Vështrim rreth romanit “Sekreti i lagjes së djegur”, i shkrimtares Ylfete Osmanit

Kultura

Vështrim rreth romanit “Sekreti i lagjes së djegur”, i shkrimtares Ylfete Osmanit

Nga: Ma. sc. Fatmir Halimi Më: 5 korrik 2022 Në ora: 23:38
Foto ilustrim

Letërsia duke qenë veprimtari e lirë krijuese e ka edhe bukurinë e vet, pasi që me shkrime letrare mund të merren edhe njerëz të profesioneve të tjera siç janë: ekonomistë, juristë gazetarë, sociolog, teologë e shumë të tjerë.

Ky diversitet në profesione e bënë edhe më atraktive letërsinë e sotme dhe shumë dimenzionale, e që lexuesve sot u ofron mundësi të mëdha për të njohur botën dhe pikëpamjet e ndryshme fetare, filozofike, psikologjie, astrologjike e shumë, e shumë të tjera. Pra është fat që sot shkrimi i romanit dhe i rrëfimeve të ndryshme nuk bëhet vetëm prej njerëzve që studiojnë letërsinë dhe që vetën e quajnë letrarë, shkrimtarë etj. Sot për lehtësinë tonë dhe për lexuesit tanë është fat që me romanin e saj paraqitet një ekonomiste, siç është Ylfete A. Osmani.

Ajo deri më tani ka botuar edhe një vepër letrare me poezi, por romani i saj Sekreti i lagjes së djegur, është një rrëfim që në letërsinë tonë sjell vërtet risi në disa aspekte.

Romani “Sekreti i lagjes së djegur” është i veçantë edhe nga aspekti tematik, pasi që për herë të parë pas luftës në Kosovë trajtohet tema në institucionet tona shtetërore, publike, temë kjo që është e mbushur me plotë prapaskena, intriga, dallavere e korrupsion, po që mbi të gjitha këtu ngadhënjen e mira dhe drejtësia.

E veçanta tjetër është se protagonistja është një femër në perspektivë, është një arkitekte dhe që me punën e saj këmbëngulëse i lufton të këqijat që ndodhin në shoqërinë tonë të pasluftës.

Autorja Osmani përmes rrëfimit në retrospektivë na kthen edhe në kohën e luftës, peripecitë e shumë familjeve dhe jetën e profesorit Ilir, i cili tashmë është i harruar nga institucionet tona. Osmani përmes profesorit Ilir, zbulon edhe sekretin e lagjes së djegur, e bashkë me të edhe djegien e një biblioteke në atë lagje, ku përmes një projekti mëton edhe ta rindërtojë bibliotekën. Përjetimet e luftës, përpjekjet për të rindërtuar jetën dhe për të vendosur gjithçka në një shtytje drejt të ardhmes me perspektivë, janë boshti i këtij rrëfimi interesant e të përshkruar me shumë dinamikë. Personazhi kryesor, Nita është idealizim i një personaliteti të fortë që përtej të përditshmes, famës, prestigjit, materiales është vënë në kërkim të sublimes, shpirtërores, që lufton pa u kursyer duke ndjerë përgjegjësinë personale dhe atë kolektive të rikthimit dhe nderimit të historisë, të vërtetës dhe kujtimeve të kohës së luftës. Romani Sekreti i lagjes së djegur në një mënyrë prek të gjitha shtresat shoqërore dhe jep porosi për tejkalimin e mendësisë së kaluarës, është një tendencë që të kultivohet frymën pozitive e raporteve ndër njerëzore.

Pas këtij vështrimi të shkurtër të diskursit letrar mbi romanin Sekreti i lagjes së djegur të shkrimtares Ylfete A. Osmani vijmë në disa përfundime.

Së pari, romani Sekreti i lagjes së djegur na vjen si perlë në letërsinë tone, i cili të lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjetë në faqet pasuese të tij. Është roman, i cili vazhdimisht ngeh idenë e kërkimit, e në të njëjtën kohë edhe përpjekjen e ruajtjes së identitetit të femrës në shoqëri.

Së dyti, si për nga rrëfimi i tekstit, e po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe realizimi i tij si tekst është roman modern, që me sukses autorja i shfrytëzon disa nga elementet dhe kategoritë stilistike si intertekstualitetin, retrospektiven, paralelizmin tematik e të tjera.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat