"Pleqëria atdhetare" në letërsi dhe oda të burrave

Kultura

"Pleqëria atdhetare" në letërsi dhe oda të burrave

Nga: Xhemil Daci Më: 22 janar 2022 Në ora: 13:05
Xhemil Daci

Shkas për të bërë një krahasim shëtitës në histori, është shprehja "Pleqëria atdhetare", që si një gur mozaiku të bukur, e hasa në një nga fragmentet e botuara të shkrimtarit, Ismail Arsllanit. Këtu nuk do bëj fjalë për vlerësimet e shkëlqyeshme që iu bënë romanit të tij "Misionari i Kasabasë", por do rrëfej për ndikimin e fortë që pati shprehja e sipërpërmendur, që hasa në fragmentin e fundit. Duke lexuar për këtë "Pleqëri atdhetare", sharrova në do kujtime, analoge me tekstin e fragmentit, të dëgjuara gjashtë dekada më parë.

Ishte viti 1967. Ansambli muzikor i studentëve shqiptarë të Akademisë së Muzikës "Përpjekja" në Beograd dha koncert edhe në Gjakovë. Isha mysafir i mikut tim, Xhevat Rizvanolli nga Gjakova, po ashtu student. Për dy net sa isha mysafir në atë kullë - shtëpi, mësova gjëra që pak i dija. Sot mburrem me fatin se isha i nderuar të jem mysafir në kullat ku kishin ndodhur luftëra të përgjakshme mes-shqiptare në vitin 1876. Shkaktar i luftimit kishte qenë dallimi dhe mospërputhja e dy koncepteve për të njëjtin ideal, lufta për formimin e shtetit shqiptar, e njohur si Lidhja e Prizrenit. Nikoqiri i atëhershëm i kullave, Abdullah Pashë Dreni, me pleqnarët e tjerë, në mesin e të cilëve edhe babai i B. Currit, Shaqir Curri, në besë, pranoi misionarin e padishahut, Ali Pashë Maxharin. Nga Stambolli, ai sillte porosinë në formë lutjeje: "Lëvizja Shqiptare mos të ndërmarrë gjëra radikale...!"

Sulejman Vokshi, me luftëtarët e tij, i pakënaqur nga kjo porosi, rrethon kullat dhe kris pushka në mes shqiptarëve (shenjat e plumbave ende dukeshin anekënd godinave). Lufta pushon, pasi vritet emisari i sulltanit, A. Pashë Maxhari (varri i tij i rrethuar, ende gjendej aty pranë vendluftimit, në atë lagje të Gjakovës).

Asokohe, në kulla dhe rreth tyre, u vranë njerëz të të njëjtit ideal. Vetëm dallonin në konceptin për sendërtimin e krijimit të shtetit unik shqiptar, përkundër gjithë atij gjaku të derdhur mes-vëllazëror, idealit për shtet dhe liri.

E gjithë kjo ka një analogji me personazhin nga "Pleqëria atdhetare", që del nga fragmenti i fundit i publikuar i I. Arsllanit, personazh ky që ka karakteristika të një hokatari, me cilësi të larta të urtësisë popullore, që zbutë dhe përafron qëndrimet dhe vendimet e marra për çështje madhore, gjithë herë kur pleqnarët nuk merren vesh. Ngjashëm ndodhi edhe në mes S. Vokshit dhe A. Pashë Drenit. Kur emocionet dolën nga arsyeja, të gjithë iu bashkuan idealit, luftës për liri dhe shtet kombëtar.

Dikur, siç ishte rasti i Lidhjes së Prizrenit, niveli arsimor i popullit ishte mjaft i ulët, kurse sot epoletat e të gjitha rangjeve arsimore dhe akademike i kemi me bollëk. Dikur, në mungesë të organizimit qendror, vendimet për mbarëvajtjen e popullit janë sjellë nëpër oda pleqnarësh. Ato vendime nuk janë sjellë në forma obliguese apo me shkrim. Janë thirrur në traditën shekullore, në fjalën e Burrit apo në BESË, që ishte më e vlefshme se jeta. Këto virtyte, sot, mjerisht, rrallë mund të gjenden në organizimin tonë politik e shoqëror.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat