Libri “Kurth, mashtrim apo vetëmashtrim”, i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj

Kultura

Libri “Kurth, mashtrim apo vetëmashtrim”, i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj

Nga: Vilhelme Haxhiraj Më: 27 janar 2022 Në ora: 13:51
Kopertina e librit

Autorja vlonjate, pas disa studimeve të njëpasnjëshme, paraqitet para lexuesit me një vëllim me prozë të shkurtër, me rreth 30 tituj  ku përfshihen shtatëmbëdhjetë  novela, pesë tregime dhe dy triptik. Tematika i përket realitetit aktual, ndodhi të marra nga përditësia e jetës shqiptare.

       Lexuesi aty do të ndesh ato dukuri që shqetësojnë komunitetin,  si falja e gjakut, kur shqiptari vë mbi gjithçka interesin e kombit mbi atë vetjak. Aty do të lexoni plagën e pashërueshme për çdo komb,  emigracionin ose  dhunimin dhe gjenocidin e ndjekur ndaj shqiptarëve, luftën brenda llojit të një race e një gjaku, persekucionin. Aty shprehet ndjenja e nënës për jetën e fëmijëve që sakrifikon simbolet e dashurisë së saj të nëpërkëmbur nga lufta e klasave. Në këtë libër reflektton  dashuria njerëzore, si dhe dashuria e pavdekshme, përballë së cilës qëndron pabesia dhe tradhtia e gruas që i falet kënaqësisë së rastit, gjë që është e pafalshme për një zonjë në dukje, veçanërisht një nënë në moshë të mesme.

I nderuar lexues!     Parathënia e librit “Kurth, mashtrim e vetmashtrim” është punuar nga Prof.Dr. Fatmir Terziu, “Mjeshtër i Madh” një nga Elitat e Kombit, është një nga tre kritikët e shquar bashkëkohor, të përzgjedhur nga Oksfordi. të cilit i shpreh mirënjohjen time!

Nderim dhe mirënjohje

      Për realizimin e botimit të këtij libri me tregime dhe novela, shpreh mirënjohjen time për bashkëpunëtorët e mi të palodhur që kanë dhënë kontributin e tyre të vyer! Nderim për redaktoren Lejla Gorishti, korektoren Blerina Ndreu, Sh.B.“Nacional”, shtypshkronjën “Europrint”, dizenjatorin Jorgo Saqellari, menaxherin e reklamuesin më të mirë të krijimtarisë sime, bashkëshortin tim që nuk resht kurrë, si dhe mediat. Një falënderim të veçantë kam për gazetën “Nacional” dhe “Fjala e Lirë”, Londër!

    Me këtë rast përmes një fotoje të vitit 2002, unë dhe bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj, kujtojmë me nderim të veçantë dy shkrimtarë të shquar vlonjat, birin e bregut të praruar të Himarës autoktone, vunjotasin Prof.Odhise Grillo. Ai ishte mik jo vetëmi fëmijëve, por dhe i të gjithë krijuesëve të rinj, i cili më zgjati dorën në rrugën e letrave shqipe.

    Nderim dhe Mirënjohje për poetin dhe shkrimtarin Fatos Arapi!

     Përshëndes me respekt shokun tim të  shkollës Pedagogjike”Jani Minga”, poetin brilant, studiuesin dhe akademikun Xhevahir Spahiu!

Image
Panairi i librit Vlora-2002 Fitim Haxhiraj, Odhise Grillo, Vilhelme Vrana, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu e një zonjë...

Citate nga libri “Kurth,mashtrim apo vetëmashtrim”

  “...tashmë jam “i lirë . U ktheva  aty ku linda...Po ç' gjeta vallë? U gjenda i huaj në truallin e të parëve të mi. Gjeta një portë të kyçur, pas së cilës qava për herë të parë. Aty belbëzova rrokjen e parë  “ma”, “ba”dhe fjalën e parë “nënë” dhe “babë”. Aty ndjeva dhembjen gazmore, kur u rrëzova, ndërsa hidhja hapin e parë... Aty mësova se si të ringrihem për të mësuar se si duhet ecur në jetë...Dhe pas asaj porte, tashmë të huaj, gjej një pronë të tjetërsuar...Kërkoj një familje të shkatërruar e të gjymtuar prej mohimit. Mundohem të  ritakohem me një rini të humbur...Syri i etur prej mallit, do të kërkojë të dashurën e drobitur prej zhgënjimit...Do mundohem t'i mbledh copëzat e jetës, por ende nuk di se ku dhe cili do të jetë fundi?! Me çka po përballem, më bëjnë të besoj se, drejtësia dhe e vërteta, dy cilësi të virtytit, në këtë botë mizore, nuk i përkasin të virtytshmit, jo.”

      “...Veç bukurisë fizike, ajo po shpalos edhe një tjetër bukuri, atë shpirtërore. Duke e dëgjuar atë si në ëndërr, ndjej fëshfërimën e gjetheve të pyllit, regëtimën e stalaktit në shpellë, ligjërimën e ujëvarës që zbret nga mali, rrapëllimën zhurmëmadhe të dallgës detare që zemërimin e shfreh mbi shkëmb. Gjithsesi bregu dhe vala janë përjetësisht të dashuruar.”

  “ ...Libri është një thesar i pazëvëndësueshëm. Është dija, mendja e njeriut, i cili sjell përvojën e kohës që shkoi. Mes tij flasim me të djeshmen e pakthyeshme. Njeriu është vdekatar,  por nëpërmjet librit do të lerë pas jetën e cila mbart me vete kulturën, zhvillimin dhe përvojën e 21 qytetërimeve.

“Eh, emigrimi, emigrimi është një kafshatë që nuk kapërdihet kollaj, por ngjan si një kockë që ngec në fyt, e cila zvarget deri sa të merrë gjithë frymën. Jeta në dhé të huaj është një betejë e tejzgjatur, së cilës nuk i dihet kurrë fundi. Jo vetëm që nuk e besonim, por asnjëherë s'na shkonte ndërmend se kjo "luftë" bashkë me të gjitha përpjekjet tona, një ditë do të kishin një limit. Në emigrim e pamundura bëhet e mundur, për shkak të arsyes për të cilën ke lënë pas të shkuarën.”

“ Sa shumë laklitarë, sa pengesa e vargonjë nyjesh të pazgjidhshme ke krijuar dhe ke lënë pas në rrugën tënde gjithë labirinte të fshehta, gjithë skuta të padrita, të errëta dhe më të zeza se nata, moj jetë e përlyer dhe e pëgërë? Po në këtë kohëbotë të vështirë nuk ngelet hak pa marrë dhe borxh pa larë. Së paku moralisht, doja ta qetësoja ndërgjegjen time të rënduar.”

“  Eh të jetosh në errësirë apo në dritë, në ngricë apo në vapë, në luks apo mjerim, në liri apo skllavëri, nuk është as e papranueshme, as e pamundur. Veç kur i përjetojmë këto, atëherë mësojmë se kjo është filozofia e jetës, e cila e gjen shprehjen në realitet përmes metaforës dhe sarkazmës. Përmes tyre tregoj thëniet e pathëna, tinguj që nuk dëgjohen nga çdo vesh, këmborë që nuk i lenë tingujt e zileve të dëgjohen nga të gjithë. Edhe pse tingujt e tyre janë më të fortë, por...askush nuk dëgjon se çfarë duhet dëgjuar, as nuk shijon se çfarë duhet shijuar dhe nuk e jeton jetën, ashtu si duhet jetuar.”

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vlorë, 25.1.2022

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat