“Kosova ka shumë rrëfime për të treguar”, thuhet në një hulumtim të mbështetur nga Forumi Ballkanik i cili ka prekur kinematografinë e Kosovës, për të parë se sa shfaqet tradita e kultura jonë përmes rrëfimeve në filmat.
Sipas këtij hulumtimi, Kosova nuk ka vetëm një rrëfim për të treguar dhe se nuk është si shihet nga popujt e tjerë.
Profesoresha e gazetarisë në UP, Jeta Abazi Gashi tha se për këtë hulumtim është dashur të përdoren filmat si një platformë për të analizuar rrëfimet e Kosovës dhe kulturën.
Sipas saj Kosova duhet të tregojë më shume se kaq.
Gashi: Kosova duhet të tregojë më shume se kaq
“Jemi dashur të përdorim filmat si një platformë të shkëlqyer për të analizuar rrëfimet e Kosovës, vetëprezentimet dhe kulturën si fuqi dhe kemi pasur synimin që të nxisim diskutime për mënyra të ndryshme të cilat përmes letërsisë, festivale dhe teatrit, kinematografisë edhe neve studiuesve na ndihmon me kuptua pak më mire Kosovën. Ne kemi idenë se Kosova nuk e ka vetëm një rrëfim për të treguar por me shumë se kaq”, tha Gashi.
Ndërsa, Hulumtuesi nga Spanja, Juan Manuel Montoro u shpreh se Kosova nuk është si shihet nga këndvështrimi i të huajve të cilët nuk e mendojnë Kosovën si një hap audiovizual edhe pse sipas tij është vërtetuar që është e mundur pasi që dy vitet e fundit janë krijuar 35 produksione kinematografike.
Montoro:A ka një histori të Kosovës që po tregohet përmes kinemasë?
“Kur flasim për soft power, shumë herë mendojmë për kulturën tonë, ose të thjeshtuar, ose të stereotipizuar. Dhe pjesë e motivimeve të punës që kisha kishte të bënte me përpjekjen për të kuptuar se çfarë është Kosova. A ka një histori të Kosovës që po tregohet përmes kinemasë? Bëhet fjalë për përpjekjen për t’u përballur me ato stereotipe, ato thjeshtime, për të parë se si mund të ndryshohet historia. Ne nisemi nga një premisë, që është: Këto histori mund të ndryshohen, por duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për hartën nga e cila nisemi. Unë besoj se ajo që na mbetet është elementi disruptiv, unë besoj se na mbetet në një farë mënyre aftësia për të thënë: Kemi identifikuar që po, ekziston një lloj historie, një lloj personazhi, një lloj regjistrimi, që ka një mënyrë për të bërë kinema këtu, që të paktën brenda korpusit që kemi analizuar, meriton shumë vëmendje dhe meriton që njerëzit që vijmë nga jashtë t'i kushtojmë vëmendje asaj që po ndodh me panoramën kinematografike të Kosovës”, u shpreh ai.
E drejtori ekzekutiv i The Balkan Forum, Gazmend Berlajolli, shtoi se kjo organizatë joqeveritare mbështeti këtë hulumtim pasi qe aspirojnë të krijojnë nje narrative pozitive për rajonin e ballkanit perëndimorë.
Berlajolli: Përkrahim çdo ide që e forcon qëndrueshmërinë demokratike dhe që promovon vlerat tona të përbashkëta
“Janë dy pika kryesore, është hulumtimi të cilin ne e kemi sponsorizuar sepse na ka provokuar dhe është interesant me shikua si rrugë se a mund të punohet edhe me aktivitete të tjera në ndryshimin e madh shoqërorë qe ne po kërkojmë duke besuar fuqishëm që si arsenal i mirë që duhet të përdoret për ndryshime pozitive. Kjo buron nga misioni ynë që ne aspirojmë të krijojmë një narrativë pozitiv për rajonin e Ballkanit perëndimorë prandaj ne mundohemi të përkrahim çdo ide që e forcon qëndrueshmërinë demokratike dhe që promovon vlerat tona të përbashkëta”, shtoi ai.
Kjo ngjarje trajton fuqinë e narrativave kulturore në vetëpërfaqësim, dhe rolin e industrive kreative në ndërtimin e identitetit të Kosovës brenda dhe jashtë kufijve.