Mbrëmë, në një nga mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, në kuadrër të "Diplomcisë kulturore", u promovua libri monografik “Doktori që i dha jetë lirisë,” shkruar nga Besnik Hoti, djali i dëshmorit.
Libri i kushtohet jetës dhe veprës së Dr. Fahredin Hotit, duke përshkruar kontributin e tij si mjek dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.
Ceremonia u organizua nga Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, në kujdesin personal të Ambasador Blerim Reka, , dhe mblodhi përfaqësues të komunitetit shqiptar, aktivistë, biznesman, artistë, shkrimtar dhe gazetar.
Dr. Fahredin Hoti u vlerësua si një shembull i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe përkushtimit profesional, ndërsa autori Besnik Hoti falënderoi të gjithë të pranishmit për nderimin e bërë ndaj babait të tij dhe dëshmorëve të kombit.
Promovimin e hapi Ambasadori Blerim Reka, i cili, duke folur për familjen atdhetare Hoti nga Krusha e Madhe, prej nga vinte edhe i madhi Ukshin Hoti, u ndal në veçanti te humanizmi dhe sakrifica e Dr. Fahredin Hotit, gjinekologut që i dha jetë lirisë.
Pas shfaqjes së dokumentarit për jetën dhe veprën e Dr. Fahredin Hotit, për librin foli autori dhe njëkohësisht djali i tij, Besnik Hoti, i cili shkoqiti shumë detaje të panjohura që lidhen me veprimtarinë atdhetare të Dr. Hotit, në shtëpinë-spital të të cilit, gjatë luftës, kishin lindur 800 fëmijë.
Autori evokoi edhe shumë kujtime, por prezantoi edhe gjësende të ruajtura të kësaj familjeje patriotike, e cila humbi gjatë luftës tre anëtarë: Shemsedinin, Fahredinin dhe Kreshnikun, të vrarë nga pushtuesi serb.
Në përfundim, autori Hoti tha se ky është libri i parë dhe se do të vazhdojë me botimin e vëllimeve tjera për dëshmorin Dr. Fahredin Hoti.
Të pranishmit dhe autorin, me një fjalë rasti, i përshëndeti edhe bashkatdhetari ynë nga Bronksi, Diamant Hysenaj, kandidat për kongresist në Kongresin e SHBA-së në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.