’i kontribuar kombit dhe vetë popullit tij shqiptar në Ballkan.

Janë të rrallë intelektualët shqiptar siç është Dr. N. Shabani, që me kaq sukses do i arrin gjitha këto suksese në fushën e studimeve akademike si dhe titujt më të lartë shkencor, pranë gjithë atyre punëve dhe obligimeve të panumërta në planin jetësor, të punës dhe angazhimeve të përditshme si mërgimtar, por edhe si studiues dhe punëtor shkencor.

Ne, e përgëzojmë dhe e urojmë për të gjitha sukseset e tij që i ka arritur në jetë, posaçërisht na gëzon fakti që Nikolla do jetë ndër të parët, në mos edhe i pari intelektual nga Ulqini i cili e arrin titullin më të lartë akademik, Doktor i shkencave, e të cilët janë të rrallë në mesin e popullit dhe inteligjencës shqiptare në Mal të Zi.

Po ashtu, i urojmë punë të mbarë, shëndet dhe suksese të reja në fushën e shkencave juridike, në veçanti në avancimin si dhe forcimin e statusit etnik dhe kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat