"​Libri i Lirisë”, Bytyçi përmbledh dëshmi, intervista dhe rrëfime nga koha e luftës

Kultura

"​Libri i Lirisë”, Bytyçi përmbledh dëshmi, intervista dhe rrëfime nga koha e luftës

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 14:47
Gazetari Nuhi Bytyçi

Gazetari Nuhi Bytyçi ka promovuar sot librin “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare”, në një aktivitet të mbajtur në Kino Armata, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, personalitete akademike, profesorë, si dhe familjarë të personaliteteve të historisë së Kosovës.

Në promovim morën pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, si dhe profesorë, akademikë e personalitete të tjera.

Në fillim të promovimit u shfaq një dokumentar, i cili përmblodhi përmbajtjen e librit dhe materialet që gazetari Bytyçi ka dokumentuar ndër vite.

Profesori Astrit Salihu, duke folur për librin, tha se ai është një kronikë e përmbledhur e ngjarjeve të mbuluara nga vetë autori përmes raportimeve televizive, dokumentarëve dhe shkrimeve të publikuara.

Salihu: Libri hedh dritë mbi ngjarjet vendimtare të historisë së Kosovës

“Ky libër është një kronikë e përmbledhur e ngjarjeve të mbuluara nga vetë ai në raportime televizive, dokumentare dhe shkrime që ka publikuar. Vëllimi i punës së Bytyçit, edhe pse jo i gjithë i përfshirë në këtë libër, tregon përkushtimin e tij për t’u angazhuar në procese aq të rëndësishme për fatin e Kosovës. 22 emisione televizive, 21 dokumentarë e 10 kronika televizive, 24 reportazhe, 14 shkrime, 15 vështrime dhe 43 intervista janë pjesë e këtij botimi. Kjo kronikë mjaft impresive ka një detaj që mund të hedhë dritë në disa fakte jo të parëndësishme për të kuptuar rrjedhën e ngjarjeve të kësaj dekade”, tha Salihu.

Ndërkaq, profesori Bajram Kosumi theksoi se, pavarësisht se liria është sfondi tematik i librit, struktura e tij përfshin një mozaik të gjerë temash.

Kosumi: Bytyçi përmes librit pasqyron 45 vjet ngjarje historike

“Sado që liria është sfondi tematik i librit, struktura tematike është një mozaik i gjerë. Janë pesë pika poshtë kësaj teme, ndër të cilat sillet libri i Bytyçit: 1. Rezistenca paqësore e partive politike në Kosovën e lodhur, nga viti ’89 e këndej; 2. Rezistenca e armatosur dhe lufta e UÇK-së kundër Beogradit; 3. Ndërtimi i shtetit të Kosovës dhe i institucioneve të saj; 4. Lufta për lirinë e shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë, Vranjë e Kallash; dhe 5. Në fund, delikatesat e paqes dhe mbrojtja e luftës së drejtë të UÇK-së dhe pafajësia e krerëve të UÇK-së ndaj akuzave të Prokurorisë Speciale në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Nga aspekti kohor, këto ngjarje janë ndërthurur në një kohë prej 45 vjetësh. Zgjedhja e këtyre temave është personale e autorit, si e tillë, paraqet fokusimin e tij si gazetar gjatë kësaj periudhe”, tha Kosumi.

Në promovim foli edhe gazetarja nga Tirana, Marina Zela, e cila vlerësoi rëndësinë e librit në dokumentimin e ngjarjeve dhe dëshmive që nuk kanë arritur të regjistrohen përmes fotografive apo incizimeve audio.

Zela: “Libri i Lirisë” dokumenton një epokë të rëndësishme të historisë së Kosovës

“Në këtë libër është pesha e fjalës që dëshmon heroizëm, por njëherësh edhe vlera e rrëfimit të asaj që nuk ka mundur të fotografohet apo regjistrohet audiofilisht. Në fokusin e autorit është veçanërisht një epokë, nga viti 1989 deri në 1999, me stilin e tij që të imponohet bukurisht përmes thjeshtësisë. Autori, Nuhi Bytyçi, ia ka dalë të strukturojë një libër që do të vlerësohet për harmoninë strukturore dhe sidomos atë zhanrore të publicistikës. Kalimi nga artikulli në intervista, nga opinionet në refleksion, nga rrëfimi kronikal tek reportazhet dhe përdorimi i metodologjisë historiografike të referencës ndaj dokumentit, protagonistit dhe dëshmitarit të viktimës, e përcakton këtë libër me vlerat atipike të memorialistikës sonë historiografike”, tha Zela.

Autori i librit, gazetari Nuhi Bytyçi, bëri të ditur se libri është shkruar gjatë luftës për liri, në kohë të vështira dhe vendimtare për Kosovën, duke theksuar se në të pasqyrohet zëri dhe sakrifica e qytetarëve të Kosovës.

Bytyqi: “Libri i Lirisë” është shkruar nga zëri dhe sakrifica e njerëzve të Kosovës

“Libri i Lirisë, të cilin po promovojmë sot, është shkruar pikërisht gjatë luftës sonë për liri, në kohë të vështira, në kohë vendimtare. Nuk është shkruar sot, në rrethanat e Kosovës së lirë dhe të pavarur. As në rrethana komode, ku mund të gjenerohen ide e mendime për liri. Është shkruar në rrethanat e mungesës së lirisë. Këtë libër nuk e kam shkruar vetëm unë. Ky libër është shkruar nga zëri, veta dhe sakrifica e njerëzve të Kosovës, nga mirëmbajtësit e revistës, nga mësuesit dhe profesorët universitarë të epokës së rezistencës, nga studentët e demonstratave studentore. Është shkruar në istikame nga luftëtarët e lirisë, me të cilët isha i pandarë natë e ditë, në borë dhe shi, në furtuna. Është shkruar në malet e Kosovës, nga nënat e baballarët tanë, nga fëmijët e Kosovës, të cilët jetuan pa liri”, tha Bytyçi.

Libri “Libri i Lirisë – Gjurmë në kohë vendimtare” sjell një përmbledhje të materialeve publicistike, raportimeve, intervistave, dokumentarëve dhe kronikave televizive të gazetarit Nuhi Bytyçi, të cilat pasqyrojnë periudha dhe ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat