Disa fjalë për vëllimin poetik “Gjerdan lirie” (Prishtinë, 2021) të poetit Qazim Berisha

Kultura

Disa fjalë për vëllimin poetik “Gjerdan lirie” (Prishtinë, 2021) të poetit Qazim Berisha

Nga: Zymer Mehani Më: 16 tetor 2021 Në ora: 09:43
Ballina e librit

Qazim Berisha është poet bashkëkohor që reflekton me komponentët në poezinë e tij (përgjithësisht) e në poezinë atdhetare dhe sociale (në veçanti) me vargje të lira motivesh e tematikash të ndryshme, të ndodhura te ne, në këto kohëra të pakohë.

Poeti Berisha reflekton me poezi motivesh të ndryshme, vargjet e të cilit përmbajnë mjaft figura letrare, si metafora, krahasime, epitete etj., e të rimuara ndonjëherë, elemente këto që lexuesin e bëjnë të mos ndalet së lexuari.

Autori Qazim Berisha përmbledhjen poetike “Gjerdan lirie” e ka konceptuar në pesë cikle: 1. Gjurmë kohe; 2. Kujtime malli; 3. Marset e përflakura; 4. Jehonë malesh dhe 5. Dekada rrebeshesh.

Duke u bazuar në atdhetarizmin shqiptar të bijave dhe bijve të kombit (sidomos të Kosovës), që paraqet bazamentin e lirisë dhe të shtetndërtimit, me sakrifica e përvuajtëri deri në flijim, autori Berisha në poezitë e veta lajtmotiv do ta ketë atdhedashurinë.

Frymëzimin poeti Berisha e gjen nga vetë jeta jonë e bukur, por me vështirësi dhe andralla, po ashtu edhe nga heroizmi i djemve dhe vashave të Kosovës, që i dolën zot atdheut.

Pandaj këtë përmbledhje poetike ai ia kushton me respekt të veçantë vëllait të tij, Rrahimit, i cili iku nga kjo botë, për të mos u harruar kurrë.

Në poezitë e Qazim Berishës, të dendur e hasim motivin e atdhedashurisë, siç e gjejmë edhe motivin social, si te poezitë për Kovidin- 19, pastaj poezitë me elemente sentimentale nga jeta rinore etj.

Karakteristik në këtë vëllim poetik do të jetë sidomos cikli i dytë (Kujtime malli), që përbëhet me poezi kushtuese për të afërm, personalitete kombëtare dhe nga jeta kulturore e tj. (Poezitë: Lutemi për ty, poet (Sefedin Xhafollit); Na ike, poet /Djalit të xhaxhait, Sefedin Xhafolli/, Seç na preku dhembja në zemër /Vëllait, Rrahimit/, Bashkë me vëlla jeni rreze e lirisë /Heronjve Mervete dhe Enver Maksutaj/, Na ike, o mjeshtër i penës /Poetit Bajram Bashota/; Tre breza heroizëm nëpër mote /Vëlla Selimit dhe Sevdatit/; Shpirti i poetit fluturoi në qiell /Poetit Vasil Tabaku/; A vritet poeti /Havzi Nelës/; Na i kthyen në arkivole /Djemve që u kthyen në arkivole nga armata jugosllave/; Ike shumë shpejt, o kolegu im i mirë /Kolegut, Asllan Llumnica/; I ndrituri Lasgush (lirikut të madh shqiptar); Dhembje për vëllanë (vëllait, Rrahimit); Qyteti i poetit hesht /Djalit të xhaxhait, Sefedin Xhafolli/; Ti ishe frymëzuesi ynë / Bacë Adem Demaçit/; Vizioni yt- dritë lirie /Profesor Hazir Shalës/; Një jetë e kam për atdhe e për këtë fe /Vizionarit, tribunit, Mulla Idriz Gjilani/; Na iku njeriu i besës e i fjalës /Mikut Nexhip Gërvalla/; DY VIGANË /Afrim .Zhitisë e Fahri Fazliut/; Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

Edhe poezitë e motivit social janë interesante, siç janë ato për pandeminë dhe virusin korona 19 (cikli i tretë:  poezitë Rri n’shpi; vdekja e të moshuarve; komandanti me armatë të bardhë e ndonjë tjetër.

Pra, reflektimi i poetit Qazim Berisha me këto motive të trajtuara dhe me stil të veçantë, po u sjell lexuesve edhe këtë vëllim, që s’do mend se do të na lërë mbresa gjatë leximit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat