Formacioni artistik “Besiana&të mirët e kombit” me Koncert Homazh “25 Vjet – DRITË LIRIE” kushtuar Komandant Lleshit

Kultura

Formacioni artistik “Besiana&të mirët e kombit” me Koncert Homazh “25 Vjet – DRITË LIRIE” kushtuar Komandant Lleshit

Më: 27 maj 2026 Në ora: 07:52
Besiana Mehmedi

Në një atmosferë madhështore, emocionale dhe tejet dinjitoze, Pallati i Kulturës në Bujanoc ishte i stërmbushur nga qytetarë, veteranë të luftës, familjarë dëshmorësh, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare në Akademinë Përkujtimore – Koncert Homazh “25 Vjet – DRITË LIRIE”, kushtuar Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit.

Manifestimi qendror u organizua nga Komuna e Bujanocit, OVL UÇPMB dhe Bashkësia Lokale Tërnoc, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të rënies së Komandant Lleshit.

Programi artistik dhe përkujtimor nisi pa paralajmërim me uverturën nga opera “Goca e Kaçanikut”, interpretuar nga balerinët Isa Gjocaj dhe Jeta Musolli nga Baleti Kombëtar i Kosovës, duke sjellur në skenë emocion dhe simbolikë kombëtare. Më pas, u interpretua live Himni kombëtar nga tenori Shkodran Tolaj dhe Kori “Të Mirët e Kombit”.

Akademinë e prezantoi Besiana Mehmedi, e cila në fjalën hyrëse kujtoi figurën e Ridvan Qazimit si simbol të luftës, paqes dhe dinjitetit kombëtar vepra sublime e të cilit mbetet e pavdekshme dhe udhërrëfyese për ndërtimin e së ardhmes! 

Pas një minute heshtje në nderim të Komandant Lleshit dhe gjithë dëshmorëve të lirisë, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili vlerësoi figurën e Komandant Lleshit dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

Një ndër momentet më emocionale ishte interpretimi i këngës “Besa Besë”, që komandanti e kishte kënduar shpesh në front me ushtarët e tij! Më pas Kori “Të Mirët e Kombit”, i shoqëruar në piano nga prof. Rudina Ciko, interpretoi këngën “Këngë për Komandant Lleshin”, përgatitur enkas për këtë akademi.

Në vazhdim, kryetari i OVL UÇPMB, Bejtullah Bejtullahu, mbajti një fjalim përkujtimor për figurën e Komandant Lleshit dhe sakrificën e veteranëve të luftës! 

Një frymë autentike folklorike solli në skenë doajeni i këngës popullore Selajdin Miftari, i cili interpretoi me sharki, duke rikthyer atmosferën dhe shpirtin e këngës tradicionale shqiptare që e kishte dashur vetë Komandant Lleshi si pjesë e shoqërisë kulturore “Jehona” në Tërnoc! 

Më pas, kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, përshëndeti të pranishmit, duke vlerësuar rëndësinë e figurave kombëtare dhe përkujdesjes institucionale! 

Me duartrokitje frenetike u prit aktori i Teatrit Nacional të Tetovës, Arsim Fazlia, i cili interpretoi një monolog artistik kushtuar Komandant Lleshit, realizuar posaçërisht për këtë 25-vjetor. Emocione të veçanta solli interpretimi i këngës “Legjendat këndoja me mall”, kushtuar sakrificës së familjes Jashari dhe gjithë luftëtarëve të lirisë, ndërsa vogëlushja Dua Qazimi preku publikun me paraqitjen e saj simbolike.Një tjetër moment i fuqishëm artistik ishte interpretimi i këngës “Albulena” nga Shkodran Tolaj, këngë që lidhi figurën e Komandant Lleshit me historinë dhe qëndresën shqiptare ndër shekuj, posaqërisht me figurën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut! 

Publiku e priti me emocione të mëdha ikonën e muzikës shqiptare Sinan Vllasaliu, i cili interpretoi dy këngë, përfshirë edhe një këngë premierë kushtuar Komandant Lleshit. Në skenë me të u ngjit edhe vogëlushja Jona Sejdiu, si simbol i trashëgimit të idealeve brez pas brezi.

Një nga momentet më prekëse ishte paraqitja e Levent Qazimit, djalit të Komandant Lleshit, i cili me modesti dhe emocion falënderoi të gjithë të pranishmit për respektin dhe kujtesën e ruajtur ndër vite për figurën e të atit.

Në vazhdim, Shkodran Tolaj interpretoi “Fjalët e qiriut”, një këngë me simbolikë të fortë kushtuar dritës së lirisë dhe sakrificës së Komandant Lleshit, ndërsa më pas së bashku me Besiana Mehmedin interpretuan duetin “Kosova Kosova”.

Gjatë akademisë u dhurua edhe një portret i punuar enkas për këtë 25-vjetor nga artisti Zeni Ballazh, si simbol kujtimi dhe nderimi për familjen e Komandant Lleshit.

Në fund, në skenë u ftuan të gjithë artistët pjesëmarrës, duke falënderuar Komunën e Bujanocit, Pallatin e Kulturës, organizatorët, stafin teknik, drejtorin artistik Shkodran në realizimin e kësaj akademie madhështore.

Akademia u mbyll me interpretimin e përbashkët të këngës “Zjarr t’pat Zemra”, ku artistët dhe publiku krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme emocionesh, krenarie dhe kujtese kombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat