Fillimi
Vëllimi me tregime “Virgjëresha në shi”, nga Ramë Oraca është esencë e vlerës universale, ku rrëfimi tradicional është i ndërthurur me mjeshtëri letrare, autori i ka dhuruar lexuesit një vepër artistike. Ai përmes kujtesës personale, me mjaftë sukses ka pasqyruar historinë kolektive. Ramë Oraca e vendos dialogun si formë e veçantë e leximit. Ky lloj prologu funksionon si një hyrje në përmbajtjen e tregimeve. Reflektimi mbi artin e të shkruarit është përpjekje për të ruajtur kujtimin dhe identitetin. Qysh në fillim të përmbledhjes “Virgjëresha në shi”, autori përmes narratives së kujtesës paraqet përjetimet e përditshme, historinë e shoqërisë, dhe me personazhet lokal, e sfidon humbjen dhe kohën. Libri “Virgjëresha në shi”, është një titull unik, jo vetëm tek ne, por kudo në letërsinë botërore. I vetëdijshëm se ka përplot tregime të tilla që merren me “Virgjëresha”, njëkohësisht ka edhe libra të tjerë që paraqesin shiun dhe sirenat, kurse si titull libri, “Virgjëresha në shi” është mjaftë specifik kudo në letërsi. Kjo prirje e autorit për të thënë të veçantën, ka pikasur amanetin e lënë peng në fund të këtyre tregimeve:
TESTAMENTI I AUTORIT
Në varrimin e autorit të këtyre tregimeve
do të marrin pjesë vetëm katër veta.
Dy do ta ulin arkivolin në varr.
I treti do të udhëzojë qetë:
“Majtas... djathtas... lëshojeni.”
I katërti jam unë - brenda arkivolit.
Menjëherë pas varrimit do të bjerë shi.
Deri në ditën e gjykimit.
Një skenë krejt e heshtur e aktit të fundit.
Pa perde.
Faqe 169.
Ky univers i pasur dhe i shumëllojshëm, e bënë rrëfimin tërheqës sepse është ndërthurur vlera letrare si reflektim i vlerës artistike. Kjo ka ardhur si një përvojë e gjatë dhe e thellë, ndërsa vlera estetike mjaftueshëm e neutralizon emocionin personal. Ky stil i tregimit është intertekstualiteti dhe vetëreflektimi mbi shkrimin. Në hapësirën e tregimeve ndeshim një përplasje mes origjinalitetit dhe jehonës letrare. Autori e pranon ndikimin e shkrimtarëve të mëparshëm, dhe beson se letërsia lind në një fushë betejash që nuk kopjon të shkuarën, vetëm se atë e reformon nga këndvështrimi i modernes. Sidoqoftë këto tregime qesin në pah vetëdijen e autorit për procesin krijues, i cili e vendos lexuesin në një pozicion ku ai, ose ajo, bëhet pjesë e këtij reflektimi të vazhdueshëm mbi fjalën dhe kuptimin.
Krijimi në heshtje
Ramë Oraca në tregimet e tij ka shpalosur një botë ku krijimi i prozës së shkurtër - tregimi është një proces që kërkon njohje dhe zotërim, prandaj ai përdor detajin e imtë për të përshkruar procesin e krijimit që mund të ndodhet në mes gjendjes së boshllëkut dhe shpërthimit artistik, dhe që lidhet ngushtë me ndjenjat dhe përjetimet njerëzore. Pa dyshim, këto tregime janë udhëtime në botën e brendshme të personazheve, ku heshtja, kujtimi dhe dashuria bëhen udhërrëfyes i saktë. Çdo histori është ndjenjë shpirtërore e mbushur me detaje nga misteret e fshehura nëpër këto tregime.
Disa sish janë përplot fragmente, por në tërësi secili tregim ka në brendësinë e vet unike edhe peshën simbolike dhe filozofinë e saj. Tregimi “Gdhendës i fjalëve”, (f.7), e bënë fjalën sikur të ishte një trap prej druri i cili lundron mbi ujë. “Nganjëherë më duket se nga errësira del një zë, jo për të më udhëhequr, por për të më vënë në sprovë; - a jam ende duke lundruar, apo jam tretur në ujë si ngjyra e ndonjë oktapodi”, (po aty, f.7). Kjo metaforë është e fuqishme dhe tregon përpjekjen e njeriut për t’i dhënë kuptim jetës, duke u shërbyer nga përvojat e shumta. “Megjithatë”, thotë ai, “po e shtyj përpara këtë trap me fjalë të gdhendura, sepse pas meje vjen harresa, e cila është më e rrezikshme se stuhia”, (po aty, f.7).
Fjalët janë mjet për të ndërtuar një vendstrehim shpirtëror, me narrativë që ngjason me sjelljen e individit në një ambien me turbullira traumatike. Personazhet e Ramë Oracës nuk janë vetëm aktorë të ndodhive, ata janë bartës të përgjegjësive reflektive. “Atë ditë, Musa”, në tregimin “Këngëtari i lagjes” (f.10), “u shfaq në podiumin e parkut të qytetit”, ai si aktor është i portretizuar si një figurë e thjeshtë me detaje që e bënë të përjetuar rrëfimin. Edhe personazhet tjerë si, fëmijet duke luajtur symbyllas dhe qen që koteshin mbi bar, ndërtojnë figuracion të heshtur përball Muses. Me strukturë të përafërt është ndërtuar edhe tregimi “Sefer Kënata”, (f.11), si dhe “Fotografia e Adem Demaçit”, (f.13). Përmes këtyre dy rrëfimeve, autori krijon një portret me përmasa historike, duke i dhënë realitetit një dimension mitik dhe memorial. Kujtimi i gjyshit që ruan fotografinë e Adem Demaçit, edhe pse “disa kujtime nuk mund të fshihen kurrë”, “në fakt... ato nuk vdesin”, (f.15), ose “Bishtalecat e biondinës”, (f.24) e cila këndohej nga të rinjtë kudo - nëpër stadiume, në protesta, kur dilnin për të drejtat e tyre”, (po aty, f.25). Përmes këtyre imazheve, lexuesi kupton se kujtimet dhe historitë e vogla personale janë pjesë e një mozaiku më të madh kulturor dhe historik.
Kujtesa si ideal dhe identitet kombëtar
Në tregimin “Ura e Vaut”, (f.26), kemi një ndërlidhje kujtimesh personale që lidhen me idealin dhe identitetin kombëtar që ruhen të freskëta në kujtesën familjare. Në këtë mënyrë, objekti i përditshëm, bëhet një lloj forme e narrativës ku ndërlidhet edhe me memorien kolektive. Autori ndërthur përshkrime të hollësishme, siç bie fjala në tregimet, “Dera e vetmisë”, (f.29), që “kohëve të fundit, mendja më shkon gjithnjë te Virgjëresha në shi”, (po aty f.29), dhe në tregimin, “Nata në guvë”, (f.30), në një ambient ku koha dhe hapësira përzihet, krjohet një lidhshmëri në mes humbjes dhe vetmisë njerëzore dhe “kur kthehej në dhomë, qante si fëmijë!”, (f.32). Nga ky këndvështrim duket se dëshmitar i dhimbjes së brendshme në këto rrëfime është vet autori, që dhimbjen e ka shkrirë në rrëfim përjetues. Vetmia aq e theksuar në shoqëri, reflekton mbi ekzistencën e individit dhe ndikon në marrëdhënien e tij me të tjerët. Në tregimin “Djepi”, (f.59), është ndërthurur motivi i fshatit duke realizuar një atmosferë nostalgjie dhe humbjeje. Sidomos “kur Iliri mbërriti në lagjen e tij”, (f.59), ku gjithçka është rrënuar nga koha dhe lufta. Në anën tjetër “djepi i Shpendit”, shfaqet si një simbol i vazhdimësisë së jetës, ndërsa kujtesa e lidhë përjetimin e tij me fëmijërinë dhe historinë familjare. Në tregimin “Kujtime të mangëta”, (f.61) rrëfimi i fëmijërisë është shumë i ndjeshëm. Ndërsa tregimi “Vajza me xhemper të gjelbër”, (f.63), sjell ndjesinë e dashurisë së parë dhe ndikimin e leximit dhe kulturës në formimin e identitetit. Leximi i poezisë, mësimi i Fishtës dhe përvoja me profesor Fejz Llugën tregojnë se sa ndikues është roli i artit dhe edukimit në ndërtimin e shpirtit të njeriut. Madje poezia e Zhak Preverit që recitonte shpeshherë ai “u bë gurë themeli i tregimeve për Virgjëreshën në shi”, (po aty, f.64). Edhe “Mixha Sadik”, (f.66), është një figurë simbolike që përfaqëson vëzhgimin, kujdesin dhe lidhjen me shoqërinë. Ai është një pasqyrë e fshatit, duke ditur gjithçka që ndodh, por duke vepruar heshtur. Kështu nëpërmes këtij personazhi, njerëzit dhe kujtimet e tyre janë urë mes së shkuarës dhe së tashmes. Te tregimi “Jeta në teatër”, (f.68), rrëfehet mënyra e rindërtimit emocional dhe rikthimi i lumturisë pas periudhave të vështira. “Ato personazhe kishin lënë shumëçka brenda meje”, (f.71). Autori, duke qenë edhe vet artist, përmes teatrit, muzikës dhe humorit, përçon idenë se lumturia është një përpjekje që kërkon guxim dhe veprim. Si shkrim letrar, tregimet janë mjaftë meditative, ndërsa përjetimet e errëta dhe të gëzuara bashkëjetojnë dhe formojnë një mësim të ri jetësor, dhe sipas autorit, gjithçka e rrënuar mund të rikthehet përseri në jetë.
Hija e shiut
Tregimet e Ramë Oracës, njëri pas tjetrit shprehin emocione krijuese, kujtime që shpalojnë botën e brendshme të personazheve. Hija e shiut, mjaftë e përsëritur edhe në këtë tregim, simbolizon ndërgjegjësimin dhe transformimin e brendshëm. Në këtë mozaik, personazhet e ndryshëm, kryesisht janë dy apo tre, kanë krijuar një reflektim mbi dashurinë dhe kuptimin e ekzistencës. Ta zëmë në tregimin “Frymëzimi i poetit”, (f.72), autori prezanton marrëdhënien mes krijuesit dhe frymëzimit të tij. Personazhi kryesor, një poet ende i panjohur për publikun, gjen praninë e një figure femërore si një burim të papritur inspirimi: “Papritur ajo u ul në prehrin tim dhe filloi të më puthte. Ishte një përzierje pasioni dhe frike... Rrjedha e fjalëve shpërtheu përtej kontrollit tim. Fillova të shkruaja si i hipnotizuar”, (po aty, f.75). Ky fragment, shpjegon sesi arti dhe përjetimi nuk janë të ndara. Kështu sipas autorit, poezia dhe tregimi lindin si një reagim spontan ndaj pranisë së dikujt, që mund të jetë ndikues i frymëzimit letrar a poetik.
Në kërkim të vetvetës
Në tregimin “Shpresa e klubit letrar”, (f.77), përjetimet e autorit lidhen me një botë më të gjerë të letërsisë, ku sfidat e shkrimtarit janë në kërkim të vendit të vet. Njohja me Shpresën, “e cila sigurisht i ka lexuar të gjitha tregimet për Virgjëreshën në shi”, (po aty, f.77), një personazh i ri dhe spontan, i ka dhënë rrëfimit një dimension të brendshëm emocional dhe ekzistencial. Për ata që me pasion e pinë birrën si unë, i japin të drejt autorit në konstatimin, “se një birrë mund të çlironte njeriun më shumë sesa një libër”, (po aty, f.80). Në mjaftë tregime autori “shiut” i jep një dimension simbolik, që shihet nga tregimi “Streha e tregimeve me shi”, (f.82), që u bë shkas të mos heshtë vet autori, sepse lexuesi më lehtë mund t’i lexojë këto tregime se sa të ballafaqoj me heshtjën që e rrthon. Prandaj “Ai, para disa ditësh më ka shkruar se ndodhet me Virgjëreshën në shi, duke e ruajtur burimin e tregimeve, të cilin e kam zbuluar unë gjatë të reshurave me shi”, dhe sa interesant pikërisht, “Ai ka insistuar që pjesa e dytë e librit të përfshij tregimet në të cilët vazhdimisht bie ai shi, dhe libri të titullohet “Virgjëresha në shi”, (po aty, f.82), pastaj shiu zgjerohet edhe më tej në tregimet: “Virgjëresha në shi”, (f.84), “Aroma e shiut”, (f.93) dhe “Pas shiut”, (f.98), ku përmes shiut bëhet pastrim shpirtëror dhe ndërgjegjësimi. Personazhet si Venera, Erëza dhe Mrika përballen me vetminë, humbjen dhe pritjen e dashurisë. Në tregimin, “Virgjëresha në shi”, (f.84), nga ku emërtohet edhe libri, magjia e rrëfimit zgjerohet në një nivel narrativ të pasur me simbole dhe metafora. “Dhe më në fund, Venera e kuptoi se ajo ishte pjesë e një cikli të pafund - një virgjëreshë që në shi kërkonte atë që kishte humbur...”, (po aty, f.86). Shiu, është i pranishëm gati në çdo tregim, andaj “shiu” shfaqet si një element universal. “Në këtë vend..., shiu është i ngadalshëm. Të humb për të të gjetur sërish. Nuk ka fund, sepse rruga që ndjek është e pafund”, (po aty, f.87). Për autorin, shiu i këtyre tregimeve është një pasqyrë e gjendjes së brendshme, ku çdo hap i personazhit nën shi reflekton një proces të vetëkuptimit dhe të pranimit të jetës ashtu siç është, ashtu siç vjen. Këto tregime janë një ndërthurje midis rrëfimit autobiografik, tregimit etnografik dhe eseistik, ku çdo tregim ka thelbin e tij të veçantë, por të gjithë bashkë ofrojnë një vizion të gjerë të jetës, historisë dhe përvojës njerëzore.
Vetmia si ndikuese në transformimin e personazheve
Tregime të tjera të mira janë edhe “Ishulli i humbur”, (f.91), “Aroma e shiut”, (f.93) dhe “Pas shiut”, (f.98), në të cilat theksohet procesi i transformimit të personazheve përmes vetmisë, reflektimit dhe pranimit të ndjenjave. Ishulli i qetë dhe i fshehur, lumejt dhe pyjet, shpesh shërbejnë si hapësira metaforike ku personazhet ndërgjegjësohen mbi veten e tyre dhe mbi marrëdhëniet me të tjerët. Në këtë sens, Ramë Oraca e përdor natyrën jo vetëm si sfond, por si një aleat të brendshëm në rrugëtimin e shpirtit. Për shembull, në rrëfimin në mes Mrikës dhe Yllit: “Pas çdo dhimbjeje, ka një mundësi… për të krijuar diçka më të bukur pas shiut”, (“Pas shiut”, f.100-101). Ky citim reflekton idenë themelore të botës së Ramë Oracës, ku dhimbja dhe humbja nuk janë fundi, por mundësi për reflektim dhe ringritje. Ai nuk ndalet vetëm te metafora e shiut, por përshkruan edhe mënyrën se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin përmes heshtjes, telefonatave, dhe kujtimeve të padukshme. Tregimet, “Telefonata e natës”, (f.96), dhe “Mesazhet e shlyera”, (f.102), tregojnë se kuptimi i ndjenjave nuk kërkon gjithmonë fjalë, por pranimin e tjetrit në heshtje dhe vëmendje. Personazhet e Ramë Oracës, janë në kërkim të dritës dhe paqes, qoftë ajo edhe e brendshme, duke gjetur lidhje mes vetmisë, natyrës dhe përjetimeve të përbashkëta. Ideja e këtij shkrimi kritik, është për të treguar se, për shkrimtarin, arti dhe jeta bashkohen në përjetimin e ndjenjave universale, duke i dhënë çdo tregimi një dimension filozofik dhe ekzistencial.
Autori ka realizuar këtë prozë poetike, me përshkrime të hollësishme dhe reflektive, ku ndjesia personale ndërthuret me kujtimet kolektive dhe përshkrimet e mjedisit. Fragmentarizmi nga tregimet që ndërlidhet në mes tyre krijon një ritëm meditativ, ku do të pasqyrohet funksioni i kujtesës dhe kohës nëpër jetën e personazheve. Tregimet si “Ditar i fshehtë”, (f.117), “Tregimi i papërfunduar”, (f.118) dhe “Kutia e drunjtë”, (f.120), janë proza të shkurtëra të cilat eksplorojnë përplasjet, mes fjalëve të pathëna dhe kujtimeve të harruara. Personazhet gjejnë objekte, libra, ditarë, fotografi që bëhen urë për të rikthyer historitë e tyre, siç është rasti me Yllken e cila gjen një ditar që dokumenton ëndrrat dhe ndjenjat e pathëna, duke përjetuar lotët dhe buzëqeshjet që nuk u shprehën kurrë. Ajo “Ditarin e përqafoi, sikur të ishte një pjesë e jetës që kishte mbetur e pa jetuar”, (po aty, f.117). Ky motiv vazhdon edhe në tregimin “Kujtimet e humbura”, (f.124), ku personazhet përballen me peshën e fjalëve të pathëna dhe dashurive të ndërprera, siç është rasti i Veses e cila ndjen prezencën e Jetmirit edhe pas largimit të tij, duke e përjetuar dashurinë jo si mungesë, por si kujtim që e fuqizon shpirtin.
Simbolikë e fuqishme
Shkrimtari Ramë Oraca, përdor simbolikë të fuqishme, p.sh. uji dhe varka në tregimin “Në varkën e fatit”, (f.128), simbolizojnë jetën dhe marrëdhëniet që kërkojnë përpjekje të përbashkët për të gjetur kuptim, ndërsa pasqyra dhe ditari janë metafora të vetëdijes dhe kujtesës. Shumë herë, tregimet përfundojnë me çaste reflektive, që nuk japin një zgjidhje të plotë, por nxisin lexuesin të mendojë mbi ndjenjat dhe kujtimet e tij. Kjo e bën këtë prozë me vlerë universale, sepse secili lexues mund të gjejë pjesë të vetes në ngjarjet e personazheve. Sipas këtij këndvështrimi, mund të them se Ramë Oraca krijon një letërsi që fton lexuesin të reflektojë mbi marrëdhënien mes kujtesës, kohës dhe kuptimit të ekzistencës, duke i dhënë një dimension më të gjerë përvojës profesionale.
Nëpër tërë vëllimin, shihet se personazhet janë të zakonshëm. Ata përballen me mungesën, dashurinë e pashprehur dhe të ndjenjës së shpirtërore, këtë gjë e ndeshim në tregimet, “Kur heshtja flet”, (f.135) dhe “Lidhjet e fshehta”, (f.137), ku autori na tregon sesi lidhjet më të forta nuk janë gjithmonë ato të shpërthyera me fjalë, por ato që ruhen në heshtje dhe përkujdesje të përbashkët. Ndërsa tregimi “Melodia e vetmisë”, (f.138), paraqet një perspektivë tjetër, aftësinë e njeriut për të krijuar lidhje të heshtura. Në këtë tregim, dialogu qëndron në shikime, prekje apo shenja të vogla që e bëjnë bashkimin të mundur. Sipas tregimit heshtja nuk është mungesë, por një gjuhë më e thellë se sa fjala e shprehur, një komunikim që kërkon vëmendje dhe ndjeshmëri.
Stili figurativ i Ramë Oracës karakterizohet nga një gjuhë e pasur dhe me një ndërtim të narrativës. Ai përdor përsëritje, metafora natyrore dhe simbole të përditshme për të ndërtuar një atmosferë melankolike, por edhe të ndritshme, ku lexuesi do të ndjen çdo pikë shiu, çdo frymë të personazhit dhe çdo emocion që lind nga takimet dhe ndarjet.
Në këtë trend janë edhe tregimet, “Xhaketa e vjetër”, (f.139), “Çelësi i humbur”, (f.141), “Fustani i bardhë”, (f.143), dhe “Shamia e gjyshes”, (f.146), ku rrëfimi përqendrohet në trashëgiminë e kujtimeve dhe në lidhjet mes brezave. Edhe në këto tregime sendet e zakonshme shndërrohen në simbole të historive personale, duke ruajtur praninë e njerëzve që i kanë përdorur dikur. Këto tregime na mësojnë se kujtimet nuk janë vetëm nostalgji, ato janë ura për të kuptuar veten, për të pranuar humbjet dhe për të gjetur paqen me të kaluarën, duke sjellur në vetvete një univers të thellë emocional, ku heshtja, kujtimet dhe gjurmët e së kaluarës, sidomos paslufta e Kosovës i ka shndërruar në protagonist të të vertetës së heshtur. Edhe tregimi, “Besi dhe Ana”, (151), përfaqëson një pjesë të botës së brendshme dhe të heshtjes së njeriut, në të cilin autori ka eksploruar mënyrat se si ndjenjat dhe koha ndërveprojnë për të formuar kujtesën historike dhe identitetin e një kombi, si nocion më i kompletuar i shoqërisë, që ka synim të prosperojë drejt një të ardhme më të ndritur.
Përfundim
Vëllimi me tregime të shkurtëra “Virgjëresha në shi” ka shpalosur një univers të pasur narrativ dhe poetik, ku kujtimi, vetmia, dhe marrëdhënia me të shkuarën bëhen tema qendrore. Dhe Ramë Oraca, ka arritur t’i bashkon tregimet e vogla me refleksione filozofike mbi jetën, kohën dhe artin e të shkruarit. Këto tregime jo vetëm që ruajnë gjallërinë e personazheve dhe ngjarjeve, ato e ftojnë lexuesin të zhytet në thellësinë e heshtjes dhe të fjalës, dhe nëpërmes historisë personale t’i shtjellojnë përjetimet kolektive. Pa dyshim, këto tregime janë një përvojë e pasur dhe siç e kam theksuar edhe me lartë, me një narrativë të thellë.
* Autori i shkrimit është edhe recensent i këtij libri!
Prishtinë, 18 shkurt 2026.
Shefqet DIBRANI