Vlerësim për ekspozitën personale të Faton Aliu që u hap sot në Glerinë e Ambasadës së Kosovës në Paris

Kultura

Vlerësim për ekspozitën personale të Faton Aliu që u hap sot në Glerinë e Ambasadës së Kosovës në Paris

Nga: Ilir Muharremi Më: 13 maj 2025 Në ora: 22:15
Pamje nga ekspozita

Forca e brendshme artistike rrëshqet ngadalë nëpër kanavacë teksa ri sjellë simfoninë e natyrës nën optikën e abstraktes sëthellë, filozofike dhe estetike. Ajo që të godet nga pikturat e artistit Faton Aliut, janë kombinimi i ngjyrave, kontrastet, tonalitete, lëvizjet e penelit që orkestrohen nga nuancat e thella shpirtërore. Arti është shpirt, është ngjyrë, pjalm, simfoni, kompozim estetik, pak objektiv e më shumësubjektiv, vetëm ngjyra e kupton shpirtin nën shoqërinë e dritës e cila i jep identitet. Ndjenja e hollë e skalitur nga tingulli i ngjyrës e krijon imazhin e rrjedhshëm në shpirt sidomos me krijimin e baraspeshës formale dhe kompozicionale.

Imazhi i peizazheve të Aliut nuk qëndron në siluetat e njohura të natyrës, por në një rrjedhë të brendshme ku qielli dhe toka bashkohen në një përqafim të zjarrtë. Çdo shtresë ngjyrash duket si një frymëmarrje e pafundme: e bardha dhe rozë luhaten me nuanca gri, sikur të ishin retë që përplasën kufijtëe emocionit; nga poshtë, hiri e zezë dhe kafe shkrin tokën në një peizazh të papërshtatshëm, por magjepsës.

Ndërkaq, ngjyrat e forta si e kuqe, ose e verdha qiellore shpërthejnë papritmas, si çastet e pafajshme të ndriçimit që trazojnë thellësitë e shpirtit. Furçat e artistit rrëshqasin nëpër kanavacë me një intensitet të ndjeshëm: goditje të gjerë, si valë në oqean, që ngrihen dhe përkulen mbi sipërfaqe, krijojnë relievet e  lehta ku dritat dhe hijet alternohen në një lojë të zjarrtë. Atyre i shtohet impastoja e hollë, që i jep pikturës një zë tredimensional, ku çdo gërvishtje tregon për një histori që zë fill nën sipërfaqe dhe përhapet drejt horizontit të pakufishëm.

Image
Pamje nga ekspozita

Në qetësinë e dukshme të këtyre peizazheve ndodhet një tension i brendshëm: toka, e ngarkuar me hijet e mbrëmjes, kundërshton qiellin e lehtë, dhe bashkimi i tyre krijon një frymë metamorfozë, ku çdo nuancë duket se lëviz drejt diçkaje të panjohur. Ndërkaq, rre të zeza e të kuqe të papritura ndezin sytë, për t’u kujtuar se edhe në errësirë lind shpresa dhe energjia krijimit. Mbi të gjitha, vepra e Aliut flet një gjuhë që dëshmon për një marrëdhënie intime mes artistit dhe natyrës së brendshme: peizazhet nuk janë më vetëm pasqyrimi i botës së jashtme, por portrete të emocioneve dhe gjendjeve shpirtërore. Çdo goditje furçe, çdo tendosje ngjyrash, është një ftesë për të lundruar në hapësira të brendshme, për të humbur veten dhe për t’u rilindur nga brenda në brendësi të një universi emocional pa kufij.

Mbi përfytyrimin e botës së brendshme dhe të jashtme, pikturat e Aliut na ftojnë në një udhëtim filozofik ku çdo shtresë ngjyrash paralajmëron një pyetje themelore: ç ’ështërealiteti dhe ç ’është perceptimi? Në këtë vizion, qielli dhe toka nuk janë më dy entitete të ndara, por dy aspekte të një tërësie që pulson në çdo çast të ekzistencës tonë. “Përtej peizazheve ngjyrore” bëhet kështu një metaforë për përpjekjen e pandërprerë të ndërgjegjes për të kapur ndryshimin e pandalshëm si flladi që fshihet pas çdo nuancë gri, ashtu edhe përjetimet tona ngërthejnë tensionin mes statikës dhe lëvizjes.

Në thelb, pikturat e Aliut nuk janë vetëm peizazhe, por meditime vizuale mbi kohën dhe hapësirën: impastoja dhe goditjet e furçës me të gjitha trazirat dhe qetësitë që krijojnë portretizojnë kohën si një rrjedhë elastike, ku çdo moment është i përkohshëm dhe njëkohësisht i përjetshëm. Aty ku ngjyrat shpërthejnë papritmas ( e kuqe, e verdhë, gri, e bardh, e zezë, blu ) shfaqet një zë metafizikë, një reflektim mbi ato “çaste ndriçimi” të shpirtit, kur e zakonshmja thyhet dhe përfytyrohet në kuptime të reja. Në këtë kuptim, vepra e Aliut është një ftesë për t’u ndalur jo vetëm para një peizazhi, por brenda vetes të dëgjojmë “susurrin e horizonteve” dhe të zbulojmë se çdo ngjyrë dhe çdo goditje brushë është një pulsim i padukshëm i ekzistencës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat