Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u duhen institucionet kulturore nacionale

Kultura

Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u duhen institucionet kulturore nacionale

Nga: Hejza Art Më: 27 prill 2022 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Rasti i tenorit shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, që ndodhi në prill të vitit 2019, në kuadër të festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”, në Shkup, edhe një herë shpalosi qëndrimet shoviniste të elementeve të caktuara maqedonas, të cilët nuk mund t’i detyrojë askush që ta dua kulturën shqiptare! Projektet kulturore shqiptaro-maqedonase edhe sot e kësaj dite kanë propabilitetin e madh që të dështojnë. Prandaj nuk ka, nuk organizohen, sepse promotorë të dështimeve gjithnjë dalin recidivistët dhe serbo-nostalgjikët! Që nga zhbërja e ish-Jugosllavisë, në sferën e kulturës mund të numërohen qindra projekte të përbashkëta të realizuara në skenat serbo-maqedonase, ndërkohë që është e pamundshme të kujtosh qoftë edhe një projekt serioz të iniciuar nga maqedonasit së bashku me shqiptarët!

Mbase, këto qëndrime duhet të jenë shumë të kuptueshme, siç janë të kuptueshme dhe tepër normale projektet kulturore aq të mirëpritura në mes të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut me shqiptarët e Shqipërisë apo të Kosovës! Në rastin e maqedonasve, përveç lidhshmërisë historike, gjeneaologjike, gjenetike e të natyrshme me serbët, problem është edhe përpjekja maqedonase për ta ushtruar “superioritetin biblik” në raport me shqiptarët. Si të tejkalohet ky problem kulturo-politik shumë serioz në Maqedoninë e Veriut?

Sërish dalim te nevoja imediate që shqiptarët e këtushëm t’i kenë institucionet e veta nacionale në sferën e kulturës! Ashtu siç i kanë të ndara klasat dhe shkollat, ashtu duhet t’i kenë të ndarë edhe institucionet kulturore. Sot, shqiptarët e Maqedonisë nuk janë ata që ishin para viteve nëntëdhjetë të shekullit njëzet, vetëm me një Fakultet Albanologjik ku gjashtëdhjetë për qind e provimeve jepeshin në gjuhën maqedonase, si dhe me një Pedagogjik, gati tërësisht maqedonas! Shqiptarët sot i kanë tri universitete, prej të cilave dy janë shtetërore! Infrastruktura rrugore e mirë dhe moderne ka bërë që shqiptarit të Prishtinës dhe atij të Shkupit t’ia shkurtojë distancën për në Tiranë (apo anasjelltas) më së paku për gjashtë orë! Dikur udhëtohej dhjetë ore, sot udhëtohet për katër orë! Shqiptari i Shkupit shumë shpejt do të arrijë në Prishtinë për 45 minuta (dhe anasjelltas)! Pra, shqiptari i Prishtinës mund të hajë darkën në shtëpi të vet dhe në mbrëmje të jetë në koncertin e Ramë Lahajt në Shkup!

Ramë Lahaj nuk do të vije më asnjëherë të performojë në skenat kulturore të Maqedonisë! Do të jetë anekënd botës, por jo në Maqedoninë e Veriut. Herën e fundit kur erdhi, i ftuar nga Festivali i muzikës serioze shqiptare, ai u sabotua nga orkestraxhinjë maqedonas, nuk deshtën që të bëjnë muzikë aty ku performon një prej vlerave më të mëdha të skenave operistike në botë!

Po, Ramë Lahaj si dhe një duzinë tenorësh, baritonësh e soprano do të vijnë të performojnë me gjithë qejf vetëm nëpër institucionet kombëtare shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Një “çerek” orkestre nacional tashmë është bërë nga Fakulteti i Arteve pranë UT-së. Gjenerata të tëra kanë dalë nga ky Fakultet dhe ata duhet ta kenë çerdhen e vet që i ngroh më së miri. Në çdo koncert ata mund të plotësohen me instrumentistë nga Filarmonia e Kosovës apo nga orkestra e Operës dhe Baletit Shqiptar, ashtu siç plotësohej deri vonë Filarmonia e Maqedonisë me instrumentistë nga Kosova dhe anasjelltas!

Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u duhet edhe një institucion kombëtar – Muzeu apo Galeria e Artit Bashkëkohor! Ky Institucion në Shqipëri u themelua viteve 50 të shekullit njëzet, me vetëm 100 vepra në fondin e pikturës, ndërsa sot numëron një fond prej mbi 4000 vepra arti!

Artistët e artit pamor shqiptar në Maqedoninë e Veriut sot mund të kenë dhjetëfishin e veprave që ndikuan në themelimin e Galerisë së Arteve të Shqipërisë shtatëdhjetë vite më parë! Nëpër studiot e tyre mund të fshihet ndonjë kryevepër, mund të jenë qindra të tilla që duhet të blihen e të ruhen nëpër kushte adekuate që i ofrojnë institucionet muzeale apo galeritë bashkëkohore. Artistët shqiptarë këtu duhet patjetër ta kenë Shtëpinë e Veprave të tyre! Institucionet e këtilla jo vetëm që shprehin përkujdesin shoqëror ndaj veprave kombëtare, por edhe e krijojnë një balancë institucional të kulturave në Maqedoninë e Veriut. Kjo do ta shtojë kërshërinë ndëretnike si dhe bashkëpunimin ndërkulturor në nivel institucional!

Mos të harrojmë, në Maqedoninë e Veriut vepron edhe një nga fotografët ndër më të mirët në rajon e më gjerë, Osman Demiri! Ai shtëpinë e vet e ka të shndërruar në “institucion” studio dhe galeri për ekspozimin e fotografisë. Madje, në shtëpinë e tij organizohen edhe ekspozita ndërkombëtare të fotografisë artistike! A e dinë këtë fakt politik-bërësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe çfarë bëjnë ata për ta ndihmuar këtë artist që e njeh bota e që “nuk e njohim” ne? Fotografitë e tij shpërblehen anekënd botës ku ekspozon ai! Janë vepra unikale në rrafshin e fotografisë! Ku janë ato fotografi? Ku përfundojnë ato? Fotografë, si Osman Demiri, shqiptarët kanë plotë, sepse e kanë traditë të trashëguar nga fotografi, ndër më të mëdhenjtë në historikun botëror të fotografisë, Pjetër Marubi! Cili është sot fondi i fotografisë shqiptare! Një fototekë e përbashkët e artistëve bashkëkohorë shqiptarë që me talentin e tyre po lënë gjurmë në fotografinë botërore, do të ishte një institucion që do ta shtonte seriozitetin kombëtar në raport me artin dhe, përgjithësisht, me artistët e popullit! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat