Lucë Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin krenohet Malësia

Kultura

Lucë Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin krenohet Malësia

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 22 qershor 2023 Në ora: 12:51
Lucë Gjon Mati Gjonaj

Para disa ditësh në rrjete sociale lexova se Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ka shpallur kushëririn tim, Lucë Gjon Matin “ Dëshmor i atdheut”. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” ( 1980) botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë për fjalën “dëshmor” ka këtë përkufizim: “Ai që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut” Mirëpo, për fat të keq realiteti shqiptar ka prodhuar një tjetër kuptim të fjalës “dëshmor”. Ajo është kthyer në një fjalë që jepet me qira për të mbuluar histori që nuk kanë shpesh lidhje me kuptimin e kësaj fjale. Dëshmi për këtë është edhe kjo certifikatë dhënë personazhit të këtij shkrimi. Pse? Sepse kushëriri ynë Lucë Gjon Mati , për të cilin jemi shumë krenar, nuk është dëshmor, mbase nuk flijoi jetën për lirinë e atdheut siç kam lexuar në disa libra të miqve të mi se ai ka vdekur në luftën e Koplikut. Trieshjanët pohojnë se Lucë Gjon Mati ka marrë pjesë në këtë luftë, sikurse edhe në luftën e Lemajës ( 1907), për ç’gjë ne nuk posedojmë ndonjë dokument zyrtar. Edhe nëse ka luftuar me pushkë në dorë në të dy këto beteja kundër ushtrisë osmane në Luginën e Cemit në Triesh dhe kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës, shtrohet pyetja a thua duhet shpallur dëshmor i atdheut. Sipas kësaj logjike, apo këtij kriteri do të ishte e drejtë që të gjithë trieshjanët e tjerë bashkëluftëtarë të shumtë të tij që kanë marrë pjesë në këto e beteja të tjera të shpallen dëshmorë të atdheut.

Për ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për Lucë Gjon Matin po japim disa të dhëna që i konsiderojmë të rëndësishme. U lind në vitin 1862 në fshatin Rudinë ( Nikmarash) në malin e Trieshit dhe vdiq në moshën 95-vjeçare në vitin 1957. Nuk la trashëgimtar. Hyri në historinë dhe kujtesën shqiptare që në kohën e hershme të rinisë, kur së bashku me bashkëfshatarin dhe shokun e tij trim e fisnik, Mal Vuksanin Gjurashaj paguan çobaneshën trieshjane, Tole Smajlen Cacaj të cilën e kishin grabitur një çetë cubash nga qyteti i Pejës ( Kosovë) , udhëhequr nga Bajram Begu.

Gjon Mati Gjonaj në popull gëzon një autoritet të madh. Atëherë dhe sot. Nga bashkëkohësit e tij dhe të tjerët që e kanë njohur për së afërmi, ai vlerësohet ndër burrat më të ndershëm, më fisnik, më mikpritës dhe më trima e guximtarë të Trieshit dhe të Malësisë të shekullit të kaluar. Ai gëzoi respekt dhe besim të madh edhe tek kapedani i Trieshit , Marash Marku i cili në kohën e Kral Nikollës në shtëpinë e tij kishte edhe burgun. Për këtë arsye princi i Trieshit e angazhoi Gjon Matin si roje të armatosur të tij për afro 20 vite, për çka edhe ai mori pensionin, vlera e të cilit asokohe, siç pohojnë pasardhësit e kapedanit të Trieshit, ishte përafërsisht sa shuma e 30 deleve. Me veprën e , Gjonaj nderoi në radhë të parë familjen, pastaj farefisin, malin e Trieshit dhe Malësinë.

Në një rast feste para Kishës së Trieshit, burra të njohur trieshjanë kishin biseduar njëri me tjetrin se cili trieshjanë është më miri i asaj kohë. Shumica e tyre ishin pajtuar se ky epitet me meritë i takon pikërisht Lucë Gjon Matit. Si i tillë ka gëzuar respekt nga të gjitha grupmoshat. Nga ai , thonë trieshjanët, ke pasur çka të mësosh nga tradita jonë e lavdishme. Ka ditë shumë për traditën, doket dhe zakonet mijëvjeçare shqiptare. Jo vetëm se ka ditë për vlerat shpirtërore të popullit të vet, siç janë: besa, nderi, mikpritja, fisnikëria, bujaria, mirësia, bamirësia etj., por ka qenë ithtar dhe zbatues i tyre i denjë. Në kujtesën kolektive të popullit të vet janë memorizuar shumë vepra të mira njerëzore të këtij njeriu zemërmirë dhe gojëmbël, të cilat mund t’u shërbejnë si shembull brezave të ardhshëm shqiptarë në këtë kohë tranzicioni e globalizmi shoqëror, ku në të shumtën e rasteve mbizotërojnë kundërvlerat, e jo vlerat.

Ky burrë i posaçëm e i rradhë për vlera të mira njerëzore është dalluar, ndër të tjera, edhe për mikpritje. A ishte gjithmonë gati për të pritur mikun. Ishte e pamundur të hyje në shtëpinë e tij e të mos gjeje shumëçka për ta pritur mysafirin, sepse sipas ligjit tradicional, njerëzor e të krishterë: “ Gjithkush e gjithherë, si ditën, ashtu edhe natën, duhej të kishte gati për mikun bukën, kripën e zemrën e mirë, zjarrin në vatër, trungun për të mbështetur kokën e kashtën për shtroje”. Ndjehej i lumtur , kur priste një mik në shtëpi e mund të ndante me të bukën.

Me gjithë respektin që kemi ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe firmëtares së kësaj certifikate mendojmë se ky nuk është vlerësim i qëlluar, sepse me këtë stil dëshmorizimi ndoshta përdhosen dëshmorët e vërtetë, ata që kanë dhënë jetën për lirinë dhe për mbrojtjen e jetës dhe të pasurisë së përbashkët.

këtë sqarim qëllim mirë nuk duam të absolutizojmë, që në kohë moderne dekoratat e mirënjohjet nuk kanë sens për të gjallët, pasi ka çaste heroike dhe sot që meritojnë të çmohen, por jo që të ketë një shpërthim lëvdatash mbarëpopullore. Jemi të mendimit që autoritetet më të larta të Republikës së Shqipërisë mos të jenë kaq bujare si deri më tani, veçmas pas viteve 90’ kur është fjala për dhënien e dekoratave e mirënjohjeve të ndryshme, por të ashpërsojnë kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes.

ky inflacion ( lum) dekoratash e mirënjohjesh nga shteti shqiptar gjatë 30 viteve të fundit, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë ka ndikuar që edhe disa shqiptarë në Mal të Zi, kryesisht malësorë të etur për lavdi vetjake dhe fisi të ngritën në këmbë për të kërkuar sa më shumë tituj nderi në disa raste edhe pa merita me lobime, pazare e forma të tjera. Nëse vazhdohet kështu ec e thuaj pastaj se çdo familje malësore (shqiptare) nuk meriton të ketë nga një hero si Dedë Gjo’ Lulin, ngjashëm me atë vargun e famshëm “ Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat