Vështrim rreth librit Udhëpërshkrim për Haxhin të vitit 1615 dhe librit Udhëpërshkrim nga Haxhi i viti 2017

Kultura

Vështrim rreth librit Udhëpërshkrim për Haxhin të vitit 1615 dhe librit Udhëpërshkrim nga Haxhi i viti 2017

Nga: Faik Miftari Më: 23 maj 2026 Në ora: 20:31
Faik Miftari

Pasi që gjendemi në prag të haxhit të sivjetshëm 2026, në të cilin 2-3 milion pelegerinazh mysliman nga mbarë bota udhëtojnë për të kryer ritualin e haxhit i cili kulminacionin e vet arrin mes datës 26-30 maj, 2026 me ç’rast përfundon haxhi.

E pashë të udhës, pasi jemi në periudhën e haxhit, të bëjë një vështrim të librit të shkruar qysh në vitin 1615 Udhëpërshkrim të haxhit si dhe librit Udhëpërshkrim nga haxhi të shkruar në vitin 2017.

Para pikërisht 411 vitesh autori boshnjak Jusuf Livnjak, qysh në vitin 1615 ka shkruar Udhëpërshkrim për haxhin, me rastin e kryerjes së  haxhit në vitin 1615, i cili njihet në literaturën boshnjake si dokument më i vjetër i shkruar  dhe me vlerë të veçantë historike  në letërsinë boshnjake të periudhës osmane.

Jusuf Livnjaku ka qenë përveç tjerash, myezin i xhamisë së Lalapashës, tregtar, udhëpërshkrues si dhe njëri prej astronomëve të parë të Bosnjës. Ka qenë njeri i arsimuar për kohën gjatë së cilës ka jetuar dhe vepruar, përveç gjuhës boshnjake ka njohur edhe gjuhën osmane(turke) dhe gjuhën arabe, njihej përveç tjerash edhe si përpilues i kalendarit vjetor sipas emërtimeve popullore të muajve.

Jusuf Livnjaku gjatë kryerjes së haxhit në vitin 1615, ka udhëtuar nëpërmes rrugës perandoriane e ashtuqujatur në popull në atë kohë ”xhada e Stambollit” e cila nisej prej Sarajevës, kalonte nëpërmes Jeni(Novi)pazarit, Prishtinës e drejt në Stamboll. Në Stamboll me anije ka udhëtuar drejt Aleksandrisë në Egjipt, me ç’rast ka vazhduar drejt Kairos dhe duke kaluar kanalin e Suzit nëpërmes Detit të Kuq ka mbërritur në Xhide dhe pastaj nëpërmes rrugës tokësore ka vazhduar në Meke e Medine.

Rruga  e tij gjer në Meke ka zgjat 100 ditë, gjersa i tërë itinerari i tij ka vazhduar një vit e 10 ditë, gjatë së cilës ka përshkruar në hollësi jo vetëm ritualet e kryera fetare gjatë haxhit, por më gjerësisht ka përshkruar traditat dhe kulturat e popujve të ndryshëm, vendet dhe qytetet nëpër të cilët ka kaluar, përjetimet e t’ia me botën përreth me të cilin u njoh. Të gjitha këto shënime i ka shkruar gjatë udhëtimit dhe pas kthimit i ka përmbledhur në veprën e titulluar “Udhëpërshkrim për Haxhin” i cili sot  paraqet një vepër me rëndësi historike në letërsinë boshnjake të periudhës osmane vështruar nga sytë e një boshnjaku të atëhershëm.

Plot 400 vite pas, saktësisht në vitin 2017, autori i këtyre rreshtave, ka kryer haxhin me ç’rast ka mbajt shënime dhe gjatë kthimit  ka përpiluar dhe botuar në vitin 2019 librin ”Udhëpërshkrimi nga Haxhi, 2017”, i cili është libri i parë i këtij lloji në letërsinë shqipe të periudhës së re.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore kanë shkruar shumë autor artikujt, shkrime, ese, tregime, poezi për haxhin, por shkruar në formë  udhëpërshkrimi nga haxhi është libri i parë i shkruar në letërsinë më të re shqipe.

Autori, Faik Miftari, është përveç tjerash inxhinier, avokat, publicist dhe shkrimtar, i cili merret me shkrime publicistike dhe hulumtuese, në të cilat shtjellon tema të ndryshme të fushës politike, historike, fetare, kulturore dhe juridike, gjatë kohës në të cilin jeton dhe vepron. Përveç gjuhës boshnjake njeh dhe flet edhe gjuhën turke dhe boshnjake. Ka botuar gjer tani 9 libra nga fusha publicistike, hulumtuese, trashëgimisë kulturore, historike, fetare dhe juridike, në mes tyre është edhe librin për të cilin bëhet fjalë në këtë vështrim ”Udhëpërshkrimi nga haxhi, 2017” botuar në vitin 2019.

Autori i librit, Faik Miftari gjatë kryerjes së haxhit në vitin 2017, ka udhëtuar me autobusë nga Prizreni, gjer në aeroportin e Prishtinës, pas së cilës me aeroplan ka udhëtuar plot 4 orë drejt aeroportit ndërkombëtar të Xhides së Arabinë Saudite, pas së cilës nëpërmes rrugës tokësore  me autobus ka vazhduar udhëtimin për në Meke dhe Medine.

Rruga  e ime dhe qëndrimi në haxh ka zgjat 28 ditë, gjatë së cilës për çdo ditë kam mbajt shënime, të cilat shënime pas kthimit në Kosovë i kam përpiluar dhe tubuar në librin të cilin e kam botuar në vitin 2019 me titull:”Udhëpërshkrimi nga haxhi, 2017”.

Gjatë 28 ditëve të kaluara në haxh përveç tjerash  kam shkruar  në formë kronologjike ditore dhe me shume detaje praktike të përshkrimeve të rrugëve, hoteleve, qyteteve Meke dhe Medine, vendet tjera të cilët i kemi vizituar, traditat, doket, veçorit, karakteristikat, ndodhitë, peripecitë, gëzimet, kënaqësitë dhe vështirësitë, përjetimet si dhe analiza dhe  propozime për organizimin e haxhit.

Sa i përket aspektit shpirtëror, emocional dhe fetar që sjell kryerja e haxhit si një shtyllë fetare shpirtërore dhe shumë mbresëlënëse, që vetëm si e tillë mund të përjetohet e shumë vështirë të përshkruhet, do të parafrazojë në këtë vështrim vetëm një detaj të saj, të cilën vet lexuesit do të vlerësojnë shumë më mirë se sa e kam qëlluar të përshkruajë  këtë ndjenjë të veçantë shpirtërore fetar  arritur gjatë haxhit të kryer në vitin 2017.

“Tavafi(rreth rrotullimi Qabes) është kulminacion i haxhit, është kurora e tij, është qershiza mbi tortë, është diç e papërshkrueshme që vetëm mund të përjetohet e assesi të përshkruhet. Gjatë kryerjes së tavafit përjetova emocione të veçanta, pasi që atmosfera dhe ambienti që mbretëronte aty është e veçantë. Prej të gjitha ibadeteve (ritualeve) që kryhen gjatë haxhit, tavafi është në maje, në krye, është maja e piramidës së haxhit. Aty besimtari ndjehet sikur të ishte në botën tjetër, në xhenet(parajsë). Qabeja është sikurse një bosht magnetik rreth së cilës sillen 7 herë besimtarët mysliman brenda 24 orëve në ditë, apo 365 ditëve në vit hiç pa u ndal, përpos kohëve të namazeve të rregullta ditore dhe javore.

Aty mund të shihje besimtar mysliman nga mbarë bota, popujt të ndryshëm, raca të ndryshme, kultura të ndryshme, të gjithë tok së bashku që kanë ardhur me të vetmin qëllim, duke iu përgjigjur thirrjes së Krijuesit Fuqiplotë për të adhuruar dhe madhëruar atë. I shihje grupe grupe njerëzish të cilët bëjnë dua, bëjnë lutje, bëjnë zikër, në gjuhë të ndryshme, në mënyra të ndryshme, çoftë me zë, qoftë heshtas, qoftë vetëm, qoftë në grupe, të prirë nga udhëheqësit e tyre, pas të cilës përsërisin duatë dhe lutjet, aty i shihje besimtarët duke qarë, lotët e të cilëve rrjedhin nëpër faqet e tyre pandërprerë, për mua kjo ishte diç e veçantë, ia shtrova pyetje vetvetes, vallë si mund dilnin lotët ashtu vetvetiu në faqet e haxhinjëve?

 Por, gjatë njërit prej tavafeve që e bëra, duke bërë dua, lutje, papritmas nisën të rrjedhin lotët në faqet e mia, vetvetiu, pa u ndal, atëherë e kuptova me të vërtet fuqinë magjepse të tavafit. Në momentet e tavafit njeriu shkëputet nga kjo botë materiale dhe transformohet në botën shpirtërore. Në ato momente haxhiu harron çdo gjë që ka të bëjë me botën materiale, harron bashkëshorten, fëmijët, familjen, miqtë, të afërmit, shokë, kolegë, çdo gjë, dhe bëhet pjesë e botës shpirtërore, lidhet drejtpërsëdrejti me Krijuesin Fuqiplotë, Allahun fuqiplotë nëpërmjet një litarit të padukshëm.

Më në fund dëshira ime e kah motshme u realizua, trupi im përjetoi ndjenjat të veçanta dhe të pashpjegueshme sepse ato momente kënaqësie që përjetova që m’u dha mundësia që të lidhem me Krijuesin Fuqiplotë në Qabenë e bekuar, ndodh ndoshta vetëm një herë në jetë, ndjenjat të cilat askush nuk i përjeton pa u ballafaquar drejtpërsëdrejti me ato momente në vendin ku e gjithë bota myslimane 5 here në ditë drejtohet drejt Kiblesë së tyre, Qabesë, pa marr parasysh se në cilin vend të botës gjenden dhe jetojnë besimtarët mysliman”.

Të gjitha këto shënime dhe përjetime të përshkruara  gjatë udhëtimit në Haxh të përmbledhur në librin e  titulluar “Udhëpërshkrim nga Haxhi, 2017” do të mbetet një vepër me vlerë në letërsinë shqipe të periudhës më të re vështruar nga sytë e një shqiptari mysliman të sotshëm, i cili “lirisht mund të thuhet se është një udhëpërshkrim i plotë bashkëkohor në gjuhën shqipe për Haxhin nga perspektive e një haxhiu shqiptar nga Kosova”.

23.05.2026                                                   Av. Faik MIFTARI

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat