Salla e Kuvendit Komunal në Pejë, ditën e shtunë, më 19 korrik 2025, ishte e stërmbushur me dashamirë të artit dhe të fjalës së shkruar. Kështu, nën përkujdesjen e LSHK-së dhe të kryetarit të saj, prof. dr. Shyqeri Galica, si dhe të familjarëve të Sejdi Berishës, u kujtua me shumë mall dhe emocione Bardi i Pejës, tashmë i amëshuar – Sejdi Berisha.
Kujtesa librore për një njeri të librit
Në ditën e përurimit të librit kushtuar Sejdi Berishës, edhe pa këtë vepër që po ju paraqesim sot, kujtesa për të do të jetë gjithmonë e ndezur. Librat e tij janë piskama shekujsh. Studentët dhe miqtë do ta kenë në breza në çdo tryezë. Lulet që do të vëmë te varri i tij, kurrë nuk do të vyshken. Mbase edhe ky libër është një homazh kujtese për atë bard të Kosovës.
Nuk kemi nevojë në Kosovë vetëm për dëshmorët e luftës, por edhe për ata që i shërbyen shkronjës. Me bashkëudhëtarët e ngushtë të lapsit dhe pendës, me miqtë e mikut tonë të përbashkët, po kujtojmë dhe nderojmë punën kulmuese të mikut tonë të shquar dhe vlerat e tij madhore, sa pesha e qiellit dhe e tokës nuk maten me asnjë kandar.
Mua më lindi ideja e guximshme – pas më shumë se 25 vitesh takimesh të ngrohta miqësore – që të gdhend kujtesën për të. Është shërbimi më i vogël për gazetarin, shkrimtarin, poetin dhe mendjendriturin e madh – Sejdi Berishën.
Gjithë jetën shprehu përmes vargut dashurinë për familjen dhe individin. Iku në heshtje, duke lënë një psherëtimë dhe duke ngritur një përmendore madhështore me një fantazi të harlisur, me një lirizëm plot lëng e njomështi – ashtu si Lasgush Poradeci dikur.
Me tërë fuqinë e fjalës mund të theksoj se Sejdi Berisha kishte ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore të Pejës dhe më gjerë. Kisha për ta marrë në analizë poezinë “Elegjia e shekujve”, në të cilën vërehet shembulli i qartë i fuqisë së tij krijuese dhe i angazhimit të thellë ndaj padrejtësive historike, dhimbjes dhe luftës për liri.
Pikëtakimet tona te Blini i Poetit – vend ku flitej për hallet e mëmëdheut dhe për zhvillimet kulturore, me aromën e kafesë dhe gurgullimat e rrjedhës së lumit – janë një kujtim shumë i bukur, një peizazh shpirtëror që përmes fjalës shpërfaq lidhjen e ngushtë mes miqve dhe dashurinë për artin.
Nën hijen e Blinit flisnim, dertonim për hallet e mëmëdheut, për libra të rinj. Ai tregonte se bisedat mes poetëve dhe shkrimtarëve janë gjithnjë një mundësi për të komunikuar dhe për të përcjellë pasionin dhe brengat e popullit. Ky Bli ishte si një vend i shenjtë pelegrinazhi për ata që kanë kontribuar në letërsi dhe kulturë – dhe në këtë rast, për Sejdi Berishën, simbol i pasionit të tij të pandërprerë për artin.
Pa harruar intervistën time të publikuar me Sejdiun, si dhe një shkrim për librin “Njeriu ‘a Vendlindje’”.
Sejdiu ishte një gur xhevahiri. Ishte lumë i qetë si Buna që nuk shter kurrë. Dhimbjen dinte ta kthente në frymëzim, e plagët në mençuri kohe.
“Athua, a është madhështi dhe njerëzore që, pas këndimit, njeriu t’i kërkojë falje vetvetes?!” – S. Berisha
Opusi i tij letrar mbi dyzetvjeçar dhe botimi i 44 librave janë një trashëgimi madhore që ia la kombit.
Poeti i shquar dardan, Bardi i poezisë moderne shqipe, gjithmonë për lexuesin shqiptar sillte diçka të re – si në poezi, prozë, monografi, romane, ese, këndvështrime letrare, drama, poema. Shpesh pohonte:
“Rrugëtimin tim e shtrova në libër për ta mposhtur dëshpërimin dhe për ta madhështuar lumturinë, krenarinë dhe fatin e njeriut.”
Latinët thonë se për ata që nuk jetojnë më, duhet thënë vetëm e vërteta.
Proza dhe poezia e tij kishin plot metafora e tema të veçanta dhe shumë interesante, duke përhapur universin e bukurisë në vargje.
Nga një jetë plot sfida, në vargjet e tij hetohet një rënkim i heshtur që pikon nga palca e shpirtit si loti nga syri – diçka e veçantë.
I brumosur herët me valët e pamëshirshme të jetës dhe me një dashuri vuajtjesh prindërore, i ishte vjedhur pafajësia fëmijërore nga situatat skandaloze. Më vonë, këto u bënë tema oqeanike që e preokupuan autorin deri në frymën e fundit të jetës.
Dashuria prindërore dhe fati i atdheut ishin fanari i jetës së tij. Ai ishte një fisnik i rrallë, një hulumtues i talentuar dhe latues i vargut, shumë i dashur dhe i respektuar për çdo kënd. I rreshkur nëpër valët e jetës, plot sfida, por kurrë i mërzitur – e donte jetën dhe u gëzohej rezultateve të miqve, botimeve të reja; i qeshte fytyra kur i dhuronim ndonjë libër.
“Unë i gëzohem botimit të librit të një miku, sikur ta kisha botuar vetë.”
— Sejdi Berisha
Sejdiu ishte një personalitet i spikatur me vlera autentike të letërsisë bashkëkohore. Në rrugëtimin e tij krijues ka vlera të veçanta me një stil dhe figuracione letrare që e karakterizojnë simbolikën e pasur të autorit dhe botën e tij shumëdimensionale. Ai ka një filozofi emocionuese universale që rrallë e gjen te ndonjë krijues tjetër.
Librin që po e përurojmë sot, “Një jetë bardi”, e hartova me mikun tim Agim Desku. Idesë sonë iu bashkëngjitën miqtë e sinqertë të Sejdiut – mbi njëzet krijues nga Kosova, Shqipëria, Ilirida dhe trevat e tjera shqipfolëse, si dhe nga mërgata: nga Bostoni, Amerika dhe Anglia.
Po sjellim në këtë libër kujtimet më të bukura, të shoqëruara me foto nga takimet jetësore me poetin, përshtypje të shkruara në prozë e poezi kushtuar vetë Sejdi Berishës.
Besoj se për lexuesin e mirëfilltë, këto do të jenë sa emocionuese, aq edhe nxitëse për të kërkuar librat që ai i la si testament kombëtar për artin dhe letërsinë. Ai herët e fitoi pavdekësinë.
Atë ditë nëntori kur ju vizitova në shtëpi, u ndamë pa lamtumirë, me shpresë se do të takohemi shpejt.
Ti na le, Mik. Nuk guxoj as sot, as kurrë të të them “Lamtumirë!”
Sa herë që e kujtoj Blinin, të shoh aty – ulur me ndonjë libër të ri në dorë.
Le të jetojmë së bashku rizgjimin e tij në një libër.
U kujtoftë në jetë të jetëve.