“Vatra” panshqiptare  dhe  gazeta  “Dielli”  nuk do shuhen kurrë

Kultura

“Vatra” panshqiptare  dhe  gazeta  “Dielli”  nuk do shuhen kurrë

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 19:00
Skënder Sadri Kapiti

“Vatra” Gjithshqiptare dhe Gazeta “Dielli janë produkte dhe vepra të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të patriotëve të mëdhenj shqiptar të cilët të gjithë qenien e tyre fizike, mendore e shpirtërore ia kushtuan zgjimit kombëtar, Rilindjes Kombëtare, edukimit patriotik për shtetin gjithëkombëtar shqiptar për të realizuar Shtetin e Bashkuar Kombëtar.

“Vatra” dhe “Dielli” kanë hyrë në Tempullin e Përjetësisë e të Lavdisë  Kombëtare.

Veprimtaria e tyre patriotike sidomos intelektuale është e papërsëritshme për nga rëndësia dhe kontributi kombëtar.

Pavarësia Kombëtare dhe formimi i dy shteteve shqiptare janë si rezultat edhe i kontributeve të jashtëzakonshme të mërgatës shqiptare në SHBA.

Populli dhe kombi shqiptar u  është mirënjohës asaj, por duhet që edhe qeveritë dhe institucionet e dy shteteve shqiptare të tregojnë respekt dhe mirënjohje për mërgatën shqiptare, si dhe të kontribuojnë e të ndihmojnë realisht dhe konkretisht shoqatat si p.sh. dhe sidomos atë “Vatra”.

Dy janë arsyet  të cilat i bëjnë shoqatën “Vatra” dhe Gazetën “Dielli” si më të  veçanta  në Historinë Kombëtare.

Së pari është veprimtaria e tyre me karakter gjithshqiptar për Pavarësi e Bashkim  Kombëtar, për zhvillim dhe konsolidim të shtetit shqiptar jo vetëm në një periudhë kohe të caktuar, por prej mbi 100 vitesh, e që nuk e ka ndërprerë kurrë deri më sot.

Ato nga SHBA-të, nga vendi shembull i lirisë dhe demokracisë lëshonin e rrezatonin dritë, shpresë e besim, ndriçonin rrugën e lirisë e të bashkimit kombëtar, të pavarësisë dhe të drejtësisë në trojet shqiptare, si dhe mbanin bashkuar diasporën shqiptare që të mos asimilohej por të ruanin me fanatizëm origjinën, gjuhën , shkrimin ,traditat , flamurin, zakonet dhe krenarinë shqiptare.

Së dyti “Vatra” dhe “Dielli” ishin një Shqipëri e Bashkuar në SHBA, në Shtetin në të cilin jetojnë komunitete nga të gjitha kombet e botës, pra” Vatra” dhe “Dielli” shqiptar në SHBA iu gjend dhe i shërbeu aq shumë kombit shqiptar gjithmonë dhe sidomos në kohët më të vështira, atëherë  kur ishte në rrezik i gjithë kombi shqiptar, kur kërcënohej ekzistenca e Kombit Shqiptar

“Vatra” dhe “Dielli” nuk do të shuhen kurrë.

 Ato në asnjë çast nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre gjatë gjithë këtyre njëqind viteve që kur ato u formuan.

Ato janë e veprojnë në SHBA me shpirt, me mëndje  e me zemër për Shqipërinë, për Kosovën dhe për të gjithë botën shqiptare në trojet e veta dhe në diasporë; punojnë e veprojnë për interesin gjithëkombëtar shqiptar, për lirinë, për demokracinë, për progresin dhe për integrimin e përparimin e kombit për të realizuar detyrën e detyrave kombëtare, Bashkimin Kombëtar.

Një falënderim e mirënjohje e veçantë meritojnë  të gjithë ata të cilët kontribuojnë dhe i mbështesin financiarisht  Vatrën dhe Diellin  duke kontribuar që ato të vazhdojnë ekzistencën si Vatra kombëtare, si Vatra, si djep e burim ku lindin, zhvillohen, rriten, përhapen dhe ku veprohet  pandërprerë për patriotizmin, kulturën, qytetarinë, lirinë, për demokracia dhe për Shtet-komb-bashkimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat