Një nga dukuritë që kërkon reflektim serioz në shoqërinë tonë është mungesa e kulturës së vlerësimit të meritës dhe arritjeve të të tjerëve. Në vend që suksesi i një individi të pranohet si rezultat i punës, dijes dhe përkushtimit, jo rrallë ai shoqërohet me paragjykime, skepticizëm, xhelozi dhe nënvlerësim.
Kjo dukuri bëhet edhe më shqetësuese në mjediset akademike, shkencore dhe kulturore, ku respektimi i dijes dhe profesionalizmit duhet të jetë vlerë themelore. Në vend që të analizohen veprat, rezultatet dhe kontributet, shpesh vëmendja zhvendoset te pyetjet personale, kush e vlerësoi dikë, pse u avancua, çfarë mirënjohjeje mori dhe çfarë përfitimi material pati?
Në këtë mënyrë, merita zëvendësohet me paragjykim, ndërsa suksesi i tjetrit shndërrohet në objekt krahasimi dhe rivaliteti.
Pse duhet të na shqetësojë suksesi i dikujt tjetër, kur ai nuk e cenon mundësinë tonë për të arritur sukses?
Një shoqëri me kulturë të zhvilluar nuk e sheh avancimin e një profesori, studiuesi, shkrimtari apo profesionisti si kërcënim. Përkundrazi, e konsideron pasuri të përbashkët. Një libër i botuar, një hulumtim shkencor, një titull akademik apo një mirënjohje institucionale duhet të vlerësohen mbi bazën e punës, meritës dhe kritereve përkatëse.
Një keqkuptim tjetër është ngatërrimi i mirënjohjes institucionale me përfitimin financiar. Mirënjohja nuk është domosdoshmërisht çështje parash, ajo është njohje e kontributit dhe e përkushtimit. Dija nuk matet me pasurinë materiale, ndërsa merita nuk përcaktohet nga përfitimi ekonomik.
Ka autorë që për vite me radhë investojnë në botimin e librave dhe ua dhurojnë ato bibliotekave e universiteteve. Ka studiues që përfaqësojnë vendin në veprimtari ndërkombëtare, duke kontribuar në promovimin e vlerave akademike dhe kulturore. Këto angazhime meritojnë shqyrtim serioz dhe vlerësim objektiv.
Përgjegjësi të veçantë kanë institucionet akademike, shkencore dhe publike. Ato duhet të garantojnë transparencë, paanshmëri dhe zbatim të kritereve ligjore e profesionale. Avancimi dhe vlerësimi duhet të mbështeten në meritë, jo në afërsi personale, ndikime apo përkatësi të caktuara.
Natyrisht, asnjë personalitet nuk është mbi kritikën. Por kritika duhet të jetë e argumentuar dhe profesionale, jo e motivuar nga paragjykimet apo rivalitetet personale. Duhet të dallojmë konkurrencën e shëndetshme nga xhelozia dhe vlerësimin objektiv nga nënvlerësimi.
Një shoqëri që nuk i vlerëson njerëzit e saj rrezikon të demotivojë edhe brezat e rinj. Çfarë mesazhi u përcjellim të rinjve nëse puna, studimi dhe përkushtimi nuk marrin respektin e merituar? Nuk mund të ndërtojmë një shoqëri të dijes duke relativizuar sukseset e atyre që kontribuojnë në zhvillimin e saj.
Prandaj, kemi nevojë për më shumë kulturë qytetare, respekt të ndërsjellë dhe meritokraci institucionale. Nuk kemi nevojë të kemi të gjithë të njëjtët tituj, pozita apo arritje. Kemi nevojë të mësojmë ta respektojmë punën e njëri-tjetrit.
Suksesi i një individi nuk e zvogëlon vlerën e askujt tjetër. Përkundrazi, mund të jetë një vlerë e shtuar për të gjithë shoqërinë.
Të mos kemi frikë nga suksesi i tjetrit. Të mos e shohim avancimin e tij si kërcënim, por si motivim. Një shoqëri e zhvilluar nuk i pengon njerëzit që ecin përpara; ajo i vlerëson dhe krijon mundësi që edhe të tjerët të arrijnë.
Sepse një shoqëri që di ta respektojë meritën, di të ndërtojë edhe të ardhmen e saj.