Shkrimtari Gani Mehmetaj në Düsseldorf bëri promovimin e romanit “Zogjtë e Qyqes” dhe librin “Rugovën, siç e kam njohur”

Kultura

Shkrimtari Gani Mehmetaj në Düsseldorf bëri promovimin e romanit “Zogjtë e Qyqes” dhe librin “Rugovën, siç e kam njohur”

Nga: Sherif Ramabaja Më: 28 maj 2023 Në ora: 15:39
Gani Mehmetaj

Me ftesën e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar „Azem Shkreli” ishte ftuar në Düsseldorf të Gjermanisë shkrimtari i shquar Gani Mehmetaj, në promovimin e romanit të tij tashmë të njohur „Zogjtë e Qyqes“ dhe librin „ Rugovën, si e kam njohur“.

Pritja ishte e ngrohtë ku shkrimtari shkurtimisht mysafirët e shumtë dhe dashamirët e librit, i njoftoi mbi romanin e tij dhe librin mbi ish presidentin Rugova.

Mbi romanin „Zogjtë e Qyqes” një rezyme të shkurtër e paraqiti krijuesi Dibran Demaku, kurse për librin „ Rugovën, si e kam njohur“ foli Pal Sokoli, ku pastaj edhe shkrimtari Gani Mehmetaj me kënaqësi u inkuadrua në dialog të drejtpërdrejtë  me adhuruesit dhe lexuesit e tij.

Ai shkurtimisht i njoftoi të pranishmit e shumtë mbi narracionin e romanit ku trajton një temë mjaft të dhimbshme, kolonizimin e qëllimshëm të Kosovës nga Serbia.

Ky kolonizim zbatohet në etapa të ndryshme, po shkrimtari në mënyrë letrare, duke iu ikur klisheve politike arrin të na përshkruaj gjendjen emocionale të ardhacakëve si kolonizator të trojeve tona, por edhe gjendjen shpirtërore dhe të pafuqishme të vendaseve, për t’iu kundërvënë këtij kolonizimi.

Po ashtu edhe libri mbi ish presidentin Rugova zgjoi kureshtjen e të pranishmëve dhe pikërisht pyetjet e shumta, zgjuan kërshërinë e autorit të rrëfente mbi librin e tij dhe takimet dhe përjetimet që kishte pasur me ish presidentin Rugova.

Takimin e hijeshuan edhe tingujt e gitarës së Bekim Gashit nga Prizreni dhe melosi i zgjedhur nga viset shqiptare nga interpretuesi dhe krijuesi Driton Gashi.

Në kuadër të manifestimit u mbajt po ashtu edhe ora letrare ku u ndanë edhe shpërblime në poezi dhe prozë.

Po ashtu gjatë këtij takimi u bë edhe promovimi i dy veprave „Sapere Aude“ dhe „Mit dem Doppeladler im Ruhrpott“ të autorit Driton Gashi. Për veprat e Driton Gashit foli po ashtu Pal Sokoli. Në librat e Driton Gashit bëhet fjalë sidomos për mërgatën shqiptare dhe përjetimet e saj në Gjermani.

Takimin e udhëhoqi mjaft bukur zonja Pranvera Gjoka nga Shkodra. Po ashtu vërejtëm që pjesëmarrës kishte nga të gjitha trojet shqiptare: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, por kishte që kishin ardhur enkas edhe nga Zvicra.

Takimet e tilla janë shumë të dobishme për t´u njohur me njëri tjetrin, por edhe për ta ruajtur dhe bartur traditën edhe te të rinjtë tanë të cilët janë të shpërndarë nëpër gjithë Evropën dhe botën.

Ishte kënaqësi që pikërisht si pjesëmarrës kishte edhe të rinj të cilët paraqiteshin edhe me poezi të tyre bashkëkohore, të kombinuara edhe në të dy gjuhët, Gjermane dhe Shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat