Pozita dhe fati i gruas në veprat e Nazmi Rrahmanit

Kultura

Pozita dhe fati i gruas në veprat e Nazmi Rrahmanit

Nga: Shefqet DIBRANI Më: 18 shtator 2021 Në ora: 14:01
Kopertina

Tipari si veçori letrare

Lulzana Aliti, ka bërë një studim të veçantë, interesant dhe mjaftë të kompletuar për romanet e Nazmi Rrahmanit. Objekt studimi i tezës së masterit ka qenë “Pozita dhe fati i

gruas në veprat e Nazmi Rrahmanit.” Tema është kundruar nga ky prizëm gjithëpërfshirës, por thelbi i qasjes së saj është koncentruar kryesisht mbi romanin Malësorja, megjithatë ajo ka arritur për ta arsyetuar studimin e saj, veçmas pasi shihet se “pozita dhe fati i gruas” në romanet e tjerë është kundruar përciptas. Natyrisht për të kompletuar studimin, hulumtimet i ka zgjeruar në vepra studimore nga autor të tjerë, të cilët janë marrë, qoftë direkt me romanet e Nazmi Rrahmanit, ose si studime të tjera tematike, për të cilat ajo ka pasur nevojë për ta kompletuar më mirë, më saktë dhe më bindshëm studimin e saj.

Tërësia e tekstit letrar

Siç shkruan autorja, tema është përqendruar tek romanet: Malësorja, Pas vdekjes, Tymi i votrës së fikun 1969, Toka e përgjakur, I-II, 1973, Rruga e shtëpisë sime 1978, etj., por siç thamë në epiqendër të studimit ka mbetur romani Malësorja, qasje me të cilën ka të bëjë edhe studimi ynë, andaj karakteret dhe arketipat e personazheve të këtij romani ne i kemi kundruar nga prizmi i "psikanalizës" por kjo qasje në studimin e kësaj autoreje plotëson edhe diçka më shumë në hulumtimin tonë përkitazi me romanin Malësorja, pa dashur t’ia fragmentarizojmë mënyrën e bërjes së këtij studimi, (që është më i gjerë,) i shtrirë mbi tërë opusin letrar të Nazmi Rrahmanit: “Veprat letrare të tij mund të studiohen si tërësi, apo veç e veç, me qasje të veçanta dhe prej perspektivave të ndryshme” por “për të krijuar një bazë të qëndrueshme mbi këtë temë, (punimi i saj,) ka qasje gjithëpërfshirëse dhe është i konceptuar në linjë me nevojat e identifikuara të temës dhe i ndërtuar për të nxjerrë përfundime të rëndësishme.”

Tashmë dihet se për të shkruar romanin Malësorja, si dhe romanet e tjera, autori zgjodhi të folmen e ambientit kosovar, duke përshkruar ngjarjet sa më thjesht, ashtu siç është e thjeshtë vetë jeta e përditshme, natyrisht me një përkushtim ndaj asaj që e njihte më së miri. Lulzana Aliti, shkrimtarin Nazmi Rrahmani, e kategorizon si njërin nga shkrimtarët e “realizmit klasik” i cili në “në veprat e tij e ka rimëkëmbur gjithashtu edhe dramën tonë artistike duke e reflektuar atë nga nënshtrimi i egër serb” andaj, siç shkruan ajo, “krijimtaria artistike e letrare e tij ka shumë forma, dhe si e tillë arti i fjalës, historisë dhe politikës është i thellë, kompleks dhe me një narrativ të jashtëzakonshëm” dhe për ta forcuar edhe më tej mendimin e saj, theksojmë se romanet kanë qenë një lloj proteste kundër pushtimit serb. Sigurisht kundrimi i ngjarjes nga ky prizëm, ka bërë që ajo të shkruajë se “shikuar nga aspekti i kontekstit kohor kur janë shkruajtur... vërehen qartë qëndrimet e Nazmi Rrahmanit përballë zhvillimeve politike serbe në Kosovë” dhe për ta bartur mendimin kritik në aspektet letrare, që përkon me kornizën studimore të kësaj teme, autorin e cilëson “të veçantë dhe i jashtëzakonshëm” veçanërisht, pasi ky autor “i dha një zë të fuqishëm dhe këndvështrim të ri temës së tij letrare, të cilën e parapëlqeu nga fillimi duke e kultivuar vazhdimisht, sidomos figurën e gruas së fshatrave kosovare” qasje kjo e saktë, pasi është kundruar nga roli i gruas në ato zhvillime, shikuar “nga aspekti social dhe moral.”

Aspekti dramatik i tekstit letrar

Nga një prizëm tjetër, duket se ky studim është parë nga aspekte dramatike nëpër të cilat kalonte shoqëria kosovare e cila përballej me format e kurdisura, që i kishte sajuar “sundimtari djallëzor serb.” Në këtë pikë duket se kulmon mendimi kritik të cilin ajo e kap mirë, ndërsa lëndën studimore e vë në kontekstin historik dhe të rrethanave shoqërore e politike që ishin në atë kohë, si veprime që kanë kundërshtuar heshturazi atë sistem, pastaj lartëson virtytin e intelektualit në ato rrethana, veçmas për qëndrimin e shkrimtarit që duhej të mbante karshi atyre raporteve, karshi dhunës fizike të asaj politike, karshi shpërnguljeve dhe të vobektësisë arsimore e varfërisë së skajshme. Këto janë vetëm disa nga temat që kjo studiuese i ka trajtuar me sukses, parë nga prizmi i studimeve për romanet e Nazmi Rrahmanit, por gjithmonë duke dashur ta fokusojë hulumtimin e saj në raport me pozitën dhe fatin e gruas në ato rrethana, ajo sjell përfundime me interes edhe për rolin e shkrimtarit karshi gruas nëpër veprat e tij.

Tragjikja e Hajries si rezultat i rrethanave

Fatin e Hajries tek romani Malësorja, kjo studiuese nuk e paraqet tërësisht si veprim patriarkal dhe as i cytur nga motive krejtësisht të ulëta, por më shumë e sheh si rezultat i marrëdhënieve politike në të cilën protagonistja e romanit Malësorja, “bie viktimë e pikëpamjeve reaksionare të cilat i ka synuar pushtuesi i egër serb i cili në realitet në faqet e kësaj vepre na del si djallëzori kryesor.” E, nëse nga ky prizëm i shqyrtojmë ato raporte do të bindemi se ajo gjeneratë, ai brez, si tërësi etnike, ishin avangardë e ndryshimeve të suksesshme edhe brenda atyre rrethanave dhe të atij sistemi shoqëror e politik. Si duket “në këto rrethana dhe në këtë ambient të kthyer me kokën poshtë” fati dhe pozita e gruas mund të ketë qenë edhe më e rëndë se sa ajo pozitë që mund ta ketë paraqitur në mënyrë artistike nëpër romanet e tij shkrimtari Nazmi Rrahmani.

Shikuar në fokusin e atyre zhvillimeve sociopolitike disa të dhëna reale na i japin edhe romanet e këtij autori i cili duke u marrë me temën e karakterit social ka realizuar synimin e tij patriotik e intelektual për t’iu kundërvënë sistemit në fuqi, me të cilin nuk ka shprehur kundërshti, por ka pasqyruar realitetin sociokulturor i cili ishte pasqyrë e qeverisjes dhe e sistemit të ndotur ideologjik. Këto romane, siç shprehet edhe vetë autorja e këtij studimi, “mund të lexohen edhe jashtë kontekstit historik ose politik” prandaj edhe studimi i saj trajtohet kryesisht mbi koncepte dhe nocione letrare, parë në kontekstin kohor, në rrethanat sociale e patriarkale kur janë zhvilluar ato ngjarje, përkatësisht kur janë botuar ato vepra letrare.

Romani trajton fatin e një malësoreje tipike e fshatit shqiptar në Kosovë, epitetet tjera që i jepen protagonistes Hajries, janë pjesë artistike e veprës letrare, sikurse edhe tërë rrëfimi që lidhet me një ndodhi të papritur, por që do të jetë ndikues dhe përcaktues i fatit dhe jetës së saj. Rrëfimi bëhet në vetën e tretë, kurse autori ka pozicionin e narratorit që rrëfen ngjarjen duke qëndruar në distancë si objekt rrëfyes. Ngjarjet shpjegohen rrjedhshëm, kuptueshëm dhe pa sforcime të shumta stilistike e figurative, madje shpesh duket se kemi të bëjmë me një ngjarje reale të asaj kohe, prandaj vepra ashtu siç është shkruar “ngërthen në vete një motiv mjaft tërheqës i cili zanafillën e ka nga jeta bashkëkohëse në fshatin shqiptar në Kosovë”, “që zanafillën e saj e ka nga ndodhitë të cilat bashkërisht krijojnë pamjen e vërtetë të një ambienti tipik kosovar ndërmjet dy luftërave botërore.”

Nga ky pasus, ashtu siç e ndeshim pothuajse në të gjithë literaturën e gjertanishme shkollore dhe në kritikat dhe studimet e tjera që kanë të bëjnë me këtë roman, edhe Lulzana Aliti, ngjarjen e romanit Malësorja e vendos në mes dy luftërave botërore.

Personaliteti i gruas dhe emancipimi i shoqërisë

Personaliteti i gruas, trajtohet si “individ që jetonte në harmoni me ndjenjat e saj më të thella” përkatësisht trajtohet pozita dhe fati i saj, qoftë në romanet e Nazmi Rrahmanit apo në studimet e tjera, së këndejmi edhe në këtë studim, trajtohet në mënyrë të drejtë, me respekt dhe në aspektin pozitiv, gjë që dëshmon se qasja e letërsisë ndaj pozitës dhe fatit të gruas, kurdoherë dhe në të gjitha rrethanat ka pasur prirje progresive, emancipuese dhe afirmuese, duke barazuar këtë koncept trajtimi i njëjtë si në shoqëritë e përparuara, në raport me gruan dhe rolin e saj në shoqëri. Gjithmonë epitetet e bukura që i jepen gruas në romanet e Nazmi Rrahmanit, janë në funksion të këtij angazhimi që ka një shoqëri në ndryshim, emancipim të vlerës morale, humane e njerëzore. Së këndejmi këto vlera letrare pasqyrojnë më mirë, më saktë edhe raportin shoqëror në familje, të cilat kudo janë përshkruar me respekt dhe pietet nga Nazmi Rrahmani.

Këto elemente i ka pikasur edhe studiuesja në trajtimin e saj mjaft mbresëlënës, duke potencuar bukuritë, të metat, forcën dhe dobësisë të cilat mund t’i ketë edhe gruaja si qenie njerëzore, prandaj edhe studimi i saj duket të ketë këtë synim, këtë qëllim, një vrojtim profesional që mëton për ngritjen e vetëdijes shoqërore në shërbim të shkencës, letërsisë dhe kulturë shqiptare në përgjithësi.

Janë këto disa arsye të cilat kanë ndikuar në bindjen e kësaj studiueseje se “veprat e këtij romancieri janë mjaft aktuale, për arsye se në këto bëhet fjalë haptas mbi çështjet intime morale, ndjeshmërinë e këtyre, naivitetin dhe çiltërinë, duke e shfaqur një botë të vërtetë ku ata jetojnë dhe operojnë në një kohë të vështirë të sundimit serb.” E ne mendojmë se këtu qëndron esenca e studimit, si lajtmotiv i kërkimit të shkaseve për pozitën dhe fatin e gruas në një shoqëri, e cila si tërësi etnike rrezikohej nga një sundim i ashpër, element ky të cilin kjo studiuese arrin ta kap qoftë si nuancë e atyre romaneve që janë shkruar në ato rrethana, ose si qëndrim intelektual i autorit në kuadër të atij sistemi politik, ku ka gjallëruar, refuzuar dhe paska kundërshtuar me mjaftë sukses. Kjo nuk ka asnjë dyshim, pasi kudo në botë sistemi politik përçakton edhe strukturën intelektuale dhe është ndikues i drejtpërdrejt edhe në sistemin shkollor, kulturor e letrar të një vendi, por më mirë se ky konstatim yni, ka potencuar vetë studiuesja se “kuptimi letrar dhe artistik është lëvizje e përhershme midis gjuhës dhe tekstit dhe rrjetës së nëntekstit, që nuk janë në vepër, po janë thelborë për ta kuptuar atë.” Më duket se ky lloj empirie e këtij studimi letrar është koherencë e saktë, për qasje më ndryshe (të reja) të studimeve letrare në mes të realitetit të atëhershëm dhe fiksionit për atë periudhë, si një “vegim, ku shfaqen ëndrrat e shpirtit të gruas” që paska ecur e gjallëruar në këtë ambient, ashtu siç duket të kenë vepruar edhe shkrimtarët “...në lidhje me krijimet e tyre letrare të cilat kanë për qëllim reflektimin e një rrethi shoqëror komunist me shumë vështirësi, mëdyshje dhe fshehtësi.”

Nga ky prizëm, romanet e Nazmi Rrahmanit, jo vetëm se japin njohuri për pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri, por në të njëjtën kohë pasqyrojnë edhe sfidat e intelektualit në ato rrethana socio-politike, ndërsa “vepra letrare Malësorja përngjan edhe si himn i vyer ndaj Jetës” që duket të jetë përkufizimi më shembëllyes i një studiueseje për një vepër letrare dhe për mesazhin historik që bart ajo.

Faktorët ndikues

Autorja mendon se “kushtet historike” dhe ato socio-politike do të kenë ndikuar në formimin dhe botëkuptimin letrar, ndërsa krahasimet me shkrimtarët në sistemet e tilla totalitare e plotëson edhe më mirë këtë mendim, sidomos kur thekson kohën e formimit të Ismail Kadaresë si shkrimtar, pastaj shpjegimi për nocione të caktuar të cilat nuk reflektojnë dhe nuk pranohen njësoj nga dhënësi-autori dhe marrësi-lexuesi, raport ky sa i ndërsjellë po aq me një interes të theksuar specifik, i cili mund të ndodh të jetë relacion i errët për të dyja palët.

Në këtë plan, po aq i qëndrueshëm më duket të jetë konstatimi se veprën letrare Nazmi Rrahmani, e ka të ndërtuar mbi baza të forta dramatike, si në aspektin e krijimit të fabulës, zhvillimit të ngjarjes, ndërtimit dhe rrjedhës së ngjarjeve të karaktereve të personazheve, gjuhës në këtë vepër dhe veprimeve të tyre, sikurse i qëndrueshëm është vlerësimi që studiuesja i bënë edhe autorit të romaneve duke e cilësuar veprën dhe veprimin e tij me peshë dhe të rëndësishme për shoqërinë, kurse veprës i jep kuptim letrar dhe estetik, prandaj është i dashur dhe i pranuar për shkencën, letërsinë dhe lexuesin e veprave të tij, sepse “Nazmi Rrahmani ka prirje të veçantë për të pikëzuar secilën rrethanë morale në të cilën shkon gruaja shqiptare, duke u mbështetur në emocionet e veta shpirtërore dhe të njerëzishme.”

Në këtë studim autorja, mjaftë saktë i ka përcaktuar faktorët ndikues, rrethanat socio-politike që kanë ndikuar, nivelin arsimor, pastaj traditën dhe zakonet, që kanë lënë vragë për atë prapambetje, sikurse kur potencon se autori është përshkrues i saktë i realitetit ekzistues dhe vlerësues real i pozitës së gruas, ku shëmbëlltyrën e saj, si një botë femërore me ndjenja melankolike, gjithmonë e ka cilësuar drejt, pasi siç kuptojmë edhe nga këto romane, gruaja ka ushtruar ndikimin e saj dhe shpesh ka pasur rolin ndikues në procese dhe përgjithësisht në shoqëri, pra edhe në ato rrethana kur është shkruar a imagjinuar romani Malësorja.

Koncepti progresiv i kundërvihet atij patriarkal

Në qasjen e saj studimore, Lulzana Aliti, ka theksuar se në romanin Malësorja të Nazmi Rrahmanit, janë dhënë dy koncepte, ai patriarkal dhe koncepti progresiv, e ky i fundit ka filluar në momentin kur Hajria ngrit zërin ndaj shtrembërimeve dhe padrejtësive të shumta shoqërore, sidomos kundër atyre që kishin të bënin me rolin e gruas në shoqëri. As gruaja shqiptare, si të tjerat, nëpër shekuj nuk ka mundur ta ketë rolin e merituar në shoqëri, edhe pse pa të, as shoqëria e asaj kohe nuk mund të zhvillohej, por ishin rrethana, ishin adete që kishin kufizuar rolin e gruas në shoqëri. Padrejtësitë tjera mjaftë të shëmtuara, bëheshin sidomos kur rritej dhe do të duhej të përcaktohej për fatin e vet. Pikërisht në ato rrethana fati i saj mbetej në mëshirën e burrave të cilët jo rrallë kanë vepruar në kundërshtim me vlerat morale edhe të asaj kohe, e ky veprim manifestohej më shumë kundër atyre vajzave që nuk kishin prindër, ndërsa fatkeqësi e dyfishtë për to do të ishte vdekja e burrit siç kishte ndodhur rasti me protagonisten e romanit Malësorja, të cilën jashtë vullnetit të saj e ndajnë nga djali i saj për ta martuar dhunshëm me një burrë tjetër të moshuar, ndërsa Hajria, sikur e kishte rolin e një fabrike për të prodhuar fëmijë, përkatësisht djalë, pasi vetëm djali në ato rrethana konsiderohej trashëgimtar i real i pronës dhe pasurisë.

Lulzana Aliti, është e bindur se "letërsia që shkruan Nazmi Rrahmani është e angazhuar në kuptimin e mirë të fjalës, angazhim me sens të humanizmit dhe të marrëdhënieve mes njerëzve" pasi në veprën letrare, në romanet e Nazmi Rrahmanit, është një "shkallë e përngjasimit me realitetin" që do të merr një trajtë subjektive, përkatësisht si qëndrim i individit, i cili nuk rrin indiferent ndaj realitetit socio-politik, por ato ngjarje i kthen në personazhe me të cilat i ndërton karakteret dhe arketipat të cilave iu jep ngjyrim e ngjasim të realitetit jetësor. Kurse përshkrimin e pamjes së gruas, që ia bënë Nazmi Rrahmani, "i përshtatet personalitetit femëror me hijeshinë shpirtërore që ka, sepse kjo është një magji që të magjeps dhe të mbanë peng” është shprehur në studimin e saj akademik, studiuesja e re Lulzana Aliti.

Përfundim

Natyra e këtij studimi, nuk ka toleruar mundësi më të mëdha zgjerimi, sepse detyrimet akademike determinojnë kufizime të tilla, por studimi në fjalë, përveç me aspektet letrare, ndërlidhet edhe me “subjektin e këtij punimi akademik,” ka shkruar ajo. E studimi letrar bazohet mbi të vërtetën që e determinon fakti shkencor, ndërsa krijimi letrar është art, është imagjinatë, një interpretim artistik i së bukures. Derisa interpretimi artistik i jep mundësi shkrimtarit sa më shumë të manipuloj me fjalët e shumta artistike, d.m.th. "në përputhje me nevojat artistike të veprës, (lejohen të) përdoren edhe dialektizmat", shkenca studiuesin e vë përballë rregullave që domosdoshmërisht duhet t’iu përmbahet.

Gjithsesi ky studim, ky hulumtim, dhe kjo qasje është pa dyshim një realizim i suksesshëm, (kuptohet brenda nivelit të studimit akademik), ndërsa autorja duhet të vazhdojë me angazhime të tilla, sepse e përforcon pozitën e saj në fushën e studimeve letrare, po më shumë e përforcon rolin e gruas brenda shoqërisë që aspiron për ndryshim dhe emancipim!...

*Marrë me shkurtime nga libri i autorit “Karakteri dhe Arketipi në romanin Malësorja”, Prishtinë 2021.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat