Shpirti fisnik i një poeti të jashtëzakonshëm

Kultura

Shpirti fisnik i një poeti të jashtëzakonshëm

Nga: Baki Ymeri Më: 5 qershor 2021 Në ora: 23:07
Kopertina e librit

Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin e huaj për shpirtin shqiptar. Përmes veprës së tij, autori konfirmon bindjen e një mendimtari të huaj se arrin përmes profesionalizmit dhe mbahesh përmes karakterit. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së tij është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e tij në gjuhën shqipe. Poezia e Shefki Ollomanit ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, fati i kombit si një shqetësim i rëndë historik, përjetime intime.

Shefki Ollomani përçmon banalitetin, përçmon regjistrat e ulët të ligjërimit, ai çmon aktin poetik si një proces të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti di t’i japë trajta serioze trishtimit, sepse ai dëshmon që trishtimi i tij nuk është vanitoz, nuk është një trill poetik a pozë, por trishtimi që të kaplon nga dhimbja fizike e shpirtërore nga dhimbje reale që shkaktohet në rrethana tragjike: Qindra herë të shembën/ Armiqtë e këtij nënqielli,/ Po aq herë të ndërtuam/ Prapë të shëndrit dielli./ Mbi gërmadhat tua/ Çdo herë më e fortë u ngrite,/ Me më shumë frengji e tyta/ Shekujve flamur u valëvite./ Mijëra herë t’u sulën/ Armiqtë e lirisë,/ Mijëra plumba ballit/ Armikut, tradhëtisë./ Kurrë s’t’u dridhën themelet/ S’t’u nxi fytyra e plisi,/ Kurrë s’të pushoi pushka/ Brez pas brezi e fis pas fisi.

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Poeti në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. Zëri i Atdheut, Bashkimi, Vatra e lirisë, Kulla,Zëri i Kosovës, E shoh lirinë, Zemrat tona djaloshare, Rend o shqiptar, etj., janë disa nga lirika e tij më të frymëzuara. Shefki Ollomani dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: Për miq e shokë/ Mikpritëse, bujare,/ E dashur, e ndershme/ Kjo vatra shqiptare./ Për njerëz të mirë/ Gjithmonë fisnike,/ Për luftëtarët e lirisë/ E hapur, besnike./ Për armiqtë e saj/ Luftëtare kreshnike,/ Për liri t’Atdheut/ Qëndresë heroike. (Vatra jonë)

Poezia është testamenti i jetës, i miqësisë, i dashurisë dhe atdhedashurisë. Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e mësipërme kemi të bëjmë me një botë bujare, me një Kosovë kreshnike, me heronj, me miq e dashamirë. Përshkrimi i mësipërm nuk është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive. Ja një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore! Poeti sjell në tekst fraza tejet konkrete e plastike. Poezia e Shefki Ollomanit nuk mund të klasifikohet si poezi erotike apo pornografike, por si poezi kombëtare dhe historike. Poezia e këtillë shndërrohet në një poezi vlerash të mirëfillta universale dhe njerëzore. Poeti nuk ve në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por një dimension të realitetit të tij, i cili është një sukses i merituar i poetit talentuar të mërgatës sonë poetike.

Një poet i talentuar i Skandinavisë

Vlen ta ripërkujtojmë faktin se paralelisht me Remzia Bashën, Shefki Ollomani është njëri nga poetët më të shquar të Skandinavisë. Poezia e tij është sa intelektuale, po aq edhe përdëllimtare. Dhe, edhe në njërin, edhe në rastin tjetër, deshifrohet në një varg të një besnikërie të padyshimtë në fjalën e vet, e shprehur dhe e kuptueshme nën zodiakun e një ylli magjik të krijimtarisë autentike.

Pa dyshim, poezia është një rrugë komunikimi, një rrugë e majave. Fusha e fjalorit të etshëm për të thënë diçka nëpërmjet ritmit, harmonisë apo përfytyrimit – siç theksonte Paul Valéry – i përshtatet në kontekst komentimit të poezisë së Shefki Ollomanit, krijimtaria e tij duke shkëlqyer me një harmoni të veçantë të jashtme dhe të brendshme, fjalët duke rrjedhur njëra pas tjetrës në një atmosferë elegante me një natyrshmëri precize dhe delikate. Prej këtu, buron ajo gjendje e një fuqie të jashtëzakonshme që e zgjon lekturimi i vargjeve të tij.

Veprat e tij janë të strukturuara me rigorozitet. Krijimtaria poetike e mjeshtrit nuk degdiset as në gërshetimin deskriptiv të përfytyrimeve të poetëve të panumërtqë ishin të obliguar t’i nënshtrohen cenzurës djallëzore politike të dekadave komuniste. Poashtu, nuk degdiset as në intimizmin pa fluturim dhe pa shkëlqim që e përbën, në përgjithësi, pala tjetër e frymëzimit në këtë perimetër gjeografik. Lehtësia nuk e kërcënon kreativitetin e këtij poeti të arrirë tashmë në maturitetin e artit të tij.

Fjalët kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Fjalët e poetit janë flutura të metamorfozuara në mendime, përmes të cilave mendimet e poetit përshkruajnë një profil origjinal lirik Artet dhe letërsia e bukur janë pasqyra të arta të realitetit në të cilin lëviz populli, porsi një tren mbi shinat e mëdha të botës.

Fjalori lirik i Shefki Ollomanit të josh që nga faqet e para të veprave të tij: Në jeni trima, atdhetarë/ Ngrituni në këmbë pleq e të ri/ Gjoks më gjoks me armiq, tradhëtarë/ Ja vdekje, Ja liri! Po qe se e kërkojmë në linjën sa më të afërt të universit, Shefki Ollomani është poeti më i rëndësishëm lirikës patriotike të mërgatës sonë dhe dhe njëri nga më reprezentativët të Suedisë. (Bukuresht, 5 qershor 2021)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat