Disa konsiderata rreth autorit Nijazi Halili dhe punimit të tij, “Sfidat globale në shekullin XXI”

Kultura

Disa konsiderata rreth autorit Nijazi Halili dhe punimit të tij, “Sfidat globale në shekullin XXI”

Nga: Prof. dr. Halit Xhafa Më: 4 maj 2022 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Zotëri Nijazi Halili, është  i lindur në fshatin Tërstenik të Vitisë, më 1964. Studimet themelore i kreu në Degën e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Qendra në Gjakovë. Ka studiuar në Fakultetin Filologjik, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Universitetin e Prishtinës nga viti 1992-1993. Vijoi studimet pas Universitare në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë, gjatë muajit prill-qershor 2009. Studimet e magjistraturës i vazhdoi në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë, drejtimi Shkenca Politike dhe i mbaroi me sukses gjatë periudhës kohore 2008-2010 dhe morri titullin shkencor: Magjistër i Shkencave Politike.Studimet e Doktoratës i filloi më 26.3.2012 në Shkenca Politike në Emuni University, në Slloveni, ka fituar të drejtën PhD kandidat në  Shkenca Politike.

Studimet i ka vazhduar në shkollën e doktoraturës më tej në formimin e tij shkencor në fushën e administrimit të  Biznesit në Apollos University, Kaliforni, SHBA. Në vitin 2012 u angazhua në Institucionet e arsimit të Lartë, në Kolegjin Humanistika në Ferizaj, në vitin 2016-2020 në Kolegjin “Ilira” nëPrishtinë.  Për vitin akademik 2020-2021 ishte lektor në Kolegjin “Universum” në Ferizaj. Aktualisht është anëtari i Këshillit Shkencor “Shkencat ekonomike dhe sociale” në MASHTI, Departamentin e Arsimit të Lartë, Prishtinë, Kosovë. Nga data 01.11.2021 është anëtar në Akademinë e Shkencave të Nju Jorkut, në SHBA.

Në Kolegjin Universitar Iliria, Fakultetin Ekonomik, ishte  lektor në disiplinat   Menaxhimi Strategjik,  Menaxhimi i Burimeve Njerëzore,  Hyrje në Shkencat Politike, Institucionet dhe Politika e BE-së, Integrime  Evropiane. Si hulumtues  Dr. Nijazi Halili ka kontribute shumë planesh me punime, artikuj shkencor botuar në revista me autoritet shkencor kombëtar e ndërkombëtar si dhe një sëre pjesëmarrjesh në konferenca shkencore në Kosovë, rajonale por edhe më gjerë, duke hulumtuar kryesisht në fushën e integrimeve evropiane, të drejtat e njeriut, probleme politike e ekonomike dhe menaxhimin e krizave në Kosovë, e në rajonin e Ballkanit, etj Në krijimtarinë dhe kontributet e tij,  autori dallohet për integritetin shkencor e profesional, argumentin dhe frymën analitike të trajtimit të problemeve,  duke u ballafaquar edhe me pikëpamjet apo idetë e autorëve bashkëkohorë në fushat përkatëse.

Herë pas here zoti Nijazi Halili është edhe protagonist publik me pikëpamjet e tij për problematikat në  fushën gjeopolitike apo çështje sensitive të politikes dhe ekonomisë së Kosovës duke shpalosur pikëpamjet e tij në shtyp apo media televizive.Punimi i fundit i tij për të cilin po shfaq disa konsiderata është  “Sfidat Globale në Shekullin XXI”.Punimi është organizuar në gjashtë krerë me një vëllim prej 258 faqesh.Desha te shpreh që në fillim konsideratën time për problematiken e trajtuar, mënyrën profesionale dhe shkencore të trajtimit, stilin e të shkruarit, ballafaqimin me literaturën dhe praktikat botërore, trajtimin evolutiv e historik të globalizmit dhe format e shfaqjes e shtrirjes së tij duke u përmbyllur me sfidat e sotme dhe të ardhshme.Mjafton të rreshtoj më shkurt titujt e krerëve dhe bindemi për qartësinë, rrjedhshmërinë akademike, kompetencën shkencore, vlerat njohëse, hulumtuese, argumentuese dhe fushat ku shtrihet e po shfaqet vrullshëm trendi i globalizmit në botë.

Autori parashtron shkurt në kreun e parë Historikun e Globalizmit ku shpreh me një gjuhë të kuptueshme e të ilustruar edhe me punime apo citime të autorëve më një zë bashkëkohorë ku do të veçoja Ebu-Lughod, Xhenet (1991), James, Paul (2005), Martell, Luke (2010),të hapave apo indikatorëve të parë të globalizmit, evoluimin e tij, shkaqet dhe platformat mbi të cilat ai është zhvilluar.Autori më tej vazhdon me Globalizimin ekonomik, Globalizimin kulturor, Globalizimin politik, Globalizimin ekologjik e duke e përmbyllur me kreun Epoka e informacionit. Sipas Tim Riley, globalizimi i biznesit përqendrohet rreth zvogëlimit të rregulloreve të tregtisë ndërkombëtare, si dhe tarifave, taksave dhe pengesave të tjera që shtypin tregtinë globale, globalizimi ekonomik është procesi i rritjes së integrimit ekonomik midis vendeve, duke çuar në shfaqjen e një tregu global ose një tregu të vetëm botëror. Autori parashtron aspektet që ndërthuren në globalizmin ekonomik si politika dhe qeveria, aktorët globalë, organizatat qeveritare ndërkombëtare dhe parashtron edhe sfidat qe sjell globalizimi ekonomik si rreziqet për shëndetin, keqtrajtimi, fluturimi i kapitalit, pabarazia, pasiguria e burimeve, përparësitë konkurruese, parajsa fiskale.

Më tej trajtohen ndër të tjera format e stimujve në Investimet e huaja direkte, etj. Globalizmi kulturor, si dukuri bashkëshoqëruese edhe e atij ekonomik parashtrohet me avantazhet e disavantazhet e saj ndër të cilat sillen në punim hibridizimi, homogjenizimi e veçanërisht ai kulturor, intensifikimi i konfliktit, imperializmi gjuhësor.Në globalizmin politik parashtrohen në mënyrë koncize zhvillimet dhe organizimet ndërkombëtare si aktorë apo organizma politikë ndërkombëtarë dhe rritja e rolit e peshës së tyre ku veçohet  BE-ja dhe SHBA-të por edhe organizma të tjera ndërkombëtare si roli i të cilave ka qenë dhe pritet të rritet në skenën dhe klimën politike botërore.

Me interes paraqitet Transnacionalizmi Deficiti demokratik në BE dhe UN mbikombëtare, Multikulturalizimi.Me interes dhe mjaft shqetësues paraqitet ambienti e ngrohja globale dhe problematikat me klimën që paraqesin kërcënime globale si: ndikimi i njeriut në mjedis, mungesa e ujit, ngrohja globale, rreziku global katastrofik, aktiviteti diellor dhe vullkanik, mjetet e jetës, zbutja e ndryshimeve klimatike, energjia e pastër,marrëveshja ndërkombëtare për klimën, duke konkluduar, punimin“Globalizmi dhe sfidat e shekullit XXI” me autor Prof.ass.dr. Nijazi Halili, paraqet një punim me interes teorik, studimor, me vlera përgjithësues edhe për vendimmarrjen globale, ai është vlerë e shtuar në literaturën ekonomike dhe sociale në Kosovë, paraqet një angazhim serioz dhe punë të akumuluar të autorit.

Ai në mënyrë të sintetizuar paraqet aspekte të globalizimit, shkaqet dhe mënyrat e shfaqjes, si dhe sfidat e tij sot dhe në të ardhmen.  Ky punim është shtysë për vetë autorin por edhe për studiues të tjerë që të angazhohen e kontribuojnë  në punime të tjera me këtë objekt apo edhe për problematikat specifike të globalizimit, pasi gjithnjë e më shumë bota po integrohet, po bashkëpunon, bendet po hapen ndaj njëri-tjetrit, angazhimet ndërkombëtare të çdo vendi por edhe të botës mbarë sjellin më shumë implikime por edhe nevojën e rregullimeve ligjore, administrative, ekonomike, politike e si të tilla janë gjithnjë e më shume objekt studimi e zgjidhjesh.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat