Hysen Ibrahimi shpallet “Kryetar nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës

Kultura

Hysen Ibrahimi shpallet “Kryetar nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 12:19
Ibrahimi, është shpallur “Kryetar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës

Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi, është shpallur “Kryetar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës, e cila drejtohet nga z. Esat Loshaj . Z. Loshaj e vlerësoi lartë kontributin e Hysen Ibrahimit në fushën e krijimtarisë. Ky çmim u nda në manifestimin letrar e poetik “Peja poetike 2021”, që e organizon Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës.

Këshilli Organizativ i këtij manifestimi, i drejtuar nga Idriz Gashi, ka ndarë edhe disa çmime tjera për poetë e krijues që kanë sjellë krijime të reja në letërsi. Me këtë rast, u bënë edhe promovime të librave “Me zërin tim”, autor Idriz Gashi; “Kronologjia e ngjarjeve qershor-dhjetor 1999, Kosova nën vrojtim të shtypit ditor”, autor Muhamet Lajçi, si dhe numri 11 i librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, që e boton Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Përmbajtjen e librit “Thesar Kombëtar…” e prezantoi shkurtimisht Rrahman Rrahmani, anëtar i kryesisë së shoqatës “Papa Klementi XI Albani”.

Ndërkaq në Orën letrare “Shkelzen Zhubi”, u prezantuan shumë poezi të reja, për të cilat u ndanë edhe çmime. Njëri nga to e mori edhe Ymrije Beqiri, anëtare e shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, e cila prezantoi poezinë “Kosovë”.

Image

Në fund të manifestimit, Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi, ndau Dekoratën “Papa Klementi” për Esat Loshajn, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pejës. Kjo dekoratë ndahet për herë të parë këtë vit, me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”.

SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, ishte e përfaqësuar nga kryetari: Hysen Ibrahimi, nënkryetari Idriz gashi, anëtarët e kryesisë Rrahman Rrahmani dhe Ymrije Beqiri dhe Hyrë Tejeci Murati, anëtare nderi.

Faleminderit Tv Mitrovicës për angazhimin dhe kontributin që jep për shoqatën tonë.

Nga administrata e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat