Cili është borxhi (i shqiptarëve) ndaj muzeut të alfabetit!?

Kultura

Cili është borxhi (i shqiptarëve) ndaj muzeut të alfabetit!?

Më: 19 maj 2022 Në ora: 11:45
Foto ilustrim

Muzeu i Alfabetit në Manastir assesi të marrë frymë lirshëm. Tash së fundi u bë e ditur se është zhytur në borxhe të shumta dhe në plan te parë kanë dalë përmbaruesit që janë të pamëshirshëm dhe të cilët e kanë të drejtën e Zotit t’i bllokojnë xhiro-llogaritë derisa të pastrohet borxhi.

Natyrisht, kjo nuk do të ndodhte po që se do të kishim një politikë vërtet shqiptare dhe që për asnjë moment nuk do të lejonte që të përçmohen kaq keq simbolet historike shqiptare, siç është Muzeu i Alfabetit në Manastir, e vetmja dëshmi se dikur në këtë qytet pati një lëvizje të rëndësishme, e cila i përcaktoi objektivat kryesore të realizimit të përpjekjeve shekullore drejt krijimit të shtetit shqiptar.

Është vetëm një objekt i vogël me shumë pak të punësuar, funksionimi i të cilit kërkon një shumë simbolike, të cilën do të duhet ta sigurojë Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut. Por, ja që pikërisht me fajin e shqiptarëve, Muzeut të Alfabetit të Manastirit i kanoset dryni.

Ç’është më e keqja, askujt nuk i kujtohet të ngrejë zërin dhe të kërkojë së paku përgjegjësi morale, as faktorëve politik në pushtet dhe në opozitë, as historianëve, as gjuhëtarëve, as shkrimtarëve, as shtetit shqiptar, as shtetit të Kosovës, as akademive shqiptare, as institucioneve të shumta kulturore e historike.

Nëse dikush pret që problemet t’i zgjedhë, në rastin konkret, pala maqedonase, atëherë mashtrohet rëndë, sepse mendësia e saj për këtë Muze, është e pandryshueshme që nga koha e komunizmit.

Mbase, nuk duhet të habitemi nga inferioriteti i shqiptarëve kur bëhet fjalë për vlerat kulturore e historike. Hipokrizia e tyre dëshmohet vetëm në shënimin e zbehtë të ndonjë përvjetor, siç ndodh edhe me rastin e përvjetorit të Alfabetit të Manastirit, kur mblidhen disa grupe (zakonisht politikanë dhe “intelektualë” që ua mbajnë ison politikanëve) dhe bëjnë disa fotografi, të cilat pastaj si “shenjë patriotizmi” i hedhin në profilet e tyre të FB. Dhe kaq.

Muzeu i Alfabetit në Manastir duhet të jetë një institucion i shenjtë, të cilin e kanë për borxh ta vizitojnë vit pasa viti gjeneratat shqiptare nga të gjitha trevat, sepse pikërisht në atë objekt ndodhi kapitulli më i rëndësishëm shpirtëror në historinë e shqiptarëve. Duhet ta vizitojnë të gjithë politikanët shqiptarë, deputetët shqiptarë, ministrat shqiptarë, biznesmenët shqiptarë, profesorët shqiptarë, arsimtarët shqiptarë, sepse pikërisht ky alfabet mundësoi që ta ngremë kullën tonë nga pika zero.

Me asgjë nuk arsyetohet problemi me të cilin ballafaqohet ky Muze i lënë anash... /HEJZA/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat