Liria e dashuria me rrënjë te thella në subjektin e romanit “Kohë përtej dhimbjeve” te autorit Mehdi Krasniqi

Kultura

Liria e dashuria me rrënjë te thella në subjektin e romanit “Kohë përtej dhimbjeve” te autorit Mehdi Krasniqi

Tahir Bezhani Nga Tahir Bezhani Më 7 prill 2021 Në ora: 10:31
Kopertina e librit

Krijuesi i gjeneratës më te re, i viteve të pasluftës ,Mehdi Krasniqi, me veprat e shkruara në poezi e prozë, ka bërë emër dhe emri jehonë, duke dhënë shembull tipik të angazhimeve te tija në fushën letrare në disa gjini. Në prozën e tij të gjatë, pra në romanin më te ri, ka krijuar profilin e një krijuesi të mirëfilltë e të kërkuar nga lexues të artit letrar nga gjitha anët e vendit tonë, trojeve tona shqiptare.

Të gjithë lexuesit e dashuruar ne artin letrar ,me rastin e botimit të librave të rinj, romaneve, përherë janë kureshtarë të dinë tematikën(subjektin) e romanit. Në rastin konkret, subjekti i romanit “Kohë përtej dhimbjeve” i Mehdi Krasniqit, është sakrifica për liri, dashuria, raste të tjera jetësore, ku shkohet deri në përmasa të tragjizmit, si dukuri kohore në rrjedha të gjëra shoqërore e njerëzore. Në vazhdim lexojmë si dogmë e mbetur trashëgim, mentalitetin patriarkal në mesin e familjeve tona, dogmë e cila krijon ” luftë” mendimesh dhe pakënaqësi njerëzore mes gjeneratash, në rrugëtimin plot mund e sakrificë.

Të gjitha këto së bashku, përbëjnë tharmin e romanit artistik të autorit Mehdi Krasniqi ,i cili, me mprehtësinë e mendjes dhe pendës, bazuar në përjetimet reale të kohës dhe përvojën, ofron kënaqësinë e të lexuarit, duke të bërë pjesë të ngjarjeve të cilat sapo kaluan mbi kurrizin e këtij populli.

Filozofia jetësore e gërshetuar me peshën e kohës.

Ngjarjet e zhvilluara brenda kornizave të këtij romani, të përjetësojnë me gjuhën e gjallë të ndodhive dhe të bëjnë pjesë të tyre fillim e mbarim të tërë rrjedhës kronologjike në roman. Dilemat njerëzore në momente kyçe të jetës,të zhvillimit të ngjarjeve,zbërthejnë aspektet psikologjike të koshinecës njerëzore,si vitalitet filozofik e kohor.Doemos, karakteret kundërthënëse mes individëve, në çfarëdo afërsie njerëzore e shoqërore, krijojnë mentalitete të reja në raport me kohen dhe situatën.Ndërtimi i tërë ngjarjes brenda këtij romani bëhet ngarkesë e pak personazheve, ku lexuesi e aksepton më lehtë ngjarjen,pasi rolet luhen mrekullueshëm, falë talentit e mjeshtërisë se autorit Mehdi Krasniqi.

Ardi e Blerta,motër e vëlla, Anda e Henri (dy shtetas të huaj), Ekremi dhe Nëna,janë ata përmes të cilëve pasqyrohen tablo të një jete plot sakrifica ,dashuri, vuajtje e aspirata tjera, pjesë e jetës njerëzore.

Image
Mehdi Krasniqi, autori i librit

Me këta personazhe ,autori i librit, Mehdi Krasniqi, ka ndërtuar raportet jetësore, ka ndarë gjithë gëzimin e hidhërimin, ka përjetuar edhe tragjizmin e ngjarjeve si shkak i luftës, duke qenë pjesë përbërëse e gjithë kronologjisë romanore. Të njëjtin kompozicion, të ngjeshur me shpirtin e tij përmes personazheve në vepër, ia fal lexuesit të respektuar, njeriut, kohës dhe historisë, si kronologji jete përmes së cilës kaloi i tërë populli. Dashuria e Ardit me Andën,shërben si pretekst i konfliktit familjar,ku babai, Ekremi, nuk lejon bashkimin e dy zemrave të dashuruara skajshmërisht, me motivacion se Anda është e kombësisë tjetër.

Anise jetonin në shtete të jashtme si familje e ikur nga regjimi serbosllav, sërish Ekremi ,babai i Ardit, nuk shkëputet nga hekurat e primitivizmit, të një shoqërie patriarkale. Aspekti psikologjik është tepër dominues te personazhi,i cili definitivisht shkatërron familjen, duke mos lejuar Ardin të bashkohet me Andën, të cilën e deshi me pasion. Nga ky këndvështrim,Ardi përcaktohet me vendosmëri që të tërhiqet nga kjo dashuri dhe përcaktohet për dashuri tjetër, për lirinë e Kosovës ,i cili pas shumë peripecive i bashkohet luftës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dallimi mes dy dashurive është një provokim i ndërgjegjes njerëzore, por mbi të gjitha dashuria për liri ka peshën e pakrahasueshme ,duke ditur se pa liri asgjë nuk vlen jeta. Dashuria për lirinë ka për synim gjakimin sublim, të rënit në betejën e lavdisë për tokën mëmë.

Rrugëtimi narrativ në romanin e autorit Mehdi Krasniqi, ka përplasjet e pakontestueshme, të cilat në momente të caktuara, prinjë kah mençuria dhe logjika e begatshme e autorit të romanit “Kohë përtej dhimbjeve”. Duke ndërtuar kronologjinë romanore, akoma më drastike ngjan rasti i përdhunimit të Blertës nga Henri, një i huaj, i cili e lëndon rëndë, deri në shpirt për gjithë jetën Blertën. Duke vlerësuar gjendjen e brendshme familjare ,Blerta këtë lëndim e mban në shpirtin e vet, si një plagë që e përcjell tërë jetën,por nuk e ndan me askënd,madje as me nënën e saj të sëmurë e të lodhur moshe.

Ndërsa me kalimin e kohës,Henri, duke i shkruar letra, i kërkon falje duke i ofruar dashurinë e sinqertë ,të përjetshme. Por Blerta, deri në vdekje nuk e pranon. Në fund, para se të vdesë, Henrit këmbëngulës, ia fal fajin por dashurinë kurrë. Është ky një shembull tipik i karaktereve njerëzore me të cilat konfrontohet jeta njerëzore,por edhe një nga problemet e mëdha të traditës sonë në aspektin e moralit. Zgjidhja krejt e natyrshme e spontane ,vjen nga vet logjika e koshienca e autorit të romanit, z.Mehdi Krasniqi,i cili vlerëson gjithanshmërinë e situatës ne rrethana shoqërore të kohës.

Letrat si pjese e pandarë e ndërtimit të romanit.

Si zakonisht,letrat janë pjesë përmbajtjesore e romanit të një autori ku personazhet,në rolet e tyre komunikuese, shprehin gjithë dashurinë në largësi, komunikojnë në mënyra e forma të ndryshme deri edhe në amanete kur jetës i soset shpresa për realizim të ëndrrës së paramenduar. Natyrshëm,edhe në romanin “Kohë përtej dhimbjeve”, personazhet e tij,shkëmbejnë letra shume te fuqishme, duke treguar dashurinë e zjarrtë për njëri tjetrin, ose edhe shkaqet e një ndërprerje të një ëndrre të parealizuar. Letrat mes Ardit e Andës janë aq të fuqishme sa që prekin mendjen e secilit lexues. Njëherit edhe letrat e Henrit, drejtuar Blertës në kërkimfalje për aktin e turpshëm që kishte bërë ndaj saj ,përmbajnë pjesën më të veçuar të romanit. Zbrazja e fuqishme e katarsit, të rikujton PabloNerudën kur i shkruan Komolës, në romanin “Stuhi në Gang”.

Të gjitha këto veprime të autorit Krasniqi në romanin “Kohë përtej dhimbjeve” i kanë dhënë cilësitë dhe vlerat artistike letrare, shije dhe ndjenjë për lexim. Me një fjalë i kanë dhënë shpirt veprës, duke portretizuar etikën dhe pastërtinë njerëzore të secilit personazh e në veçanti,duke u margarituar vet autori me imagjinatën e tij elegante me prirjen filozofike.

Dashuria për lirinë dhe lufta sublime për të njëjtën, madhështia e veprës.

Që në fillim vlen të potencohet se autori i këtij libri, z. Mehdi Krasniqi, ishte vet pjesëtar i luftës për lirinë e këtij vendi të shumëvuajtur. Prandaj,kush më bukur do na rrëfente për ato skena të tmerrshme se sa vet pjesëtari i një lufte, i cili bart në kujtesën e tij gjithë ato ndodhi të tmerrshme, te përgjakshme por edhe të gëzueshme.

Pikërisht personazhi i tij, Ardi,duke marrë guximin në një moshë shumë të re, kyçet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë një luftë të fortë e të përballshme me armikun gjakatarë, duke mos kursyer as jetën për lirinë e Kosovës. Epitetet e heroike si te Andi, në romanin e Krasniqit, jo vetëm se tregojnë trimërinë dhe guximin, por edhe arsyen e fortë për një luftë deri në fitore. Këtë argument e sjellin komandantët fisnikë e të ditur, atdhetarë e inteligjentë, duke mobilizuar ushtrinë për luftë. Nuk janë të rastësishme fjalët se “ne luftojmë për çlirim, ndërsa armiku për okupim si gjithmonë, andaj fitoja është e jona ,bile shumë e shpejtë....”

Në këtë vepër romanore, autori aspektit të luftës nuk i mbetet borxh me vlerësime të tjera plot lakmi, si disiplinën ushtarake,taktikat në frontin e luftës, filozofia dhe metodologjinë e luftës, duke e glorifikuar atë deri në një profesionalizëm të rangut të lartë ushtarak.Ushtari si Andi, përdorë humanizmin në vijën e zjarrit ,kur personifikon një ushtri e një populli që mbesin krenarë për luftën çlirimtare.

Pikërisht, luftëtari (personazhi) i librit në fjalë,kur merr në shënjestër ushtarin e armikut për likuidim,thotë:

” Mos të martë plumbi im nëse të kanë sjellë me dhunë në këtë luftë!....”

Personifikim i rrallë i humanitetit të një ushtrie në vijën e zjarrit kur armiku vret e djeg çfarë ka para vetes,si rrënues e shkatërrues,si përbindësh i njerëzimit. Këtë cilësi e ka praktikuar si moral ushtria jonë.

Tragjikja pjesa më prekëse në romanin “Kohë përtej dhimbjeve”.

Tragjeditë në raste të tilla, kur autorët trajtojnë një kohë lufte,janë pjesë e pashmangshme e librit, për faktin se në turbullira të mëdha, zihen ngjarje të mëdha e shumë të prekshme. Këto fenomene janë raste unikalë në letërsinë botërore e Evropiane. E dimë se edhe në luftën e Dytë Botërore, shumë shkrimtarë ,si pjesëmarrës të luftës, kanë dhënë pjesën më të dhimbshme të përjetimit të njerëzimit. Për këtë arsye thuhet se luftërat sjellin shkatërrime njerëzore në çdo aspekt të jetës.Tipare të tilla si produkt lufte, na sjell edhe z,Krasniqi në veprën e tij mjaft cilësore, duke përshkruar tragjizmin e përjetuar, apo edhe të imagjinuar në luftën e fundit në Kosovë.

Vdekja e Ardit në fushëbetejën e nderit ,ishte një dhimbje e madhe që tronditi gjithë familjen dhe shoqërinë ,rrethin dhe miqtë e Ardit. Ndjeshmëria më e theksuar ishte dhimbja e Blertës për vëllanë, e cila priste të kthehej dhe të fillonte jetën me Andën. Ky rast vdekje e dërmoi atë deri në skajshmëri. Pastaj vdekja e nënës ,e cila kur dëgjoi për humbjen e Ardit në luftën e nderit për liri, filloi të shuhet si qiri.

Me gjithë mërzinë e të përjetuar thellë shpirtit të rraskapitur nga mërzia, Blertës i thoshte:

“Loti e rëndon dheun e dëshmorit”

Dhoma e Ardit ishte shndërruar ne muze për publikun dhe shoqërinë, sipas idesë së nënës, por atë e përmbysi njerka, pasi që babai, Ekremi, u martua pas vdekjes së nënën. Së fundmi,tragjedia familjare mbyllet edhe me vdekjen e Blertës nga kanceri dhe me burgosjen e Ekremit ,si një shkaktar i shumë fatkeqësive familjare. Ai ishte përdorues i alkoolit....

Krejt në fund, mendoj se romani i autorit Mehdi Krasniq, ”Kohë përtej dhimbjeve”, ka plotësuar vakumin e një materie në disa fusha të jetës sonë, të historisë sonë të lavdishme . Mosha e këtij krijuesi, mjaft e re, është në kohën e pjekurisë dhe përvoja e fituar në krijimtari ,në prozë e poezi, shpresoj të jetë inkurajuese që të kemi një krijues brilant në letërsinë tonë shqipe.

Gjakovë, 5 prill,2021

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat