Ishte një buzëmbrëmje e zakonshme në kafenenë “Obelisku”, në cepin e sheshit të qytetit të Lezhës. Si gjithmonë, ishim të zhytur në bisedat tona të zakonshme. Frani na tregonte me pasion tekstin e një kënge të re me motive mirditore, që do të interpretohej nga një këngëtar i ri. Ishte një pasdite që nisi thjesht… por u kthye në një kujtim që do ta mbaj gjatë në mendje.
Në tavolinën tonë, i qetë dhe i përqendruar, rrinte edhe doktor Gjovalin Leka - mjek i njohur, figurë e respektuar për përkushtimin e tij të heshtur dhe të palodhur. Një figurë që mbart me vete qetësinë e një njeriu që është mësuar të përballojë gjithçka, por që rrallë flet për veten. Dëgjonte me vëmendje bisedën tonë, herë pas here buzëqeshte, dhe dukej se ndjente kënaqësi nga bukuria e tekstit që po lexohej.
Papritur, në një cep të lokalit, një burrë ra përtokë pa ndjenja. Trupi i tij u përfshi nga dridhjet, goja iu mbush me gjak. Rreth tij shpërtheu një moment paniku. Njerëzit ngelën të shtangur, të frikësuar. Rreth tij shpërtheu një kaos i vërtetë. Një burrë afër tij veç bërtiste, të hutuar dhe të frikësuar të tjerët klithnin e bënin lëvizje të pa orjentuar. Unë, si shumë të tjerë, u ngrita menjëherë, i tronditur, pa ditur çfarë të bëja.
Por Doktor Gjovalini… ai nuk pati nevojë për asnjë sekondë mendimi.
U ngrit menjëherë. Pa doreza, pa mjete mjekësore, pa zhurmë e pa panik, u përkul mbi trupin e burrit. E ktheu në anë, për të shmangur mbytjen, veproi me saktësi e qetësi të admirueshme. Nuk i dridhej dora. Nuk pyeti nëse dikush po e thërriste, sepse ai nuk pret thirrje - ai vepron.
Qëndroi pranë të sëmurit deri në ardhjen e ndihmës së parë. Kur mbërriti makina, ai nuk u largua. E shoqëroi burrin deri në makin, si të ishte mjeku roje, edhe pse nuk ishte as në punë, as në ndonjë detyrë zyrtare. Sepse për të, detyra nuk ka orar - ajo është pjesë e shpirtit. Ishte i bindur se nuk bëhej fjalë për infarkt, por për një krizë epileptike - dhe kishte të drejtë
U ngritëm dhe morëm rrugën drejt spitalit. Nuk ishim thjesht të prekur - ishim të mallëngjyer nga ajo që pamë. Në derën e spitalit, doktori ndaloi. Na tha se do të hynte edhe një herë për ta parë.
Por ajo që më la pa fjalë ishte momenti kur pacientit iu tha se ai që e kishte ndihmuar ishte një mjek, dhe më saktë, Doktor Gjovalin Leka. Me zë të mekur dhe sy të lagur, burri tha:
“Të jam mirënjohës, doktor!”
Nuk e di çfarë ndjeva në atë moment. Ishte një përzierje emocionesh - frikë, lehtësim, krenari. Krenari që në një qytet si ky, kemi ende njerëz që veprojnë para se të flasin. Që shërojnë me duar, por edhe me zemër.
Kur u ktheva në shtëpi atë natë, nuk më zinte gjumi. Më rrinte para syve ai çast. Sepse nuk është pak të jesh dëshmitar i një mjeku që nuk ka vetëm dije në kokë, por edhe ndjeshmëri në zemër. Një njeri që nuk e ka të shkruar “në orar”, por në shpirt. Një profesionist për të cilin përkushtimi nuk është vetëm pjesë e punës, por është natyra e tij njerëzore.
Gjithmonë e kam njohur Doktor Gjovalinin si mjek të përkushtuar. Por atë ditë, e pashë siç duhet të njihen mjekët: në momentin kur heshtja e tyre flet më shumë se çdo fjalë.