Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë me aktivitete gjatë tërë muajit prill

Kultura

Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë me aktivitete gjatë tërë muajit prill

Më: 6 prill 2021 Në ora: 18:42
Foto ilustrim

Përmes këtij njoftimi po ua përcjellim programin e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë për muajin prill 2021. 

Kinema “Jusuf Gërvalla” hap dyert për publikun gjatë tërë muajit prill.

Njoftohet se ngjarjet do të jenë të kombinuara në formatin digjital dhe atë me pjesëmarrje fizike, përherë duke i’u përmbajtur rregullave dhe kufizimeve të vendosura për shkaqe sigurie ndaj pandemisë.

Të premten më 9 prill duke filluar nga ora 18:00, nga faqja e Kinema “Jusuf Gërvalla” do të transmetohet nata e poezive të poetit të njohur Ismail Kadare, të cilat interpretohen nga Ujëjeta Shatri.

KinoKlubi rikthehet me gjeneratën e dytë me një program prej 5 moduleve i cili do të zgjasë 1 vit.

Në hapësirat e Kinemasë “Jusuf Gërvalla”, anëtarët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth filmit, shtjellimit të filmave, temava e problematikave të ndryshme shoqërore.

Moduli i parë fillon me datën 14 prill në ora 18:00, ku do të bashkëlexohet e diskutohet libri: “Komunikimi në Shoqërinë Masive”, i autorit Artan Fuga.

Në kuadër të programit të mbështetur nga IF CINEMA dhe Ambasada Franceze në Kosovë, përkatësisht në kategorinë e filmave të gjatë me emrin “Seriously?!” shfaqim filmin “Sympathy for the Devil” (Sympathie Pour Le Diable) të regjisorit, Guillaume de Fontenay, të premten më 16 prill duke filluar nga ora 18:00.

I mbështetur nga IF CINEMA dhe Ambasada Franceze në Kosovë është edhe filmi i animuar “The Painting” (Le Tableau) i regjisorit Jean-François Laguionie, i cili në kuadër të Programit të Fëmijëve shfaqet të premten më 23 prill duke filluar nga ora 13:00.

Dokumentari “The Tie” (La Cravate) i realizuar nga Mathias Théry dhe Étienne Chaillou, do të shfaqet të premten më 30 prill nga ora 18:00 si pjesë e Programit KinoDoks i cili gjithashtu mbështetet nga IF CINEMA dhe Ambasada Franceze në Kosovë.

Programi i studentëve, i cili ka për qëllim promovimin e punës së filmbërësve të rinj, vazhdon këtë muaj me filmat e Granit Dragaj, të cilët do të mbahen ditën e mërkurë me datë 28 prill nga ora 18:00. Pas shfaqjes së filmave në kinema, filmbërësi do të jetë i hapur për pyetjet e publikut.

Ndërkaq pas masave të reja kundër pandemisë, aktiviteti i parashikuar “Board Games”, do të anulohet për këtë muaj.

Për të njejtën arsye, Shkolla e Mendimit Kritik e organizuar nga TruAktiv e cila do të mbahej në në datat 13-16 prill, do të shtyhet deri me caktimin e datave të reja.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat