Besart Gashi, artisti që shpreh mirënjohjen ndaj SHBA-ve nëpërmjet veprave të tij

Kultura

Besart Gashi, artisti që shpreh mirënjohjen ndaj SHBA-ve nëpërmjet veprave të tij

Më: 9 prill 2021 Në ora: 21:49
Besart Gashi

Besart Gashi jeton në fshatin Komoran të komunës së Drenasit, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Në një mjedis të improvizuar ai ushtron artin e tij kushtuar, siç thotë, atyre që ndihmuan çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Në këtë hapësirë zoti Gashi ka përdorur 17 mijë kapëse metalike me ngjyra, për të realizuar një dhuratë për kampin Bondsteel, ku janë të vendosura qindra trupa paqeruajtëse amerikane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

“Idenë ma kanë dërguar ata, e kanë përzgjedhur flamurin e Kosovës dhe të Amerikës. Kur e kam dorëzuar punimin ka qenë një befasi shumë e madhe për ata, më kanë ndarë edhe mirënjohje si shenjë falënderimi, por më e veçanta e kësaj është se ato punime do të shkojnë në bazën e ushtrisë në Iowa të Shteteve të Bashkuara, ku do të qëndrojnë përjetë”, thotë Besarti.

Garda Kombëtare e Iowa-s është e lidhur ngushtë edhe me ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa në kuadër të saj tashmë trupa të kësaj force shërbejnë në misionin e parë paqeruajtës në botë.

Besart Gashi thotë se në mesin e punimeve të tij janë edhe portretet e ish presidentit amerikan, George Washington dhe ai i presidentit aktual, Joe Biden.

“Na kanë ndihmuar të çlirohemi së pari e tash na ndihmojnë edhe për shtetformim. Prandaj i kemi aleat shumë të mirë e të fortë. Për mua ka qenë krenari që diçka të bëjë për ata njerëz, për atë popull”, thotë ai.

Besarti nuk ka kryer studime në ndonjë fushë të artit. Megjithatë ai ka arritur të hyjë në librin e rekordeve Guiness me portretin e njërit prej udhëheqësve të luftës në Kosovë, Agim Ramadani, i cili u vra në pranverën e vitit 1999. Punimin që hyri në librin Guiness, zoti Gashi thotë se e realizoi me kapëse metalike në 52 ditë.

“Numri i kapseve që kanë shkuar për atë mozaik ka qenë 3 milionë e 138 e 305 copa, në hapësirë 26 metra katrorë. Mozaikun e kam përfunduar diku në gusht dhe ma certifikuan atë rekord të ri botëror”, thotë ai.

Tash për tash Besarti po provon një teknikë të re - punimin me ngjyrë të vulës.

“Në këtë punim është heroi Xheladin Gashi - Plaku, ka dhënë kontribut të madh në arsimin e Kosovës sidomos në Komoran këtu. Dizajnin e kam punuar vet, është në formë të librit”, rrëfen ai.

Besarti thotë nëse do të arrijë të siguroj mbështetje financiare, ka në plan të konkurrojë edhe një herë për të hyrë në librin e rekordeve Guiness me një punim në nderim të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat