Takimet dhe Çmimet “Teki Dërvishi” – Nismë e re kulturore nga Shtëpia Botuese TENDA

Kultura

Takimet dhe Çmimet “Teki Dërvishi” – Nismë e re kulturore nga Shtëpia Botuese TENDA

Nga: M.L. Më: 18 qershor 2025 Në ora: 15:52
Teki Dërvishi

Shtëpia Botuese TENDA, e themeluar në vitin 1997, ka njoftuar për organizimin e një ngjarjeje të re kulturore me karakter vjetor, të titulluar “Takimet dhe Çmimet Teki Dërvishi”, që synon të promovojë dhe mbështesë kulturën, publicistikën dhe gazetarinë shqiptare.

Ky manifestim do të mbahet çdo vit në datat 25–30 qershor, në nder të veprimtarisë letrare dhe intelektuale të shkrimtarit të njohur Teki Dërvishi, një ndër dramaturgët më të shquar të Kosovës, publicist i spikatur dhe i burgosur politik për angazhimin e tij në çështjen kombëtare. 

Edicioni i parë do të zhvillohet më 25 qershor 2025, duke nisur nga ora 11:00, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.

Njoftimi i plotë:

Shtëpia Botuese TENDA e cila vepron prej vitit 1997 vitin e kaluar ka themeluar Takimet dhe Çmimet pёr kulturë, publicistikë dhe gazetari me emrin e shkrimtarit Teki Dërvishi me qëllim të promovimit dhe mbështetjes së kulturës shqiptare. Për çdo vit do të përzgjidhen tre emra krijues nga kultura dhe për kulturën shqiptare qofshin nga hapësirat shqiptare ose jashtë saj, autorë shqiptarë ose të huaj, që kanë dëshmuar me vite të tëra dije e përkushtim, ndikim e angazhim profesional dhe krijues në këto fusha:

Mendim shqiptar, albanologji dhe publicistikë

Krijimtari letraro-gjuhësore, teatër dhe arte tjera

Gazetari, humanizëm dhe jetëndryshim

Takimet dhe Çmimet “Teki Dërvishi” do të mbahen për çdo vit mes datës 25-30 qershor në përkujtim të kalimit në amshim të prozatorit dhe intelektualit T. Dёrvishi, duke filluar prej kësaj here që takimin e parë do ta mbajmë më 25 qershor 2025, prej orës 11 në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, në Prishtinë.

Kemi përzgjedhur emrin e Teki Dërvishit për këto motivime:

Si njëri nga shkrimtarët, specifikisht si dramaturgun, më të mirë të Kosovës

Si njëri nga personat që ka kontribuar nё zhvillimin e gazetarisë shqiptare

Si njëri ndër publicistët më të mirë tё letrave shqipe

Si njëri ndër intelektualët më të njohur të Kosovës

Si njëri ndër ish-të burgosurit politikë për shkak se promovonte vetëdijen dhe identitetin kombëtar.

Sh. B. Tenda për realizimin e këtij manifestimi kulturor vjetor mund ta bëjë edhe me partnerë të tjerë qё shprehin interes publik dhe investim nё promovimin e kulturёs sonё nacionale tё shkruar dhe asaj shpirtërore.

Femi Cakolli, editor

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat