Poetët Fatmir Çitaku e Zymer Mehani dhurojnë libra për bibliotekën e Shkollës “Emin Duraku” të fshatit Bajçinë të Besianës

Kultura

Poetët Fatmir Çitaku e Zymer Mehani dhurojnë libra për bibliotekën e Shkollës “Emin Duraku” të fshatit Bajçinë të Besianës

Nga: Zymer Mehani Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 13:23
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot, më 4 nëntor 2021, poetët Fatmir Çitaku dhe Zymer Mehani e vizituan Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Emin Duraku” të fshatit Bajçinë të Besianës, me ç’rast për bibliotekën e shkollës dhuruan 100 e ca ekzemplarë librash, që i pranoi drejtori i kësaj shkolle, z. Bashkim Lepaja.

Poetët Çitaku e Mehani e falënderojnë përzemërsisht drejtorin Bashkim Lepaja dhe stafin e mësimdhënësve për mikpritjen, duke u zotuar se kjo vizitë në këtë shkollë nuk do të jetë e fundit, ngase edhe në të ardhmen për bibliotekën e kësaj shkolle ata do të sjellin edhe ekzemplarë të tjerë librash.

Sipas publicistit Fatmir Çitaku, në Bajçinë hapja e shkollës së parë, u bë në vitin 1945/46, në lagjen e Çitakëve, në odën e Xhemail Çitakut, në Bajçinë. Mësuesi i parë, që filloi punën ishte Vesel Gashi. Më pastaj nga Çitakët mësues ishin edhe Nazif (Ahmet) Çitaku, Bahtiar (Hasan) Çitaku, Jakup (Osman) Çitaku, Halil (Rasim) Çitaku etj. E gjithë kjo iniciativë për hapjen e kësaj shkolle ishte ndërmarrë nga Çitakët. Në lagjen e Gjatovitëve kaloi për një kohë, në Dhomën e Këshillit dhe më pastaj në odën e Xhemail Çitakut, ku aty mësuan nxënësit për disa vite rresht, derisa u ndërtua shkolla e re. Sipas të dhënave nga pleqtë, bëhet e ditur se vendi për ta ndërtuar godinën e shkollës ishte prapë në tokë të Çitakëve. Me hapjen e kësaj shkolle, në fshatin Bajçinë, një paralele e klasës V vendos në shtëpinë e Met Muçollit, derisa u regullua edhe një dhomë mësimi. Me hapjen e shkollës së parë për fshatin dhe rrethinën erdhi një rreze drite, që u ndez në errësirën shekullore të pushtuesve. Ajo ishte një ëndërr e vjetër për fshatin Bajçinë dhe fshatrat përreth. Nga aty filloi dalja në dritë e gjuhës shqipe, për të cilën shumë bij e bija dhanë jetën, në përpjekje për ta shkruar e mësuar, gjithnjë duke pasë parasysh se nëpërmjet arsimit në gjuhën shqipe shoqëria shqiptare do të ngrihet në majat e larta të përparimit dhe të lirisë. Mësuesit e parë që punuan së bashku me Vesel Gashin ishin Nazif Çitaku, Bahtiar Çitaku, Ibrahim Çitaku etj.

Mësuesit, arsimtarët, profesorët, drejtorët, gjyqtarët, mjekët, shkencëtarët, historianët e deri te dekanët e akademikët dolën nga kjo shkollë, e cila edhe sot e mban emrin e heroit të popullit, Emin Duraku.

Në shkollën fillore të Bajçinës kanë vijuar mësimin nxënës që vinin edhe nga fshatrat tjera, si nga fshati Dobërdol, një pjesë e Zakutit, fshati Bradash, fshati Dobratin dhe a Lepaja, një pjesë nga Perani dhe Letanci. Të gjitha këto fshatra kanë udhëtuar dhe e kanë kryer shkollën në Bajçinë.

Sot, në shkollën e Bajçinës mësimet i vijojnë rreth 300 nxënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat