Duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe integrimin e letërsisë kosovare në hapësirën evropiane të përkthimit dhe botimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pranuar si anëtare vëzhguese në rrjetin letrar evropian TRADUKI
Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjatë angazhimi dhe lobimi institucional, i cili ka nisur në dhjetor të vitit 2024. Qëllimi kryesor i këtij procesi ka qenë krijimi i mundësive më të mëdha për përkthimin, botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe nga Kosova në gjuhën gjermane, si dhe rritja e pranisë së autorëve kosovarë në rrjete dhe platforma ndërkombëtare të letërsisë.
Gjatë Panairit të Librit në Leipzig, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e rrjetit TRADUKI dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, duke riafirmuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, kanë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues kulturorë dhe institucionalë të rrjetit TRADUKI, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Këto takime kanë kontribuar në avancimin e procesit të aplikimit dhe në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional.
Në tetor të vitit 2025, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në këtë rrjet, ndërsa në mbledhjen e Komitetit të TRADUKI të mbajtur në nëntor 2025 është miratuar pranimi i Kosovës si anëtare vëzhguese.
Si institucion përfaqësues i Republikës së Kosovës në këtë rrjet, Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të marrë pjesë për herë të parë në takimin e radhës të TRADUKI, i cili do të mbahet në Sarajevë më 20–21 prill 2026.
- 20 prill 2026: Takimi i 41-të i Komisionit të Programit të TRADUKI
- 21 prill 2026: Takimi i 37-të i Komitetit Drejtues të TRADUKI
TRADUKI është një rrjet evropian i themeluar në vitin 2008, i cili synon të mbështesë përkthimin, botimin dhe qarkullimin e letërsisë nga vendet e Evropës Juglindore në hapësirën gjermanofolëse dhe më gjerë.
Përmes këtij rrjeti krijohen ura bashkëpunimi ndërmjet autorëve, përkthyesve, botuesve dhe institucioneve kulturore, duke kontribuar në ndërkombëtarizimin e letërsive kombëtare dhe në forcimin e dialogut kulturor evropian.
Në këtë kontekst, pranimi i Kosovës si anëtare vëzhguese përbën një zhvillim të rëndësishëm institucional dhe kulturor, duke hapur mundësi të reja për afirmimin e letërsisë kosovare në skenën ndërkombëtare.