Profesor Gjon Frani Ivezaj – Sokrati i gjallë i kulturës dhe historisë shqiptare

Kultura

Profesor Gjon Frani Ivezaj – Sokrati i gjallë i kulturës dhe historisë shqiptare

Nga: Prof. Dr. Ramadan dhe Z. Kryeziu Më: 4 korrik 2025 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Në jetën time të gjatë akademike dhe shoqërore, kam pasur fatin dhe privilegjin të njoh shumë njerëz të shquar, por askënd si Profesor Gjon Frani Ivezaj, njeriun e diturisë, urtësisë dhe shpirtit të madh njerëzor.

Gjoni është lindur në Malësi të Madhe, duke trashëguar dhe kultivuar në vete virtytet më të mira të shqiptarëve të Veriut: burrërinë, mençurinë, përkushtimin ndaj kombit dhe dashurinë për dijen.

Ai kreu studimet e larta në Universitetin e Shkupit, një nga universitetet më prestigjioze të ish-Jugosllavisë me mbi 45 mijë studentë. E veçanta e tij ishte se studioi njëkohësisht në dy fakultete: Filozofi Klasike dhe Histori, duke u bërë student model jo vetëm në nivel universitar, por në krejt vendin.

Profesorët, akademikët dhe studentët e quajtën me respekt të madh “Sokrati i gjallë”, sepse ishte i pakrahasueshëm në mendim kritik, në kulturë të gjerë, në filozofi dhe në oratori. Kur ai fliste, salla heshtte. Kur diskutonte, të gjithë dëgjonin me vëmendje. Ishte autoritet i padiskutueshëm, por edhe njeri i përulur dhe zemërgjerë. Shokët dhe studentët e tjerë e rrethonin dhe kërkonin këshillat e tij si prej një dijetari të rrallë.

Profesor Gjon Frani Ivezaj shquhej për humanizëm dhe dashuri për njerëzit, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte këdo. Ishte i thjeshtë dhe i afërt, një mik i besueshëm dhe një njeri i dashur për të gjithë.

Përveç dijes së thellë akademike, ai ishte edhe sportist i talentuar. Ka luajtur futboll në ligat e atëhershme të ish-Jugosllavisë për Buduqnostin e Pejës në Kosovë, për Mali Zhganin e Vushtrrisë, dhe për ekipin e të rinjve të Vardarit në Maqedoni, duke treguar pasion, disiplinë dhe talent të vërtetë sportiv.

Profesor Gjoni ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore, në të gjitha universitetet e republikave të ish-Jugosllavisë – në Shkup, Beograd, Zagreb, Dubrovnik, Prishtinë, Gostivar – por edhe në Shqipëri në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Prizren, Klinë të Kosovës, dhe deri në New York të SHBA-së, ku ka qenë gjithmonë zë i fuqishëm i kulturës dhe identitetit shqiptar.

Ai ka udhëtuar dhe hulumtuar në 23 qytete të Evropës, duke vizituar arkiva dhe biblioteka nga Vjena, Londra, Parisi, Roma, Napoli, Madridi, Venecia, Lisbona, Bukureshti, Sofja, Athina dhe shumë të tjera, me përkushtim për të mbledhur dokumente dhe dëshmi për historinë dhe kulturën e vërtetë shqiptare.

Profesor Gjon Frani Ivezaj është autor i mbi 10 librave, që ruhen në arkiva të Evropës dhe në SHBA. Librat e tij janë promovuar në mbarë trojet shqiptare dhe jashtë tyre, dhe disa prej tyre janë përfshirë edhe në UNESCO, si kontribut i çmuar për trashëgiminë kulturore shqiptare, përfshirë edhe studimet mbi xhubletën.

Ai ka krijuar dhe ruan një bibliotekë personale prej mbi 8450 librash, një pasuri e rrallë që pasqyron përkushtimin e tij për dije dhe kulturë.

Një kujtim i paharruar: Takimi ynë në Gostivar

Unë, Prof. Dr. Ramadan Z. Kryeziu nga Podujeva, pata fatin e rrallë që pas 45 vitesh ta takoj sërish shokun tim të ngushtë dhe bashkëstudentin e paharruar Gjon Frani Ivezaj, më 18 qershor 2025, në një simpozium të madh në Gostivar.

Ishte një mbledhje e jashtëzakonshme akademike, ku morën pjesë 62 studiues të shkencës historike – doktorë shkencash, akademikë dhe historianë të shquar të universiteteve të Maqedonisë dhe të mbarë trojeve shqiptare. Salla ishte e mbushur përplot me studiues dhe dashamirë të historisë.

Në atë simpozium, Profesor Gjoni mbajti një ligjëratë prej 20 faqesh të shkruara, me titull mbi kulturën dhe ardhjen e popullit iliro-pellazg, duke paraqitur me pasion dhe kompetencë historinë e paraardhësve tanë 2500 vite para Krishtit. Ai foli me një oratori të rrallë, me energji të jashtëzakonshme dhe me argumente të mbështetura në burime historike dhe arkiva botërore.

Ligjërata e tij ishte aq mbresëlënëse, sa e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe shpërtheu në duartrokitje të gjata që nuk ndaleshin, për minuta të tëra. Akademikët dhe historianët e pranishëm brohoritën: “Homeri i trojeve shqiptare!”.

Ishte një moment unik dhe i paharrueshëm – një dëshmi e gjallë se ky njeri është një thesar kombëtar, një Homeri i historisë shqiptare. Unë vetë, edhe pse nuk e njoha fillimisht pas kaq vitesh, e dallova menjëherë në oratorinë, thellësinë dhe shpirtin e tij të madh, të cilat nuk harrohen kurrë.

Një trashëgimi e përjetshme

Profesor Gjon Frani Ivezaj është shkrimtar, historian, filozof, poet dhe publicist, një personalitet që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë kombit shqiptar. Ai është një idealist i shquar kombëtar, i përkushtuar për të mbrojtur dhe përhapur historinë, kulturën dhe vlerat tona më të çmuara.

Ai është dhe do të mbetet një vlerë e jashtëzakonshme e popullit të Veriut të Malësisë dhe gjithë kombit shqiptar, një Sokrat i gjallë, një dritë e dijes dhe kulturës sonë.

Për mua personalisht, është nder i madh dhe bekim i Zotit që e kam pasur shok të ngushtë dhe bashkëstudent, dhe që pata fatin ta takoj sërish pas dekadash në një ngjarje kaq madhështore. Ky shkrim është homazh dhe respekt i përjetshëm për të dhe një thirrje për të gjithë që ta njohin, ta vlerësojnë dhe ta nderojnë këtë figurë të rrallë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat