Jo, jo nuk dua të bëhem kolumnist i pushtetit e partive, po hero i shkrimeve!

Kultura

Jo, jo nuk dua të bëhem kolumnist i pushtetit e partive, po hero i shkrimeve!

Nga: Sulejman Mehazi Më: 21 tetor 2021 Në ora: 19:27
Sulejman Mehazi

O ju mjeshtrit e të shkruarit bukur që prezentoni kulturë e mençuri kombëtare, ju analistë të vlerave shkencore, kulturore e artistike ku jeni, ku keni humbur me shkrimet tuaja, pse heshtni, e se ngreni zërin para kësaj vdekje klinike politike shtetërore? Pse me shkrimet e fuqishme përherë heshtni para zgjedhjeve parlamentare e lokale, a mos ndoshta i keni gojët e mbushura dhe xhepat me para? Sa shumë herë ju na keni dëshpruar me ato shkrimet jo të sinqerta gjatë rreziqeve politike shqiptare!?

Pse para zgjedhjeve parlamentare bëheni sikur s’ekzistoni fare, bëheni sikur çdo gjë është në rregull, sikur s’ka ndodhur asgjë; ju të penës elitare mendoni se ne s’ju diktojmë se sherrin e keni më të  madh, më të fortë e më të mprehur sesa shkrimet tuaja, po si s’ju vjen turp të heshtni para këtyre kriminelëve e orospive politikë, mos vallë edhe ju jeni të njëjtës farë e të njëjtit gjak të prishur, prandaj ndoshta s’reagoni...

Vetëm të poshtëruarit heshtin para të poshtërve, vetëm të ligjtë përkrahin të ligjët. Po tamam, ju jeni artikullshkrues të mëdhenj, se lodhni veten pa para, anonimusat kritikojnë pushtetin sepse janë volluntarëshkrues, si mund të mos i kishit lavdëruar ata kur paguakanë pa kufij. Këta të qeverisë duken si budallenj, po brendësisht e tinëzisht sa të mençur janë, tak para dhe ja fitorja e kolumnistëve partiakë dhe e pushtetarëve qeveritarë; ata aq bukur i shkruajnë kolumnet, sa që përdorin figuracione temsilesh, edhe pse jemi të sigurtë se shumë mirë e dinë se kolumnet e kanë rolin e plumbave të drejtpërdrejtë, të çiltëra, të sinqerta e të hapura për ta kritikuar qeverinë e këtij shteti; këta janë kolumnistë qeverirruajtës, e jo qeverikritikues, shtetndërtuesish e jo shtetshkatrruesish, prandaj çdoherë kolumnet e tyre janë të përlyera e të lyera jo me figuracione direkte politike, po me figuracione temsilesh poetike për të mos dëmtuar veten, familjen dhe ekonominë.

Artikullshkruesit vullnetarë e apartiak pasi s’kanë asnjë të mirë s’u mbetet gjë tjetër vetëm se të shkruajnë vullnetshëm e lirëshëm, ju kanë mbetur vetëm shkrimet e kurrgjë tjetër. Sa mirë do ishte sikur edhe këta kolumnistë të fuqishëm të shkruanin haptazi dhe pa frikë kundër qeverive të korruptuara, fitorja do ishte e sigurtë. Ja që ne që s’jemi kolumnistë të pushtetit jemi të detyruar të reagojmë ashpër kundër kësaj qeverie, pse të frikohemi, le të frikësohen ata të qeverisë që janë të zhytur deri në thellësitë më të mëdhaja morale, shpirtërore, korruptive, skandaloze, seksuale, e jo ne që shkruajmë se s’kemi bërë gjë.

Shkurt e qartë le të frikohen ata që kanë vjedhur, e jo ne që shkruajmë.

Jo, jo nuk duam të bëhemi kolumnistë të pushtetit e partive, po heronj të shkrimeve!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat