Sapo e përfundova librin "Verbrechen" të Ferdinand von Schirach, dhe dua të ndaj me ju pse ky libër, dhe sidomos tregimi i tij i parë, “Fähner”, meriton patjetër të lexohet. Kjo novelë e shkurtër, por jashtëzakonisht e fuqishme, më la një tronditje që nuk më është larguar ende. Schirach arrin të tregojë një histori të thjeshtë në sipërfaqe, por të mbushur me dramë të brendshme, me një mënyrë të ftohtë dhe klinike që e bën edhe më të dhimbshme.
Novela “Fähner”, që hap përmbledhjen "Verbrecher" të Ferdinand von Schirach, është një tregim i heshtur dhe i dhimbshëm për shkatërrimin e njeriut përmes dhunës psikologjike që ndodhë në një martesë të keqe.
Autori na futë në jetën e një burri të qetë dhe të sjellshëm, i cili jeton prej vitesh në një martesë të zorshme dhe të ngrirë, ku gruaja e tij e nënçmon në çdo hap burrin. Këtu nuk ka britma, nuk ka përplasje dramatike, por kemi një zinxhir të pandërprerë kritikash, vërejtjesh e "korigjimesh" të vogla që me kohën i marrin frymën burrit.
Ngjarja zbërthehet me një qetësi të ftohtë, thuajse klinike, duke na treguar se si njeriu mund të thyhet jo nga një akt i vetëm dhune, por nga një rrjedhë e gjatë poshtërimesh të vogla me fjalë e me kritika të përditshme.