Mbrëmjen e kaluar, sheshi “Liria” i Durrësit u kthye në një arenë të kulturës dhe traditave popullore, duke pritur edicionin IV të festivalit folklorik ndërkombëtar “DurrësFest”, që mblodhi së bashku ansamble nga disa vende të Ballkanit dhe Evropës.
Ansamblet e ndryshme nga Drenica, Durrësi, Siçilia, Izmiri, Ostrovsko etj. u ngjitën në skenën e ngritur para teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar, për të prezantuar një pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit dhe krahinës së tyre.
Nga vallet energjike shqiptare, te muzika tradicionale italiane dhe polake dhe deri te tingujt orientale të grupeve nga Turqia, spektatorët përjetuan një larmi kulturash dhe vendesh që i bashkon ruajtja e vlerave dhe trashëgimisë, teksa ngrenë urat e miqësisë përmes tyre.
“Jam nga New York dhe më pëlqen të eksploroj kulturat e ndryshme. Më pëlqen ky vend. Shoh shumë familje bashkë. Plazhi, natyra janë fantastike. Edhe ky festival që sjell traditën dhe bashkon vendet përmes valles dhe muzikës tradicionale. Më pëlqyen shumë kostumet popullore të grupit turk dhe muzika e grupit që po performon tani, Kosovës. Shqiptare, apo jo”, u shpreh një turist amerikan.
“Më pëlqen. Muzikë e këndshme. Edhe vallet. Atmosferë e bukur. Jemi nga Lituania”, tha një tjetër turist.
Ky festival dhe të tjerë të këtij lloji janë në vazhdën e aktiviteteve që organizohen përgjatë sezonit turistik për të krijuar atmosferë festive në qytet për pushuesit, si dhe për të promovuar turizmin kulturor dhe forcuar lidhjet midis popujve.