“Qyteti i beqarëve”/ Parisi i viteve ’20 zbulohet përmes inteligjencës artificiale! Çfarë fshihte në atë kohë kryeqyteti francez

Kultura

“Qyteti i beqarëve”/ Parisi i viteve ’20 zbulohet përmes inteligjencës artificiale! Çfarë fshihte në atë kohë kryeqyteti francez

Më: 25 korrik 2025 Në ora: 13:21
Foto ilustrim

Një ekspozitë e re në Musée Carnavalet sjell në dritë jetën e Parisit në vitet 1926–1936, duke përdorur për herë të parë inteligjencën artificiale për të digjitalizuar dhe analizuar rreth 8 milionë të dhëna nga regjistrat e popullsisë të asaj kohe, raporton The Guardian.

Projekti, i zhvilluar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Kërkime Shkencore të Francës (CNRS), ofron një portret të jashtëzakonshëm të qytetit gjatë “les années folles” (viteve të çmendura), dekada e artë e pas Luftës së Parë Botërore, kur Parisi u bë strehë për artistë, intelektualë dhe emigrantë nga mbarë bota.

Një nga banorët më të famshëm të Parisit në vitin 1926 ishte James Joyce, i cili po punonte mbi “Finnegans Wake” ndërsa jetonte me familjen në një apartament. Fqinjët e tij përfshinin familje nga Siria, Rusia, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara një mozaik kulturor që përfaqësonte shpirtin e kohës.

Regjistrat e digjitalizuar tregojnë se Parisi ishte i populluar kryesisht nga të rinj beqarë dhe se kishte shumë pak fëmijë në qytet. Zbulimi i të dhënave ka nxjerrë në pah edhe personalitete si Josephine Baker, Édith Piaf, Charles Aznavour dhe Kiki de Montparnasse, por fokusi i ekspozitës është tek jeta e zakonshme e parisienëve.

Ekspozita përfshin gjithashtu dokumente, fotografi të papublikuara më parë, regjistrime zanore dhe kronika të kohës. Vizitorët do të kenë mundësinë të kërkojnë në bazën e të dhënave për të afërmit e tyre ose për të zbuluar kush ka jetuar në ndërtesat ku banojnë sot, një udhëtim emocional drejt një Parisi të harruar.

Ekspozita “Njerëzit e Parisit 1926–1936” hapet në tetor 2025, dhe pritet të tërheqë interes të gjerë për qasjen novatore që kombinon historinë me teknologjinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat